Home / Sport / Bajern Mynih fiton Ligën e Kampioneve

Bajern Mynih fiton Ligën e Kampioneve

Bajern Mynih ka fituar Ligën e Kampioneve duke mundur Borusia Dortmund me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Uembli” të Londrës. Bavarezët, ndonëse nuk kanë shkëlqyer ashtu si në ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, kanë realizuar me sukses objektivin e tyre duke u treguar cinikë atëherë kur duhej, për të evituar një surprizë nga rivalët e tyre.

Në fakt ndeshja në fillimet e saj ka folur më shumë për Borusian e cila krijoi disa raste të njëpasnjëshme me anë të Rojs e Levandovski, por Nojer shfaqet i gatshëm dhe devijon saktësisht gjuajtjet e tyre. Më pas e kanë radhën bavarezët të rrezikojnë, me Manxhukiç që godet në mënyrë perfekte me kokë, por Vaidenfeler devijon topin në traversë duke shpëtuar portën. Më pas, kapiteni i Borusias shpëton përsëri portën nga një gol i sigurt me një ndërhyrje vendimtare ndaj Arjen Roben, i cili ishte shfaqur i vetëm para tij.
Holandezi është personazhi negativ i kësaj pjese të parë, pasi edhe në dy raste të tjera ka mundësinë të dërgojë topin në rrjetë, por fillimisht vonohet duke i dhënë kohën mbrojtësve kundërshtarë të largojnë topin, e më pas godet Vaidenfeler në fytyrë, duke humbur një rast të mrekullueshëm për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin e bavarezëve.
Pjesa e dytë fillon si e para, me Borusian në sulm, por Bajerni godet me kundërsulm dhe në minutën e 60-të të ndeshjes kalon në avantazh. Është një kombinim Riberi-Roben, me këtë të fundit që pason në qendër duke kaluar Vaidenfeler dhe duke i krijuar mundësinë Manxhukiç që vetëm të dërgojë topin në rrjetë.
Por avantazhi bavarez zgjat vetëm 8 minuta, pasi është Dante që i jep një ndihmë të madhe Borusias, duke shkaktuar një 11-metërsh qesharak ndaj Rojs, për më tepër i falur nga gjyqtari Ricoli që mund ta kishte larguar me karton të kuq. Nga pika e bardhë gjuan Gundogan që barazon rezultatin, duke kthyer edhe një herë buzëqeshjen në fytyrat e “kanarinave”, të cilët në fakt nuk kishin shfaqur inferioritet ndaj Bajernit.
Por duket se skuadra e Klop kishte shpenzuar shumë deri në këto momente dhe bie në minutat e fundit, duke i lënë iniciativën bavarezëve. Myler sheh Subotiç të shpëtojë portën me një ndërhyje vendimtare dhe më pas gjuajtja e Alaba gjen reagimin e Vaidenfeler, i cili përsërit veten pak minuta më vonë pas gjuajtjes së Shvajnshtajger.
Por as kapiteni i Borusias nuk mund të bëjë asgjë ndaj depërtimit dhe gjuajtjes së Roben që dërgon topin në rrjetë në minutën e 89-të, duke shlyer të gjitha gabimet e pjesës së parë të ndeshjes dhe finaleve të kaluara duke i dhënë trofeun Bajernit.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *