Home / Sport / Çelsi fiton Europa League

Çelsi fiton Europa League

Çelsi është shpallur fituese e trofeut të Europa League pasi ka mundur në finalen e Amsterdamit portugezët e Benfikës. Londinezët e drejtuar nga Rafael Benitez kanë bërë gjithçka mirë duke i rezistuar presionit të portugezëve në pjesën e parë, për të goditur në të dytën, ndonëse duhet theksuar se suksesi 2-1 ka ardhur vetëm në sekondat e fundit, kur të dy ekipet po mendonin për kohët shtesë.

Benfika ka dominuar në pjesën e parë përballë Çelsit në mbajtjen e topit dhe në lojë, por duhet thënë se mundësinë më të mirë për të shënuar e kishin anglezët me anë të Lampard në minutën e 38-të, por portieri Artur bën mrekullinë me një devijim refleksi.
Në pjesën e dytë, ndeshja fillon shumë e vrullshme dhe pas pak minutash është Çelsi që gjen avantazhin falë Torres, i cili përfiton nga pavëmendja e mbrojtjes kundërshtare për të dalë i vetëm para portës dhe për të dërguar topin në rrjetë.
Por entuziazmi i Çelsit zgjat vetëm pak, pasi është Azpilikueta që dënon skuadrën e tij me një prekje topi me dorë në zonë. Kardozo nuk gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe rezultati barazohet.
Benfika vazhdoi të kishte më shumë kontrollin e lojës, ndërsa nga ana tjetër, Çelsi u kundërpërgjigj me predhat e Frenk Lampard, ku ajo e minutës së 89-të u ndal vetëm nga kryqëzimi i shtyllave.
Megjithatë, londinezët arrijnë të bëjnë mrekullinë në minutën e 3-të dhe të fundit shtesë të ndeshjes, duke shënuar golin e fitores me Ivanoviç pas një goditje këndi të Mata, duke siguruar këtë trofe që bëri sezonin e tyre në dukje të dështuar, të kthehej në një sezon të suksesshëm.
Me këtë sukses, londinezët janë e para skuadër në histori që mund të quhet për pak ditë fituese në fuqi si e Europa League, ashtu edhe e Ligës së Kampioneve, derisa të luhet finalja e këtij turneu mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund. Në këtë mënyrë, Rafael Benitez largohet si fitimtar nga Çelsi, pasi i ka siguruar kësaj skuadre edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, vazhdon mallkimi shumëvjeçar i Benfikës, triumfi i fundit ndërkombëtar i të cilës mungon prej 51 vitesh,. Atëherë, në sezonin 1961-1962, mundnin në finale 5-3 Real Madrid në Kupën e Kampioneve. Por që nga ai moment, kanë humbur 7 finale ndaj Milan (dy herë), Inter, Mançester Junajtid e PSV Eindhoven në Kupën e Kampioneve, Anderleht në Kupën UEFA dhe tani Çelsit në Europa League.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *