Home / Lajme / Maqedoni / Demolohet Muzeu i Alfabetit në Manastir. Reagon qeveria

Demolohet Muzeu i Alfabetit në Manastir. Reagon qeveria

24 maj-“Sot është ditë feste për qytetarët e Maqedonisë, dhe ndoshta do të duhej të marrim një mesazh me këtë”, thotë Gazmend Hoxhaj, drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir.

Persona të panjohur kanë dëmtuar muzeun e Alfabetit në Manastir. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 03.30 minuta, ndërsa rastin e kanë konfirmuar për Portalb, edhe drejtori i Muzeut të Alfabetit në Manastir, Gazmend Hoxhaj dhe SPB i Manastirit.

Drejtori Hoxhaj, thekson se ai ka shkuar në muze rreth orës 04. 00 së bashku me ekipin e policisë dhe kanë konstatuar se dera e hyrjes ka qenë e thyer dhe xhamat gjithashtu.

“Vitrinat ku ishte ekspozita ishin të dëmtuara dhe të thyera. Dokumentet ishin nëpër dysheme. Nuk kemi informata se kush mund të jetë kryes i kësaj vepre, por cilidoqoftë ai, rasti duhet të zbardhet dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”, thotë drejtori Hoxhaj.

Ai konfirmon se kjo është hera e katërt që po dëmtohet Muzeu i Alfabetit në Manastir, por kjo është hera e parë që ai dëmtohet brenda dhe vihet dorë mbi dokumentet e tij.

Hoxhaj, deklaroi për Portalb, se dokumentet e ekspozuara, mbi të cilat është vënë dorë nga vandalët, nuk janë origjinale, sepse origjinalet ruhen në formë elektronike, ndërkohë që vlerëson se dëmi i shkaktuar është më i madh në aspektin shpirtëror, se material.

Kështu, sipas tij, sipas vlerësimeve të para dëmi kap vlerën e rreth 800 eurove, ndërsa për vlerësimin e tij është ngritur një komision i veçantë.

“Sot është ditë feste për qytetarët e Maqedonisë, dhe ndoshta do të duhej të marrim një mesazh me këtë”, thotë Gazmend Hoxhaj, drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir.

Ndërkaq, lajmin për Portalb e konfirmoi edhe zëdhënësi i SPB të Manastirit Borçe Pesheski, i cili tha se pas marrjes së lajmit ekipi i policisë të këtij sekretariati ka dalë në vendngjarje dhe ka konstatuar thyerjen e xhamave të Shtëpisë së Alfabetit shqip në Manastir. Ai tha se policia po ndërmarr të gjitha masat që kryesit e panjohur të kësaj vepre të zbulohen dhe ngjarja të zbardhet në tërësi.

Ministria e Kulturës e dënoi aktin vandal të dëmtimit të Muzeut të Alfabetit shqiptar.

Ministria e Kulturës e dënoi dëmtimin e Muzeut të Alfabetit shqiptar në Manastir dhe pret që kryerësit shpejtë të zbulohen.

“Ministria e Kulturës ashpër e dënon aktin vandal, me të cilin kryerës të panjohur kanë dëmtuar një pjesë të Muzeut të Alfabetit shqiptar në Manastir, ku është vendosur historia kulturore e popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Jemi të bindur se kryerësit së shpejti do të zbulohen dhe të dërgohen para drejtësisë”, qëndron në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Sulmi ka ndodhur në mëngjesin e sotëm rreth orës katër të mëngjesit. Shtëpia ka pësuar dëme të mëdha materiale.

Muzeu i Alfabetit shqiptar në Manastir është vendosur në objektin ku në vitin 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit, ku intelektualët shqiptarë e kanë krijuar dhe unifikuar alfabetin e sotëm shqiptar

Qeveria e dënon aktin vandal të dëmtimit të Muzeut të Alfabetit shqiptar në Manastir.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë ashpër e dënon aktin vandal dhe dëmtimin e Muzeut të Alfabetit shqiptar në Manastir.

“Qeveria me këtë rast e informon opinionin se institucionet e sistemit do t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për ndriçimin e rastit, gjetjen e kryerësve dhe dërgimin e tyre para drejtësisë”, tha zëdhënësi qeveritar, Muhamed Hoxha.

Njëkohësisht, shtoi ai, Qeveria i ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme për reparimin në afatin sa më të shkurtë të dëmeve të shkaktuara në objekt, i cili është me rëndësi të madhe historike

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *