Home / Lajme / Maqedoni / Historia po punon për shqiptarët

Historia po punon për shqiptarët

4 maj-Majko ka thënë se atë që e ka fituar Kosova në këtë proces në Bruksel është e pakthyeshme, kurse atë që e ka fituar minoriteti serb është e përkohshme. Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka deklaruar se ka kohë që ora e historisë po funksionon për shqiptarët. “E ardhmja do të jetë mjaft interesante për shqiptarët. E rëndësishme është të jemi racionalë, gjakftohtë dhe në çastin e duhur t’i marrim vendimet që do të na i kërkojë koha”, është shprehur Majko

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk i ka dhënë autonomi minoritetit serb në veri. Ai ka thënë se është e tepërt të mendohet se me këtë marrëveshje po krijohen themelet e ndonjë ‘Republika Srspska’.

Majko ka thënë se atë që e ka fituar Kosova në këtë proces në Bruksel është e pakthyeshme, kurse atë që e ka fituar minoriteti serb është e përkohshme. Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka deklaruar se ka kohë që ora e historisë po funksionon për shqiptarët. “E ardhmja do të jetë mjaft interesante për shqiptarët. E rëndësishme është të jemi racionalë, gjakftohtë dhe në çastin e duhur t’i marrim vendimet që do të na i kërkojë koha”, është shprehur Majko

Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko mendon se ka kohë që ora e historisë po funksionon për shqiptarët e jo për të tjerët. Në këtë lojë shahu, siç e ka cilësuar procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Majko ka deklaruar se shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre të marrëdhënieve me serbët do të luajnë me figurat e bardha.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka mohuar se me marrëveshjen e arritur në Bruksel të jenë vendosur themelet e një ‘Republika Srspska’ në Kosovë. “Mendoj se historia, sidomos në Ballkan, ka vërtetuar se është edhe matematikë. Mendoj se minoriteti serb në Kosovë nga pikëpamja matematikore nuk është i aftë të prodhojë një fenomen politik që mund të barazvlerësohet me Republikën Srspska në Bosnje e Hercegovinë. Në gjithë Kosovën ka rreth 100 mijë serbë, ndërsa në veriun e Kosovës ka rreth 35 mijë banorë të kombësisë serbe”, ka thënë ai. Në këtë kontekst, ai ka shtuar se është e tepërt të mendohet se ky minoritet me këtë numër mund të krijojë probleme që mund ta bllokonin vendimmarrjen kombëtare për shtetin e Kosovës.

Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka thënë se ajo që ka fituar Kosova në këtë proces është e pakthyeshme, kurse atë që ka fituar minoriteti serb në shtetin e Kosovës është vetëm një garanci e përkohshme. Ai ka nënvizuar se pikat e “tharta” të kësaj marrëveshje nuk janë të gabuara. “Sigurisht se në këtë marrëdhënie nuk është pala serbe viktimë. Është krejtësisht e kundërta. Megjithatë, mendoj se reflektimi i palës shqiptare në këtë kompromis ka nxjerrë atë më shumë fituese sesa për të diskutuar faktin e disa pikave të cilat sigurisht se konsiderohen të ‘tharta’, por jo edhe të gabuar”, ka thënë Majko. Sa i përket kërkesës së tij, për shtetësi të Kosovës, ai ka thënë se në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri dëshiron të kandidojë edhe si shtetas i Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Majko, reagimi juaj i parë lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë se “shahu” që po luhet është mjaft interesant. Mund të na sqaroni se çfarë keni dashur të thoni me këtë?
Majko: Kur e kam thënë shprehjen se kjo është një lojë interesante shahu dhe një lojë që do të vazhdojë, kam pasur parasysh faktin se nuk mendoj se ne mund të themi se në marrëveshjen e firmosur nga shteti i Kosovës dhe ai i Serbisë është një marrëveshje shteruese. Thjesht, është një fillim i cili ka vënë në pozitë shumë të vështirë seriozitetin e shtetit serb përballë detyrimeve që ka marrë në kontekstin evropian. Pra, për t’i zbatuar detyrimet karshi fqinjit të vet, përkatësisht shtetit të Kosovës. Sigurisht është lehtë të flasësh me fjalë të përgjithshme, por mendoj se fjala shah i përkufizon shumë nga veprimet të cilat mendoj se do t`i shikojmë në vazhdim. Ajo që dua të nënvizoj është se në këtë shah kaq interesant, shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre të marrëdhënieve shqiptaro-serbe do të luajnë me të bardhat.

“Epoka e re”: A ka humbës dhe fitues në këtë marrëveshje?
Majko: Kosova ka bërë një kompromis. Ajo që ka fituar Kosova unë e konsideroj të pakthyeshme, kurse atë që ka fituar minoriteti serb në shtetin e Kosovës unë e konsideroj si një garanci të përkohshme për t`i siguruar krijimin e standardeve dhe garanci të cilat janë të lidhura me një traumë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe që datojnë prej më shumë se një shekulli. Sigurisht se në këtë marrëdhënie nuk është pala serbe viktimë. Është krejtësisht e kundërta. Megjithatë, mendoj se reflektimi i palës shqiptare në këtë kompromis ka nxjerrë atë më shumë fituese sesa për të diskutuar faktin e disa pikave të cilat sigurisht se konsiderohen të “tharta”, por jo edhe të gabuara. Mendoj se çdo kohë kërkon vendimet e veta dhe aktualisht firmosja e kësaj marrëveshje është një vendimmarrje mjaft e dobishme për të ardhmen e Kosovës. Ky ka qenë opinioni që kam shprehur sot edhe në takim me studentët në Universitetin e Prishtinës.

“Epoka e re”: Meqë po deklaroni se ky është vetëm fillimi, si e parashihni fundin e këtij procesi?
Majko: Është e kotë ta diskutojmë përmbylljen. Ky do të jetë një proces i gjatë, sepse nuk besoj se ne presim që fqinjët e shqiptarëve t`i zëvendësojmë me fqinjët e tjerë. Mendoj se çështja e fqinjësisë së shqiptarëve është një marrëdhënie goxha e komplikuar, jo vetëm me Serbinë dhe serbët. Kjo do të jetë një histori e gjatë, po aq edhe një shkollë e gjatë diplomatike shtetërore për elitën e re politike për Prishtinën zyrtare, por edhe më gjerë. Në këtë kontekst, mendoj se këta hapa do të konsolidojnë një marrëdhënie ndërkombëtare të klasës politike të Prishtinës zyrtare. Kur e them këtë shmang çdo lloj komplimenti. Mendoj se bëhet fjalë për njohjen e drejtimit politik të Kosovës si një interlokator i barabartë në tavolinat më të rëndësishme evropiane dhe më gjerë,dhe që në thelb e ka vënë strategjinë serbe në një pozitë mjaft të vështirë. Edhe sot në Universitetin e Prishtinës u thash shkurt edhe qartë studentëve se është ironike që procesi i integrimit të Serbisë në BE kalon nga Prishtina zyrtare dhe nga marrëdhëniet me shtetin e Kosovës.

“Epoka e re”: Në anën tjetër, kemi një opinion të disa intelektualëve dhe të një pjese të opozitës të cilët vlerësojnë se me këtë marrëveshje janë vendosur themelet e një ‘Republika Srspska’ në Kosovë?
Majko: Këtu do ta nënvizoja një fakt, pa dashur të bëhet pjesë e debatit. Mendoj se historia, sidomos në Ballkan, ka vërtetuar se është edhe matematikë. Mendoj se minoriteti serb në Kosovë nga pikëpamja matematikore nuk është i aftë të prodhojë një fenomen politik që mund të barasvlerësohet me Republikën Srspska në Bosnje e Hercegovinë. Në gjithë Kosovën ka rreth 100 mijë serbë dhe në veriun e Kosovës ka rreth 35 mijë banorë të kombësisë serbe. Mendoj se në të ardhmen ky do të jetë një minoritet i respektuar nga shteti i Kosovës dhe mendoj se do të ishte e tepërt të mendojmë se ky minoritet me ketë numër matematikor të krijonte probleme të natyrave të tilla siç mund të jetë bllokimi i vendimmarrjes kombëtare për shtetin e Kosovës apo problematika të tilla që vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit siç është rasti në Bosnje e Hercegovinë.

“Epoka e re”: Fokusi kryesor tani është te çështja e zbatimit në praktikë të kësaj marrëveshje. Sa besoni se do të zbatohet kjo marrëveshje, kur kihet parasysh tradita e zhagitjes së proceseve nga ana e politikës serbe?
Majko: Nuk besoj se ia vlen të shqetësohemi shumë për faktin se sa serioz do të jenë qeveritarët e Beogradit. Në fund fare kjo është një marrëveshje e cila, pavarësisht se ka firmën e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është një marrëveshje e cila është firmosur nën protektoratin e BE-së. Në këtë kontekst mendoj se detyrimet e Serbisë do të fillojnë e mbarojnë sidomos me Brukselin dhe ky do të jetë një presion goxha i madh i cili në thelb nuk duhet të na shqetësojë se sa mirë do t`i bëjnë detyrat politikanët e Serbisë. Ajo që i takon Kosovës është ta garantoj zbatimin e legjislacionit të saj dhe Kushtetutës se saj në të gjithë territorin e Kosovës. Për mua është e rëndësishme ta ripërsëris faktin se garancitë dhe atë që fitoj shteti i Kosovës me këtë marrëveshje janë të një natyre të pakthyeshme. Po e ripërsëris, janë të pakthyeshme. Kurse garancitë që pala serbe mori në këtë kontratë evropiane janë të përkohshme dhe që do të ekzistojnë për një periudhë transitore në suazën e dhënies së garancive të plota, edhe psikologjike për minoritetin serb që ekziston në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Majko, cili ka qenë roli i shtetit shqiptar karshi Kosovës prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës? Sa mendoni se e ka luajtur Shqipëria rolin që i ka takuar?
Majko: Ne ndonjëherë nuk kemi pse ia vëmë Tiranës zyrtare një rol e cila me mënyrën se si ne e shtrojmë pyetjen e kthen Kosovën në statusin e një krahine. Sot Kosova është shtet, Prishtina zyrtare është kryeqytet, ndërsa përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare në disa raste kanë më shumë akces ndërkombëtar sesa përfaqësuesit e Tiranës zyrtare. Do të thotë se kanë ndodhur dhe ndodhin një varg cilësish dhe procesesh të cilat po i kthejnë Kosovën dhe Prishtinën zyrtare në një cilësi të re në rajon. Deri dje ne flisnim për cilësi apo për influencë që provohej nga Tirana zyrtare në drejtim të qendrave më të rëndësishme shqiptare në rajon, sot mund të flasim për një pol tjetër të rëndësishëm dhe të pashmangshëm e cila është Prishtina zyrtare.
Prishtina zyrtare aktualisht është duke përfituar disa cilësi të cilat në fund të fundit edhe marrëdhënia evropiane që po ndërton me Brukselin për marrëveshjen me Serbinë po e konfigurojnë si faktor të rëndësishëm në rajon. E kuptoj se pyetjet janë: Çdo të ndodhë? Si do të jetë influenca e Tiranës? A keni garanci se marrëveshja me Serbinë do të funksionojë? Ka shumë pyetje dhe unë nuk dua të them që nëpërmjet kësaj interviste do ta ofroj gjithë shpjegimin e plotë të kësaj. Jam ashtu, si të gjithë lexuesit e gazetës suaj, si një njeri që po e ndjek situatën në vazhdim. Më pyetet në fillim se pse e kam konsideruar këtë marrëveshje me shahun, atëherë le të qëndrojmë te shahu. Kjo është një lojë që ka filluar një shekull më parë dhe nuk besoj se ka përfunduar shah-mat për faktorin shqiptar. Ka kohë që ora e historisë po funksionin për shqiptarët dhe jo për të tjerët.

“Epoka e re”: Gjatë takimit me kryeministrin Thaçi keni shtruar kërkesën për ta marrë shtetësinë e Kosovës. E keni bërë këtë sa për të treguar se ka edhe shqiptarë që duan shtetësinë e Kosovës dhe jo vetëm anasjelltas apo ka diçka më shumë?
Majko: Këtë e bëra për një arsyeje që fillon nga vetja ime. Kur kaloj kufirin shtetëror midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk e konsideroj atë si një kufij ndarës. Në këtë anë të kufirit e kam atë që unë e konsideroj popullin tim. Thjesht pohova atë që ekziston brenda meje, kërkesën për ta marr shtetësinë e Kosovës.

“Epoka e re”: Para studentëve ju keni ligjëruar për nacionalizmin, ndërsa shoqëria shqiptare këtu dhe atje është përfshirë në një debat rreth bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Këtë e ka ndihmuar edhe deklarata e fundit e kryeministrit shqiptar. Cili është mendimi juaj për këtë debat?
Majko: Sot para studentëve ligjërova për një temë e cila mendoj se duhet ta bëjë politikën që t`i shmangen asaj, që është çështja e identitetit kombëtar dhe çështja e marrëdhënies së politikës me nacionalizmin, specifikisht me atë që e konsideroj cilësinë më të veçantë të nacionalizmit që është patriotizmi. Mendoj se procesi i integrimit evropian dhe nacionalizmit shqiptar nuk janë dy rrugë të ndara, përkundrazi janë dy shina të cilët mund të funksionojnë pa asnjë lloj kontradikte në të gjithë terrenin shqiptar. Nëse do ta shmangim nacionalizmin nga mënyra e të diskutuarit për të ardhmen e faktorit shqiptar në rajon, mendoj se do të ishim duke bërë një gabim të madh dhe thuajse naiv. Në këtë kontekst mendoj se ne duhet t`i shikojmë me vëmendjen e duhur të gjitha ato çfarë diskutohen hapur dhe jo publikisht në terrenin shqiptar. Sot erdha në Prishtinë për të pohuar disa nga ato që unë i konsideroj opinionet e mia për të ardhmen e popullit tim, i cili është një popull që nuk fillon e mbaron në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, por është një popull që është shpërndarë në disa shtete. Ka kohë që ne po funksionojmë mbi një opinion publik i cili nuk po i konsideron kufijtë shtetërorë. E ardhmja do të jetë mjaft interesante për shqiptarët. E rëndësishme është të jemi racionalë, gjakftohtë dhe në momentin e duhur t’i marrim vendimet që do të na i kërkojë koha.

“Epoka e re”: Muajin e ardhshëm në Shqipëri pritet të mbahen zgjedhjet nacionale. Çfarë do të fitonte Kosova nëse për katër vjetët e ardhshëm Shqipëria do të qeveriset nga e majta?
Majko: Në përgjithësi ne të majtët kemi ardhur me një ngarkesë të madhe dyshimi nga publiku në Kosovë dhe me gjerë. Për çudinë e këtij publiku përgjithësisht nga e majta janë prodhuar vendime shumë të rëndësishme të cilat kanë dhënë cilësitë e veta në historinë e re të shqiptarëve. Edhe për këtë arsye dua që në zgjedhjet e ardhshme të konkurroj, pra në zgjedhjet elektorale të Shqipërisë si shtetas i shtetit të Kosovës. Për ta ripohuar faktin që dy vendet tona dhe kombi që funksionon brenda tyre si i pandashëm kanë një fat të përbashkët. (Muhamet Koci/Epoka e Re)

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *