Home / Sport / Mançester Siti shkarkon Roberto Mançinin

Mançester Siti shkarkon Roberto Mançinin

Karriera e Roberto Mançinit si trajner i Mançester Sitit është mbyllur në mënyrë aspak të këndshme pasi në natën e të hënës, klubi anglez shkarkoi nga detyra trajnerin italian, fiks një vit pasi ai kishte siguruar titullin kampion në Angli.

Mançinit, i cili pritet të përfitojë të paktën 7 milion paund si dëmshpërblim për shkarkimin e parakohshëm, iu tha se duhej të fillonte të kërkonte një sistemim tjetër vetëm pak orë pasi kishte përfunduar stërvitjen e fundit me skuadrën për ndeshjen e sotme kundër Riding. Për momentin, drejtimin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit të sezonit e ka marrë Brajan Kid, asistenti i tij, ndërsa dihet tashmë botërisht se klubi anglez është në pritje të Manuel Pelegrinit.
Edhe deklarata e klubit nuk ka qenë një mesazh i lehtë në adresë të trajnerit italian, drejtimi i të cilit në këtë sezon është cilësuar si një dështim i mirëfilltë.
“Pavarësisht përpjekjeve më të mira të çdokujt, klubi ka dështuar të arrijë objektivat e vendosura në këtë sezon, me përjashtim të kualifikimit në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm”.
“Kjo, e kombinuar me nevojën për një menaxhim të gjithanshëm ndryshe në klub, do të thotë se është marr vendimi për të kërkuar një trajner të ri. Ky ka qenë një vendim i vështirë për pronarin, drejtuesit dhe bordin, por është pasoja e një procesi të bilancit të fundit të sezonit”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi anglez.
Çuditërisht, shefi ekzekutiv i klubit, Khaldon Al Mubarak, nuk ka ngurruar të lavdërojë Mançinin, edhe pse ka qenë ai që ka firmosur letrën e shkarkimit të tij.
“Bilanci i Roberto flet qartësisht vetë dhe ai gëzon respektin të gjithëve, duke filluar nga Sheiku Mansur dhe unë, për të gjithë punën e palodhshme dhe përkushtimin gjatë 3 viteve e gjysmë. Ai padyshim që ka siguruar dashurinë dhe respektin e tifozëve tanë. Bëri atë që premtoi, duke sjellë sukses dhe trofe, duke thyer heshtjen 35 vjeçare të klubit që nuk fitonte trofe dhe duke na dhënë titullin ë vitin 2012”, ishin fjalët e numrit 2 të klubit anglez.
Tani pritet të mësohet e ardhmja e trajnerit italian, për të cilin flitet se ka interesim nga skuadrat italiane të Napolit dhe Romës, ashtu si edhe nga Monako në Francë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *