Home / Sport / Niko Rosberg triumfon në Monako

Niko Rosberg triumfon në Monako

Pas krahëve të Rosberg përfundoi dyshja e Red Bull, Vetel-Ueber, të cilët me hyrjen e parë të makinës së sigurisë përfituan nga një hyrje e shpejtë për ndryshimin e gomave për t’i rrëmbyer vendin Luis Hemilton.

Niko Rosberg ka respektuar traditën familjare dhe 30 vite pas suksesit të babait të tij, Keke Rosberg, ka arritur të marrë vendin e parë në Çmimin e Madh të Monako në rrugët e Montekarlos në Formula 1. Piloti gjerman i Mercedes ka dominuar dhe ka arritur të ruajë me qetësi vendin e parë nga nisja deri në fundin e garës, gjatë të cilës kishte dy hyrje të makinës së sigurisë për aksidente dhe për më tepër gara u ndërpre plotësisht me flamur të kuq për 20 minuta pasi një pjesë e barrierës mbrojtëse përfundoi në pistë si rrjedhojë e një aksidenti.
Pas krahëve të Rosberg përfundoi dyshja e Red Bull, Vetel-Ueber, të cilët me hyrjen e parë të makinës së sigurisë përfituan nga një hyrje e shpejtë për ndryshimin e gomave për t’i rrëmbyer vendin Luis Hemilton. Ky i fundit, gjatë të gjithë garës tentoi të rifitonte pozicionin e tij duke qenë vazhdimisht në sulm, por e kishte ta pamundur të bënte parakalimin që do ta ngjiste në podium.
Pas katër vendeve të para shpërtheu një luftë e ndezur ku në fund vendin e pestë e fitoi Adrian Sutil me Force India, pasi piloti gjerman realizoi dy parakalime spektakolare e të guximshme ndaj Xhenson Baton e Fernando Alonso, duke marrë një pozicion të cilin as që e kishte menduar në këtë fundjavë. Baton me MekLaren siguroi vendin e 6-të, ndërsa Alonso të 7-tin, në jë fundjavë aspak pozitive për Ferrarin, pasi Felipe Masa u përplas edhe në garë duke mbyllur në mënyrën më të keqe pjesëmarrjen e këtij viti në Monako.
Vendi i 8-të i shkoi Zhan Erik Vernje me Toro Roso, i cili kaloi Pol Di Resta me makinën tjetër Force India dhe Kimi Raikonen me Lotus. Ky i fundit përfundoi në këtë pozicion pas një përplasje me Serxho Perez, meksikanin e MekLaren, i cili gjatë dhe pas garës u përfshi në polemika si me Xhenson Baton, ashtu edhe me Fernando Alonson. Të dy pilotët e kritikuan se parakalimet ndaj tyre në të njëjtën pikë, kishin qenë më agresive sesa duhej dhe mund të kishin rrezikuar përplasjen, ashtu siç ndodhi më vonë me Kimi Raikonen, duke i kushtuar disa pozicione finlandezit.

Klasifikimi i Botërorit për pilotë:
107 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
86 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
78 Fernando Alonso (Ferrari)
62 Luis Hemilton (Mercedes)
57 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
47 Niko Rosberg (Mercedes)
45 Felipe Masa (Ferrari)
28 Pol Di Resta (Force India-Mercedes)
26 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
25 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *