Home / Sport / Nuk ka mrekulli për Realin, Borusia në finale

Nuk ka mrekulli për Realin, Borusia në finale

Real Madrid ka fituar 2-0 përballë Borusia Dortmund, por kjo nuk ka mjaftuar për t’i siguruar skuadrës spanjolle në vend në finalen e madhe të “Uemblit” ku do të shkoj ekipi gjerman. Në një ndeshje emocionuese nga minuta e parë në të fundit, “Santiago Bernabeu” është kthyer në arenën e një spektakli të jashtëzakonshëm të dhuruar nga të dy skuadrat.

Reali e fillon ndeshjen mjaft vrullshëm, me dëshirën për të shënuar sa më shpejt, por ndoshta pikërisht ky nxitim bën që Higuain, Ronaldo e Ozil të humbin raste që normalisht nuk do t’i kishin shpërdoruar. Nga ana tjetër, Levandovski vazhdon të krijojë panik në mbrojtjen spanjolle dhe vetëm një ndërhyrje e Diego Lopez i mohon gëzimin e një tjetër goli ndaj madrilenëve, pas atyre 4 të shënuar në sfidën e parë. Borusia duhet të bëjë hesapet pas një prej yjeve të saj, pasi Gëtze duron pak minuta në fushë, për t’u larguar iu dëmtuar. Por ndeshja nuk humbet bukurinë, me të dy skuadrat që luajnë hapur dhe krijojnë raste të njëpasnjëshme, por pa gjetur rrugën e rrjetës.
Mbyllja e pjesës së parë në barazim pa gola ndihmon Borusian që futet më e qetë në 45 minuta e dyta dhe duke përfituar nga çekuilibrimi ofensiv i Realit, gjen hapësira për të rrezikuar në kundërsulm. Levandovski ka mundësinë të kalojë në avantazh skuadrën e tij në minutën e 52-të, por topi ndalet në traversën e portës së Diego Lopez. Më pas është vetë portieri që shpëton skuadrën e tij nga goli i KO, me një ndërhyrje instiktive duke bllokuar gjuajtjen e Gundogan.
Duket sikur ndeshja po i shkon fundit dhe Reali nuk ka forcën për të shënuar, as pasi Murinjo hodhi në fushë Benzema, Kaka e Khedira në vend të Higuain, Koentrao e Ksabi Alonso. Por në minutën e 82-të vjen edhe sinjali i parë, me Benzema që dërgon topin në rrjetë pas një pasimi perfekt të Ozil. Reali beson te mrekullia dhe i mbështetur nga tifozeria e zjarrtë e “Santiago Bernabeut” hidhet në sulm duke krijuar rast pas rasti. Kur shënohet minuta e 88-të e ndeshjes vjen edhe goli i dytë, ku këtë radhë është Ramos që gjen rrugën e rrjetës.
Realit i duhet edhe një gol për të përmbushur përmbysjen e madhe, por këtë radhë mrekullia nuk ndodh dhe pas 6 minutave emocionuese shtesë, vërshëllima përfundimtare e Hauard Ueb dekreton emrin e Borusia Dortmund si finaliste të merituar të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *