Home / Lajme / Maqedoni / Rruga Tetovë-Prizren pret fizibilitetin

Rruga Tetovë-Prizren pret fizibilitetin

14 maj-Jozyrtarisht mësohet se shumë shpejt zyrtarë të qeverisë së Maqedonisë do të dalin në teren për të parë se deri ku kanë arritur punët rreth studimit të fizibilitetit, kurse më pas të gjenden forma për realizimin e këtij projekti të madh i cili për nga rëndësia për shqiptarët do të jetë i dyti pas ndërtimit të Rrugës së Kombit

Ndërtimi i rrugës magjistrale Tetovë-Prizren vazhdon të mbetet në fazën ideore, pasi ende nuk ka përfunduar projekti studimor nga ana e Agjencisë së rrugëve të Maqedonisë. Pas përfundimit të studimit, do të dilet me të dhëna konkrete se sa kushton ky projekt vital për Maqedoninë Perëndimore, i cili është edhe kërkesë e kamotshme e banorëve të fshatrave të Malësisë së Sharrit. “Projekti studimor ende nuk është përfunduar. Pasi i njejti të përfundojë, atëherë do të shohim se si do të veprojmë për të gjetur mënyra që i njejti të fillojë dhe të realizohet në praktikë. Presim se si do të jenë rezultatet nga ky studim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë Perëndimore sepse lidhja me Kosovën do të përforcohej dhe do të kishte një impuls të madh për zhvillimin ekonomik”, thotë Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë. Ndërtimi i kësaj rruge është prioritet edhe për kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi. Pas një takimi me asociacionin e kryetarëve të komunave të Kosovës, ajo ka nënvizuar se kjo komunë me të gjitha forcat do të lobojë që projekti të përfundojë. “Ajo që mund të them është se ky projekt në anën tonë është në fazën e studimit të fizibilitetit. Normal që parashikimet janë që çmimet e këtij projekti janë tejet serioze. Si do që të jetë, për ne është një prioritet i madh si Komunë e Tetovës dhe gjithçka që mundemi si komunë në lobimin për përfundimin me sukses të projektit, në lobimin për tërheqjen e mjeteve, po edhe ndërkombëtare për realizimin e këtij projekti, gjithsesi se do të angazhohemi maksimalisht”, thotë Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës Naim Ismaili tha se do të angazhohet për bashkëpunim në sfera të ndryshme mes komunave nga Maqedonia dhe Kosova, në interes të qytetarëve. “Të gjithë tash duhet të shohim nga Evropa e bashkuar, dhe do të përpiqemi që bashkërisht të mobilizojmë të gjitha shanset dhe mundësitë që i kemi si komuna në këtë rajon, përgjatë kufirit, që të shfrytëzojmë mundësitë që atyre qytetarëve në këtë brez kufitar të ofrojmë mundësinë e zhvillimit më të mirë”, u shpreh Naim Ismaili, kryetar i Asociacionit të komunave të Kosovës. Rruga Tetovë-Prizren sipas informatave të deritanishme duhet që të kalojë përmes fshatrave Brodec,Veshallë, Bozovcë dhe Vicë nga pjesa e Maqedonisë dhe të lidhet me fshatin Manastirec të komunës së Prizrenit. Jozyrtarisht mësohet se shumë shpejt zyrtarë të qeverisë së Maqedonisë do të dalin në teren për të parë se deri ku kanë arritur punët rreth studimit të fizibilitetit, kurse më pas të gjenden forma për realizimin e këtij projekti të madh i cili për nga rëndësia për shqiptarët do të jetë i dyti pas ndërtimit të Rrugës së Kombit. Nga ana tjetër ata që do të përfitonin nga kjo rrugë janë banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit. Ata janë shprehur se me ndërtimin e kësaj rruge do të ndikohej dukshëm në përmirësimin e klimës ekonomike për këta fshatra ngase në qytetin e Prizrenit do të arrihej vetëm për 40 minuta. Sipas tyre me këtë do të vendoseshin lidhjet e shkëputura tregtare me këtë qytet që në të kaluarën kanë qenë shumë të zhvilluara. “Banorët e fshtrave të malësisë së Tetovës në të kaluarën kanë bërë tregtinë me Prizrenin. Kjo ka bërë që të ketë edhe shumë lidhje familjare mes banorëve të fshtarve të brezit kufitar. Me një fjalë tregti kanë bërë tërë banorët e Tetovës, por tek banorët e Malësisë së Sharrit ka qenë më e theksuar.Tregtia është bërë me kuaj dhe nuk ka mundur ti ndalojë asnjë regjim. Por lidhjet janë shkëputur me ndërtimin e rrugëve dhe me shkatërrimin e bujqësisë në këtë anë. Por, ndërtimi i kësaj rruge sigurisht se do të ndikonte shumë në zhvillimin e ekonomisë”, tha Neshat Memedi, banor nga fshati Bozovcë. Sipas informatave të deritanishme që ka publikuar Agjencioni për rrugë Maqedonisë, bëhet e ditur se nëse do të ndërtohej kjo magjistrale atëherë do të shkurtojë rreth 50 për qind rrugën aktuale. Aksi i deritanishëm për të njëjtin relacion është rreth 90 kilometra, prej të cilave 30 kilometra në territorin e Maqedonisë. Studimi duhet të tregojë të gjitha detajet, përfshirë edhe numrin e automjeteve që do të qarkullojnë dhe të tregohet leverdia e rrugës. Në bazë të përllogaritjeve që janë bërë më herët vlerësohet se ky projekt kushton rreth 40 milionë euro, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy tuneleve.

Rruga Tetovë-Prizren sipas informatave të deritanishme duhet që të kalojë përmes fshatrave Brodec,Veshallë, Bozovcë dhe Vicë nga pjesa e Maqedonisë dhe të lidhet me fshatin Manastirec të komunës së Prizrenit

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *