Home / Lajme / Maqedoni / Shënohet dita e Evropës në Tetovë

Shënohet dita e Evropës në Tetovë

Unioni Evropian edhe më tej mbetet një ëndërr e parealizuar për shumë shtete, kurse Maqedonia është vend kandidat disa vite dhe ajo mundohet shumë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, tha ambasadori slloven, Branko Rakovec

Në sheshin Iliria në Tetovë të premten është shënuar Dita e Evropës, organizuar nga ana e Komunës së Tetovës. Ky eveniment, edhe pse ishe paraparë që të mbahet të enjten, megjithatë për shkak të motit me shi u anulua për ditën e premte. Në këtë eveniment ka marrë pjesë edhe ambasadori i Sllovenisë në Maqedoni, Branko Rakovec. Pas performansës së orkestrës së Universitetit Shtetëror të Tetovës, fjalim para të pranishmëve kanë mbajtur kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ambasadori i Sllovenisë në Republikën e Maqedonisë. Arifi theksoi se ardhmëria e përbashkët është në Evropën e Bashkuar. “Dëshiroj që ditën e sotme ta quaj dita e Evropës dhe në të njëjtën kohë të them që Sheshi i qytetit të Tetovës, do jetë qendër e shumë manifestimeve të kësaj natyre, manifestime që të gjithave do na kujtojnë jo vetëm ditët, por edhe ardhmërinë tonë të përbashkët evropiane. Dita e 9 Majit është dita kur shtetet evropiane, Gjermania dhe Franca, erdhën në përfundim për t’i bashkuar forcat e tyre dhe për t’u dhënë fund konflikteve historike për një ardhmëri të përbashkët. Prandaj, të dashur nxënës dua të them që kjo ardhmëri evropiane është edhe ardhmëri e vendit tonë”, tha Arifi. Ambasadori i Sllovenisë në Republikën e Maqedonisë, Branko Rakovec, tha Sllovenia mbështet rrugën euro-atlantike të Maqedonisë. “Sot bota dhe Bashkimi Evropian përballen me krizën financiare. Sfida më e madhe është që të gjendet zgjidhje për të dalë nga kjo krizë. Situata nuk është e thjeshtë, por padyshim se ekziston edhe rrugëdalje. Jam i bindur se me forca të përbashkëta do të gjejmë zgjidhje. Unioni Evropian edhe më tej mbetet një ëndërr e parealizuar për shumë shtete, kurse Maqedonia është vend kandidat disa vite dhe ajo mundohet shumë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Jam i bindur se duhet të bëhet një hap përpara në këtë rrugë. Sllovenia e mbështet Maqedoninë si shtet mike dhe dëshiron që sa më shpejt të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, kurse Unioni Evropian mbetet i përkushtuar në idenë e zgjerimit”, tha Rakovec. Ndërkaq, programi më pas ka vijuar edhe me disa aktivitete, si prezantimi i pikturave me motive të BE të vizatuara nga studentët e Artit Figurativ të USHT-së, tabela e ping pongut për qytetarët e Tetovës, krosi nga nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, parakalimi me biçikleta, janë mbjellë lule të katërta dhe të verdha në sheshin Iliria, ndërsa më pas ka vijuar edhe Festivali i Jazz-it.

Gjithashtu lexo

Tym, zjarr e mbeturina në komunat shqiptare, politikanët bëhen gati për fushatë,rinia pa shpresa

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë filluar përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve lokale të cilat pritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *