Home / Sport / Shkëndija ndal Horizontin, Vardari lider

Shkëndija ndal Horizontin, Vardari lider

Kampioni aktual i Maqedonisë, Vardari, është rrikthyer në pozitën e parë në renditjen tabelare pas fitores 3:1 përballë Renovës, duke shfrytëzuar barazimin paraprak 1:1 të Horizont Turnovës me Shkëndijën. Ky është epilogu i dy ndeshjeve të para të xhiros së 29-të në Ligën e Parë të futbollit në vend, të cilat u zhvilluan të shtunën dhe sollën ndryshim në kreun e renditjes.

Shkëndija e Tetovës po tregohet ekip i paprështatshëm për skuadrat që pretendojnë titullin, pasi hyn në formë të jashtëzakonshme në fund të sezonit. ‘Kuqezinjtë’ tetovarë pasi hodhën nga Kupa Vardarin dhe u kualifikuan në finale, ndalën në barazim 1:1 Metalurgun, ndërsa tani i shkëpusin dy pikë edhe Horizontit. Në një ndeshje interesante të zhvilluar në teren fantastik për lojë, por në mot të vështirë për shkak të vapës së madhe, Shkëndija që në pjesën e parë tregoi se në Turnovë ka shkuar për befasi. Muzafer Ejupi kishte kansojen e parë, por goditja e tij shkoi skaj portës, ndërsa pak më vonë nuk arrin të shënojë Cuculi, pas aksionit të bukur të tetovarëve. Tereni i mirë për lojë sikur u konvenonte ‘kuqezinjëve’ (kësaj here luajtën me fanella të bardha për shkak se me të kuqe luajti Horizonti), të cilët ‘shkelën’ topin në mesfushë dhe me pasime të sakta arrinin të kontrollojnë takimin, deri sa pas një depërtimi të bukur Rexhepi sjell assist të shkëlqyeshëm për Ejupin, mirëpo sulmuesi i Shkëdijës nuk arrin të qetësojë topin në kushte kur ishte ballë-ballë me portierin vendas. Në anën tjetër kansojen e vetme Horizonti e pati me anë të Bllazhevskit, mirëpo goditja e tij nga gjuajtja e lirë shkoi mbi portë. Në pjesën e dytë futboll më kualitativ, me Horizontin që u hodh në sulm në kërkim të epërsisë. Vendasit kishin disa kansoje seriozë, mirëpo portieri i Shkëndijës, Velii ishte në nivel, ndërsa në anën tjetër kapiteni Useini për pak sa nuk shënoi kur goditja e tij u ndal në shtyllë. Pasoi një tjetër intervenim i Veliit që kontrolloi goditjen e vendasve, mirëpo vetëm disa sekonda më vonë, në minutën e 71-të, Bllazhevski assiton për Baldovalievin, që arrin të dërgojë topin në rrjetë të Shkëndijës, për gëzim të madh në taborin vendas. Euforia që kaploi të gjithë të pranishmit në stadiumin ‘Kukush’ të Horizontit u qetësua vetëm 60-të sekonda më vonë, kur Taipi sjell assist të mirë në zonë, ndërsa Rexhepi me mjeshtëri shënon për barazim 1:1. Disa minuta më vonë Rexhepi sjell tjetër kanosje, mirëpo kësaj rradhe portieri Dimovski arrin të mbrojë. Minutat e fundit u zhvilluan në zonën e Shkëndijës, pasi Horizonti me çdo kusht kërkonte fitoren, mirëpo qëllimit nuk i’a arriti pas huqjeve të disa rasteve të mira, ndërsa në një situatë portieri Velii me refleks të çuditshëm shpëtoi portën e tij, duke qenë një prej më meritorët për pikën e Shkëndijës. Në ndeshjen tjetër Vardari pa problem mundi Renovën me rezultat 3:1, duke dalë në pozitën e parë në renditje. Jovan Kostovski që në fillim të ndeshjes shënoi dy gola (minuta e 4 dhe 10-të), duke i dhënë Vardarit epërsi 2:0, ndërsa katër minuta para pushimit Petrov relizoi për 3:0. Renova në pjesën e dytë zbuti rezultatin në minutën e 53-të me golin e Eminit, mirëpo deri në fund të nuk kishte fuqi për të sjellë përmbysje. Me këta rezultate bëhet interesante lufta për titullin e kampionit, me Shkëndijën e Tetovës si protagonist kryesore, pasi për vetëm katër ditë ‘kuqezinjtë’ u rrëmbyen nga dy pikë Metalurgut dhe Horizontit, deri sa të mërkurën në Tetovë e presin Vardarin.

Në ndeshjet e të dielës Drita e Bogovinës ka pësuar disfatë të pafat përballë Rabotnickit 0:2, me dy gola të pranuar në fund të pjesës së parë dhe të dytë. Metalurgu mundi 2:0 Napredokun, Bregallnica fitoi me të njëjtin rezultat Teteksin, ndërsa befasinë e javës e ka sjellë Sileksi që ka fituar 2:4 në transfertën me Pelisterin.

Shkëndija ka ardhmëri, Ilir Xhemaili titular!

Me shumë probleme që u përball këtë sezon, Shkëndija e Tetovës konfirmon se është ekip që ka ‘brum’ për një të ardhme të suksesshme. Ekipi që humbi shumë futbollistë si pasojë e problemeve finansiare, ka hyrë në formë dhe ndaj pretendentëve për titull konfirmon se posedon ekip për qëllime të larta. Kualifikimi në finale të Kupës përmes eliminimit të Vardarit, barazimi me Metalurgun dhe Horizontin (pretendentë për titullin), ndërsa paraprakisht seria prej disa ndeshjeve pa disfatë tregon se ekipi hyn në formë, pikërisht para ndeshjes më të rëndësishme të vitit, finales kundër Teteksit. Nëse kësaj i shtojmë faktin se ekipi luan pa Pllozhanin e parekuperuar mirë, Alii dhe Selmani ende nuk marin shans (pas largimit të përkohshëm nga klubi), atëherë del se Shkëndija tejkalon veten. Kundër Horizontit mungoi edhe Shabani i lënduar, mirëpo në pah doli kualiteti i të riut Ilir Xhemaili, që tregoi se posedon kualitet të madh dhe se është e ardhmja e kësaj skuadre.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *