Home / Lajme / Rajon / 28 Nëntori të bëhet festë zyrtare

28 Nëntori të bëhet festë zyrtare

20 qershor-“Në programin tonë politik ne e kemi edhe kthimin e simboleve tona kombëtare dhe në të njëjtën kohë do të bëhet edhe festimi i datave më të rëndësishme kombëtare. Në këtë kuptim datat më të rëndësishme për kombin tonë janë edhe 28 Nëntori i pavarësisë së Shqipërisë dhe 10 Qershori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, është shprehur Haxhiu.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe të opozitës, kanë kërkuar që 28 Nëntori, Dita e Flamurit, të futet si festë zyrtare në Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ata kanë vlerësuar se është e padrejtë që kjo datë të mos jetë festë zyrtare në Kosovë përderisa, sipas tyre, festohet nga të gjithë shqiptarët. Ndërkohë që, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, ka thënë se ky projektligj mundet të plotësohet gjatë procedurës parlamentare.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi, ka thënë për “Epokën e re” se zyrtarizimi i 28 Nëntorit mund të bëhet më pak vullnet politik. Madje ai ka shtuar se një gjë e tillë është dashur të bëhet edhe më herët.

“Mendoj se është dashur të futet edhe më herët kjo datë si festë zyrtare, pavarësisht ndjeshmërisë që mund ta ketë pasur. Ajo ndjeshmëri ka qenë e kapërcyeshme. Besoj se më pak vullnet politik nuk do ta kishim shqetësuar askënd. Kjo është një festë kombëtare e shqiptarëve kudo që janë. Pra, është e pakuptimtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare në Kosovë. Do të insistojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Selimi.

Edhe deputeti Arben Gashi nga LDK-ja ka thënë se ai mendon se kjo festë duhet të jetë zyrtare por, sipas tij, për këtë do të vendosin deputetët.

“Personalisht mendoj se 28 Nëntori duhet të futet si festë zyrtare, sepse është festë e të gjithë shqiptarëve, ndërsa teknikisht mbetet që komisioni funksional apo deputetët individualisht se si do ta procedojnë. Në këtë rast, komision funksional është me duket komisioni për administratë, e jo komisioni për legjislacion”, ka thënë Gashi.

Kritike ndaj Qeverisë për mosfutjen e kësaj feste në projektligjin e ri është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se kjo Qeveri ka hequr dorë moti nga të gjitha vlerat kombëtare prandaj, sipas saj, ekzekutivi ka hequr dorë edhe nga të gjitha festat kombëtare.

“Hashim Thaçi në mbledhje të Qeverisë u bë gjoja ishte i habitur se si në kuadër të festave zyrtare po mungonte festa e 28 Nëntorit, por në anën tjetër ai nuk propozoi që kjo datë e rëndësishme për kombin shqiptar të futet si festë zyrtare. Ai është kryeministër, e sikur ta kishte seriozisht, mund ta propozonte aty në mbledhje këtë gjë, sepse ne nuk kemi nevojë për hipokrizinë e tij”, ka thënë Haxhiu për “Epokën e re”.

Ajo ka shtuar se Vetëvendosje! në programin e saj politik ka edhe kthimin e simboleve kombëtare. “Në programin tonë politik ne e kemi edhe kthimin e simboleve tona kombëtare dhe në të njëjtën kohë do të bëhet edhe festimi i datave më të rëndësishme kombëtare. Në këtë kuptim datat më të rëndësishme për kombin tonë janë edhe 28 Nëntori i pavarësisë së Shqipërisë dhe 10 Qershori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, është shprehur Haxhiu.

Edhe për deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është e padrejtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare. “Kemi nevojë të kemi më shumë ditë pune e më pak ditë pushimi e festa, por sa i përket 28 Nëntorit mendoj se kjo është festë e cila duhet të zyrtarizohet”, ka thënë Kada-Bujupi.

Ajo ka shprehur keqardhje se si në ligjin aktual për festa zyrtare ka kaq shumë ditë festash. “Nëse e shihni se prej 365 ditëve sa shumë ditë janë ditë pushimi, me të vërtetë tregon se ne si popull kemi humbur disiplinën e punës dhe dashurinë ndaj shtetit. Përndryshe, në një shtetet të ri, që është shumë i brishtë, institucionet është dashur të punojnë dhe ta zgjasin orarin e punës”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, ka deklaruar se projektligji që ka kaluar në qeveri mund të përmirësohet dhe të bëhet më i mirë. “Kjo çështje do të diskutohet edhe në procedurë parlamentare sepse ky është vetëm një projektligj. Besoj se edhe gjatë procedurës parlamentare do të punohet që ky projektligj të jetë sa më i mirë”, ka thënë ministri Jagxhilar.

Në projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/l-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, Dita e Evropës më nuk do të jetë ditë pushimi siç është përcaktuar me ligjin aktual. Po ashtu, me këtë Projektligj parashihet që Qeveria e Republikës së Kosovës në rastet e veçanta, me vendim cakton ditët e pushimit për Administratën Shtetërore. /Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *