Home / Lajme / Maqedoni / Boshkovski nuk më mposhti, më tradhtuan shqiptarët

Boshkovski nuk më mposhti, më tradhtuan shqiptarët

26 Qershor – Me rënien e fshatit Vaksincë të Kumanovës, në luftën e vitit 2001, u shtua jashtë mase presioni i forcave policoro-ushtarake maqedonase, mbi pjesën tjetër të frontit në zonën e lirë të komunës së Likovës.

Sulmet e ashpra mbi fshatrat Sllupçan, Alizarë, Likovë, Hotël, Mateç, Nakushtak, Vishticë e Ropalcë, nuk kishin të ndalur. Vazhdonin sulmet edhe në fshatrat e malësisë së Karadakut. Armiku mundohej me çdo kusht t’na detyrojë të lëshojmë këtë zonë.
Strategët kryesorë të luftës, vlerësuam se mënyra më e mirë për të refuzuar këtë presion, ishte të futemi në fshatin Haraçinë, për të zgjatur linjën e frontit dhe për të shpërndarë sulmet e armikut në një linjë më të gjerë.
Përgjegjësinë për të realizuar këtë plan e morëm unë dhe komandant Teli, duke e organizuar Togun numër 5 të Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova”.
Ishim 68 ushtarë të këtij togu. U organizuam në afat rekord prej dy javësh dhe ndërtuam kierarkinë ushtarake. Aktivitetet zhvilloheshin nën kushte jashtëzakonisht të vështira.
Në fillim disa kishim armatim, e disa nuk kishim as armatim të lehtë.

Paralelisht me luftimet e ashpra që zhvillonim kundër forcave policore dhe ushtarake maqedonase, të ndihmuar edhe nga mercenarë të huaj, duheshte të kujdeseshim që maqedonasit të mos e djegin kishën në fshatin Haraçinë, sepse me këtë donin t’na akuzonin se kinse bëjmë luftë fetare, e jo kombëtare.
Ishim të detyruara të përdornim taktika të lloj-llojshme për të hutuar kundërshtarin, i cili mendonte se në Haraçinë luftojnë mbi 500 ushtarë të UÇK-së, e jo vetëm 68, sa ishim gjithsej. Bëhej luftë për të qenë apo për të mos qenë. Me shumë shokë dhe bashkëluftëtarë që kam biseduar, kanë vlerësuar se beteja në Haraçinë ishte një ndër betejat më të ashpra që ka zhvilluar jo vetëm UÇK e Maqedonisë, por edhe UÇK-ja në Kosovë.

Mirëpo, 12 vite pas kësaj lufte, janë harruar luftëtarët e vërtetë të betejës së Haraçinës. Disa janë vrarë, disa janë arrestuar, disa janë në arrati, e të tjerë shëtisin rrugëve të Evropës duke kërkuar azil.
Më vjen keq edhe për ata shqiptarë që po duartrokasin sot nëpër tubime partiake, duke harruar se kush zhvilloi në të vërtetë luftën. Po u duartrokasin atyre që sot thirren në emrin e UÇK-së, kurse në vitin 2001, luftën e kanë ndjekur në ekranet televizive.
Pa marrë parasysh të gjitha, jam krenar që pengova Boshkovskin të futet në Haraçinë, por, jam i dëshpëruar për tradhtinë që ma bënë disa shqiptarë, duke më detyruar që sot e kësaj dite, të endem bjeshkëve dhe maleve.
Kjo kolumnë e njërit prej komandantëve kryesorë të UÇK Kombëtare Xhezair Shaqiri-Hoxha, është shkruar me rastin e 12 vjetorit të betejës së UÇK-së në Haraçinë./ Lajm

Gjithashtu lexo

Mot me diell me erë të dobët deri në mesatare

Moti sot në Maqedoni do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë me erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *