Home / Sport / Ersen Asani e ardhmja e Renovës

Ersen Asani e ardhmja e Renovës

“Të them të drejtën jam i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të karrierës sime edhe pse gjithmonë mundet edhe më shumë. Renova më dha shansin të luajë në ekipin e parë dhe unë në cdo ndeshje jap maksimumin për të qenë më i mirë dhe për të arsyetuar besimin”, shprehet Ersen Asani.

Skuadra e Renovës hyri fuqishëm në futbollin e Maqedonisë, duke arritur që për vetëm 7 vite egzistencë të fitojë titullin e kampionit, ndërsa më vonë edhe Kupën e Maqedonisë. Ekipi vazhdimisht përforcohej me emra të njohur të futbollit, mirëpo njëkohësisht nuk lente pas punën me grupmoshat e reja, prej ku kanë dalë disa futbollistë cilësorë. Një prej tyre, padyshim është edhe Ersen Asani, i cili gjithnjë e më shumë po rritet në një mbrojtës cilësor para të cilit është një karrierë e bujshme. Duke filluar që në moshë të vogël në grupmoshat e Renovës, Asani tani më është pjesë e rëndësishme e ekipit të parë, ndërsa është pjesë edhe e kombëtares së shpresave të Maqedonisë. “Të them të drejtën jam i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të karrierës sime edhe pse gjithmonë mundet edhe më shumë. Renova më dha shansin të luajë në ekipin e parë dhe unë në cdo ndeshje jap maksimumin për të qenë më i mirë dhe për të arsyetuar besimin”, shprehet Ersen Asani, i cili ndër momentet më të vecanta në karrierën e tij e përmend golin e shënuar vitin e kaluar në kuadër të Liga Evropës, në fitoren 0:1 në transfertën me Gomelin. “Titujt e fituar nga Renova i kam përjetuar në mënyrë speciale, ishim kampionë edhe në kategori të reja, por realisht të shënosh gol në Liga Evropa, për më shumë kur je një mbrojtës dhe madje me atë gol ekipi shënon fitore është dicka e veçantë. Më vjen vetëm keq që nuk arritëm të kalojmë Gomelin, por u tregua vendimtare humbja në ndeshjen e parë në Kumanovë”, sqaron 20 vjecari Ersen Asani, i cili shpreson të vazhdojë progresin e tij. “Më vjen keq që këtë vit nuk arritëm të dalim në Evropë, por disa ndryshime të ndodhura ndikuan në këtë drejtim. Kryesia ka në plan të përtërijë ekipin dhe unë besoj se Renova përsëri do të kthehet të jetë në majat e futbollit në vend. Duhet vetëm pak kohë dhe durim, pasi nuk është lehtë të sjellësh menjëherë rezultat, kur punon në plan afatgjatë. Personalisht jam optimist se Renova do të krijojë skuadër cilësore, ndërsa shpresoj që unë të jemë pjesë e rëndësishme e këtij projekti”, thotë Asani që kohëve të fundit ka patur një lëndim i cili e penalizon për të qenë në maksimumin e forcës së tij. Asani nga e premtja i është bashkuar kombëtares U 21 të Maqedonisë me të cilën më 8 qershor në Baku do të luajnë kundër Azerbejxhanit në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e juniorëve, ‘Ceki 2015’. Maqedonia është në grup me Portugalinë, Izraelin, Norvegjinë dhe Azerbejxhanin. “Më vjen mirë që përsëri jam pjesë e kombëtares dhe shpresoj që të jem në maksimumin e mundësive të mia. Realisht një lëndim më ka penguar të jem në 100% tim, por shpresoj që ditët në vijim të rekuperoj forcën që më mungon. Në grup kemi kombëtare cilësore, por ne nuk dorëzohemi para kohe dhe do të kërkojmë rastin tonë. Shpresoj që të dalim me rezultat pozitiv në fushë të Azerbejxhanit dhe më pas do i marrim ndeshjet një nga një”, tha në fund mbrojtësi shtatëlartë i Renovës, Ersen Asani.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *