Home / Lajme / Maqedoni / Komunat nuk shlyejnë borxhet ndaj të angazhuarve në zgjedhje (VIDEO)

Komunat nuk shlyejnë borxhet ndaj të angazhuarve në zgjedhje (VIDEO)

27 Qershor – Tre muaj pas zgjedhjeve lokale, një pjesë e madhe e anëtarëve të komisioneve zgjedhore ende nuk kanë marrë mëditjet për punën e tyre në ditën e zgjedhjeve.

Shumica e komunave, të cilët janë kompetente për pagesën, nuk kanë shlyer borxhin ndaj anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore dhe këshillave zgjedhore. Komisioni Shtetëror Zgjedhor u bëri thirrje krerëve të komunave që një orë e më parë të shlyejnë obligimet e tyre.

“Për të eliminuar të gjitha dilemat tek anëtarët e organeve zgjedhore, duke filluar prej komisioneve komunale zgjedhore dhe këshillave zgjedhore, në zgjedhjet lokale harxhimet i bart çdo komunë veç e veç. Sipas informatave që i kemi deri tani , një numër i konsiderueshëm i komunave nuk e kanë kryer obligimin ndaj organeve zgjedhore, duke filluar nga obligimet që i kanë ndaj komisioneve komunale të zgjedhjeve deri tek këshillat zgjedhore”, tha Bedredin Ibrahimi, KSHZ.

Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta premtoi se vendimi për shlyerjen e borxhit do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të këshillit komunal. Menjëherë pas kësaj do të vijojnë pagesat.

“Unë nuk e di për komunat e tjera, por unë mbaj përgjegjësi për Komunën e Gostivarit si kryetar i saj. Në mbledhjen e ardhshme, besoj që më 10 korrik do të kemi seancën e 4 të Këshillit të Komunës, do të jetë në rend të ditës, do të kalojë në këshill dhe unë si kryetar komune do të fillojë komisionarëve tu paguaj mëditjet të cilat u takojnë me ligj”, u shpreh Nevzat Bejta, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Zgjidhje të shpejtë për këtë problem kanë premtuar edhe nga Komuna e Tetovës, e cila gjithashtu ka vonuar shlyerjen e obligimeve. Nga ana tjetër Komuna e Strugës është ndër komunat e rralla të cilat tashmë kanë shlyer obligimet ndaj komisionerëve.

“Sa i përket pagesave të Komunës ndaj Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, momentalisht nga ana e kryetarit të komunës është bërë komplet hedhja e mjeteve financiare. Komuna këto mjete i ka hedhur para 10 ditësh në Komisionin komunal të zgjedhjeve”, deklaroi Kamber Dauti, anëtar i Komisionit komunal Zgjedhor, Strugë.

Në redaksinë tonë kanë arritur reagime nga komisionerë nëpër komuna të ndryshme në Maqedoni, të cilët ankohen për lënien pas dore të pagesës nga ana e krerëve komunal.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *