Home / Sport / Miqësore për t’u shitur në Shqipëri?!

Miqësore për t’u shitur në Shqipëri?!

“Mendojmë se situatë më të vështirë se në Maqedoni s’ka në asnjë vend tjetër të botës! Edhe në Kosovë është më mirë, ndërsa kujtojmë se kampionati s’është i pranuar ndërkombëtarisht. Me muaj të tërë nuk marrim paga, ndërsa jemi të varur direkt nga futbollit. Le të na thotë dikush me çka të jetojmë ne?!”, ankohen futbollistë të skuadrave elitare të Maqedonisë, të cilët kërkojnë të mbeten anonim.

Kriza e madhe që ka kapluar futbollin elitar në Maqedoni duket se nuk ka fund dhe zgjidhja e vetme e futbollistëve është që të largohen nga ky mjedis. Në kushte kur futbollistët me muaj të tërë mbesin pa rrogat e tyre, që edhe ashtu janë minimale, ‘braktisja’ e futbollit të Maqedonisë është në rritje e sipër. Të pakta janë skuadrat që paguajnë në kohë futbollistët e tyre, ‘moda’ e borxheve tani më ka përfshirë edhe ekipet që luftojnë për kreun e tabelës dhe në kushte të këtilla si duket ngadalë humb durimi i vetë ‘protagonistëve’. Secili futbollist kërkon me çdo kusht largim nga futbolli i Maqedonisë, për të kërkuar kushte më të mira, pasi sipas shumë futbollistëve që duan të mbesin anonim, më keq se këtu nuk mund të bëhet. “Mendojmë se situatë më të vështirë se në Maqedoni s’ka në asnjë vend tjetër të botës. Edhe në Kosovë është më mirë, ndërsa kujtojmë se kampionati s’është i pranuar ndërkombëtarisht. Me muaj të tërë nuk marrim paga, ndërsa jemi të varur direkt nga futbollit. Le të na thotë dikush me çka të jetojmë ne?!”, ankohen futbollistë të skuadrave elitare të Maqedonisë. Dhe deri sa më të mirët kanë oferta prej klubeve të ndryshme dhe shkojnë në ‘prova’ për të lënë përshtypje jashtë vendit, javën e shkuar si metodë e re për të tentuar të braktisin Maqedoninë është shfaqur zhvillimi i një ndeshje kontrolluese. Mediat në Shqipëria raportuan për zhvillimin e një ndeshje miqësore ndërmjet skuadrës të posa ngjitur në kategorinë Superiore, Parizanit dhe një seleksioni futbollistësh nga Maqedonia. Mësohet se grupi nga Maqedonia është udhëhequr nga futbollistë me përvojë që duan të ndërmjetësojnë transferimin e lojtarëve në kampionatin shqiptar. Ertan Demiri, Dardan Miftari, Burhan Aliji, Xhihan Seferi, Ilknur Xhaferi dhe disa të tjerë kanë qenë pjesë e “kombëtares së Maqedonisë”, ndërsa për të kompletuar ekipin janë ftuar edhe Sedat Berisha dhe Muzafer Ejupi. Takimi i zhvilluar në Tiranë është mbyllur me barazimin 0:0, ndërsa si që mund të pritej, përshtypje kanë lënë ata që nuk ishin në plan për të luajtur, Berisha dhe Ejupi, që të dy ndër pikat kyçe të Shkëndijës së Tetovës dhe që për momentin kanë oferta nga klube të jashtme dhe nga vendi. Sipas asaj që thuhet në mediat shqiptare, stafi teknik i Partizanit, me në krye trajnerin Hasan Lika, i ka piketuar tashmë tre lojtarët që kanë lënë gjurmë në miqësoren e së martës mes Partizanit. Përveç mbrojtësit Sedat Berisha dhe sulmuesit Muzafer Ejupi të Shkëndijës, përshtypje ka lënë edhe mesfushori i Gostivarit, Xhihan Seferi. Burime të sigurta pranë klubit shqiptar bëjnë të ditur se kanë nisur bisedimet me këta tre lojtarë. Pritet këta të mbyllin gjithçka me ekipet e tyre, që më pas Partizani ta ketë të lehtë për t’i bërë pjesë të ekipit, edhe pse Ejupi dhe Berisha fillimisht demantojnë transferimin eventual në Shqipëri. Si do që të jetë, epilogu përfundimtar i kësaj tentative të Partizanit për të aktivizuar futbollistë nga Maqedonia do të mësohet në ditët në vijim, por ndërkohë këtu te ne do të vazhdojë pakënaqësia e futbollistëve të mbetur që kërkojnë me çdo kusht transferim jashtë vendit. Mbetet për tu parë cili do të jetë reagimi i skuadrave, të cilat ngadalë duhet të fillojnë projektimin e ekipeve për sezonin e ardhshëm. Nëse bazohemi në ngjarjet e fundit, pritet kampionat edhe më i dobët, pasi të shumtë janë ata që duan të ikin nga Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *