Home / Sport / Neimar: Kjo është finale historike për futbollin!

Neimar: Kjo është finale historike për futbollin!

Nëse ndokush ka pasur dyshime për paraqitjet e Neimar, i ka mjaftuar të shohë Kupën e Konfederatave për të vërtetuar se braziliani po kalon një formë të shkëlqyer. Sulmuesi që u shpall “Lojtari më i mirë” për tre ndeshjet në grup dhe ishte vendimtar me lojën e tij në ndeshjen kundër Uruguait, tashmë është kthyer në yllin që priste çdo tifoz i Brazilit, fakt që e tregon edhe interesimi i jashtëzakonshëm për konferencën e tij për shtyp, me mbi 150 gazetarë të pranishëm.

“E diela është një ditë historike për futbollin, për shkak të cilësisë së dy kombëtareve. Tani mund ta pranoj se kjo është finalja që shpresonim të gjithë. E gjithë bota kërkon një ndeshje Brazil-Spanjë, që kanë shumë yje. Jemi dy kombëtare që duam të luajmë një futboll të bukur. Kjo është ndeshja që çdo futbollist ëndërron ta luajë”, ishin fjalët e sulmuesit.
Në këtë takim, Neimar do të ketë një mbulim të rreptë nga ata që do të jenë shokët e tij të ardhshëm te skuadra e Barcelonës.
“Është një kënaqësi të luaj kundër shokëve të mi të ardhshëm, do të jetë shumë emocionuese. I uroj fat, por jo për këtë ndeshje”, ishte batuta e brazilianit mes të qeshurave në sallë. “Admiroj shumë lojtarë prej atyre që do të kem si kundërshtare. Çavi, Iniesta, Pedro, Pike, Serxhio Ramos. Kjo Spanjë ka shumë cilësi”, pranoi sulmuesi brazilian.
“Si e imagjinoj ndeshjen? Imagjinoj shumë gola për Brazilin dhe asnjë për Spanjën”, ishte parashikimi humoristik i futbollistit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *