Home / Lajme / Maqedoni / Qeveria obstruksione ndaj komunës së Strugës

Qeveria obstruksione ndaj komunës së Strugës

08 Qershor – Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela ka theksuar se Qeveria po i bën obstruksione dhe po anashkalon komunën që po drejton ai.

Sipas tij, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të realizojë aktivitetin e mbrojtjes së turistëve dhe qytetarëve nga mushkonjat, dhe se në kuadër të këtij aktiviteti janë paraparë komunat e Ohrit, Dojranit, Resnjës dhe Krushevës, ndërsa është anashkaluar Struga.

“Pyes Ministrinë përkatëse dhe ministrin, se si i ka ndarë mushkonjat, mbi baza etnike apo mbi baza politike?”, theksoi Ziadin Sela, duke shtuar se komuna e Strugës, do të kujdeset për qytetarët e vet dhe turistët që do të vijnë, duke bërë spërkatjen kundër mushkonjave, dezinsektimin dhe deratizimin aty ku ka nevojë, me qëllim të mbrojtjes shëndetësore nga këto rreziqe që i kanosen banorëve dhe mysafirëve në Strugë, edhe pse Qeveria dhe Ministria e transportit ka anashkaluar Strugën.

Çështja e dytë për të cilën foli kryetari Sela ishte edhe një anashkalim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, që vetë ministri Valon Saraini kishte premtuar për të dhuruar një autobus panoramik për Strugën, ngjashëm me Ohrin.

“Tani kemi një informacion se Strugës nuk i ndahet-jepet autobus i tillë turistik, por na sugjerohet që Struga të bashkëpunojë dhe të merret vesh me komunën e Ohrit, për ta shfrytëzuar bashkërisht këtë autobus të dhuruar nga Qeveria, edhe pse autobusi do të licencohet në Ohër dhe të gjitha të ardhurat do të akumulohen e derdhen në Ohër”, theksoi Sela.

Problemi i tretë që u prezantua nga kryetari i komunës së Strugës në konferencën e fundjavës me gazetarët ishte refuzimi i kërkesës për revizion të gjendjes materialo-financiare të komunës së Strugës gjatë periudhës së mandatit të kaluar.

“Refuzimi i kërkesës zyrtare për revizion të gjendjes materialo-financiare, me arsyetimin banal se gjoja nuk e kanë paraparë me program revizionin në Strugë, është tepër banale, kur një gjë e tillë është bërë në komunën e Ohrit. Megjithatë, gjatë javës së ardhshme do të dalim me të dhëna të sakta para opinionit, sepse qytetarët kanë të drejtë të njihen me gjendjen dhe ne si administratë të jemi transparent”, theksoi Ziadin Sela.

Dhe krejtësisht në fund ritheksoi se “Nuk më shqetësojnë thashë e thënat dhe deklaratat e tipit “pse kryetari nuk i përmbush premtimet e dhëna gjatë fushatës” që kanë të bëjnë me objektet pa leje”, kur dihet mirëfilli se nga cilat qarqe ato lansohen dhe kur po ashtu dihet se ata kanë qenë në pushtet gjatë kohës që kanë lejuar këtë kaos të përgjithshëm në Strugë. Unë kam premtuar se brenda 100 ditëve do të vendosim rend dhe rregull dhe ate do ta respektojmë”. (INA)

Gjithashtu lexo

Mot me diell me erë të dobët deri në mesatare

Moti sot në Maqedoni do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë me erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *