Home / Lajme / Rajon / Rama kryeministër, Meta kryetar Kuvendi

Rama kryeministër, Meta kryetar Kuvendi

28 qershor-“Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit”.

Edi Rama dhe Ilir Meta liderët e forcave të majta që dolën fituese në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit kanë zhvilluar sot një takim me njëri-tjetrin, për të diskutuar në lidhje me kabinetin e ri qeveritar, dhe bashkëpunimin që do ketë PS e LSI.

Burime nga selia rozë bëjne me dije se Rama e Meta kanë rënë dakord për postet që vetë ata do mbajnë në qeveri. Ashtu sic ishte parashikuar Rama do të jetë kryeministri i ri i Shqipërisë, ndërsa Meta kryetari i Kuvendit. Rama e Meta kanë rënë dakord se për në përbërjen e qeverisë së re, do të dëgjohen me vëmendjen e merituar edhe aletatët e tjerë.

“U ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për Aleancën për Shqipërinë Europiane, kryetari i PS Edi Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.

Ndër të tjera bëhet me dije se është konfirmuar angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit.

Gjatë takimit që zgjati për rreth 2 orë e 30, bëhet me dije se është rënë dakord edhe për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para.

“U vlerësua se pikësëpari një grup i përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë”, thekson zyra e shtypit të PS.

Ndër të tjera pritet të krijohet një Task Force në mbështetje të plotë të projektit të TAP. “Kjo Task Force duhet të bëhet operative për të ndjekur fazën përgatitore të projektit si edhe për të organizuar në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendase që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit”, theksohet në deklaratë.

U shpreh shqetësimi për të dhënat më të fundit që tregojnë se qeveria në detyrë nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie.

“Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit”.

Në takim u nënvizua edhe nevoja për t’i dhënë vendit një skuadër qeverisëse që do të sjellë një model të ri sjelljeje e veprimi në procesin qeverisës, si edhe një model të ri gjithëpërfshirës të parlamentarizmit me një frymë bashkëpunuese jo vetëm me opozitën po edhe me shoqërinë në procesin ligjvënës.(BW/INA)

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *