Home / Sport / Agron Xhila mposhti me KO Heinichenin

Agron Xhila mposhti me KO Heinichenin

Agron Xhila, gjatë katër raundeve të zhvilluara në ring ishte superior, e dominoi ringun me direktet e tij dhe kroshetë që ishin të papërballueshme për Heinichenin, edhe pse ishte i mbështetur nga bashkëkombësit e tij në sallë. Megjithate, ai përballoi goditjet e boksierit shqiptar deri në raundin e katërt, kur përfundimisht, pas një serie goditjesh Marco Heinichen ishte i detyruar të braktisë ringun i mposhtur me KO.

Agron Xhila, boksieri i peshave të rënda nga Struga që jeton dhe vepron në Zvicër, në ngjitjen e tij të 20 në ring, mbrëmë në palestrën “Impact Gym” në Munih, të Gjermanisë, në përballjen me boksierin gjerman Marco Heinichen, shënoi edhe një fitore të vlefshme në karrierën e tij duke e mposhtur Heinichenin me KO në raundin e katërt- në ndeshjen që ishte paraparë të zgjasë 6 raunde.

Tani në skedën e boksierit shqiptar nga Struga, që jeton dhe vepron në Zvicër, Agron Xhila, janë këto shënime: 20 ndeshje, 19 fitore (15 KO), dhe vetëm 1 disfatë, pa barazim, të kampionit botëror në versionet GBU, IBF, WBO dhe WBC-junior

Marco Heinichen tani në skedën e tij e shënoi edhe një disfatë dhe atë të 30 me radhë dhe të 19 me KO në gjithsejtë 43 ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Përndryshe, ai është boksier me shumë përvojë dhe para ndeshjes me Agron Xhilën ai gjatë karrierës së tij ka zhvilluar 42 ndeshje duke shënuar 11 fitore (6 KO), 29 herë ka pësuar (18 KO) dhe dy ndeshje ka barazuar, ka boksuar gjithsejtë 160 raunde që është eksperiencë mjaft e madhe.

Për Agron Xhilën, kjo fitore është e vlefshme në rrugëtimin e tij dhe ngjitjen e radhës në ringun e Londrës në muajin nëntor, ose më saktë më 30 nëntor në “York Hall, Bethnal Green” në Londër, do të përballet me Hamza Wandera, – (29 ndeshje, 18 fitore (13 KO), 7 disfata (5 KO) dhe 3 ndeshje kanë përfunduar pa fitues-me barazim)-për titullin vakant “World Boxing Foundation cruiserweight“. Kjo ndeshje është paraparë të zhvillohet në 12 raunde, që vetvetiu flet për rëndësinë që ka për të dy boksierët, e sidomos për boksierin shqiptar Agron Xhila.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *