Home / Sport / Bajern-Barça, në fushë 1 miliard euro

Bajern-Barça, në fushë 1 miliard euro

Sonte, ora 18:30, në stadiumin “Alianc-Are na” do zhvillohet Kupa “Uli-Hënes”, ku do zbresin në fushë 1 miliard e 90 milionë euro (586 mln Barça; 503 Bajerni).

Me rastin e 60-vjetorit të presidentit vitin e kaluar, krerët e klubit bavarez organizuan këtë miqësore, ku ekipi mik do të jetë Barcelona. Ky duel mbart në vetvete shumë histori. Bajerni e demontoi në gjysmëfinale të Champions- it 2013, për këtë arsye katalanasit duan revanshin për të marrë hak. Por, nga ana tjetër, do jetë edhe një sfidë e drejtpërdrejtë e Pep Guardiolës me ishnxënësit e tij. “Do jetë një ndeshje emocionuese. Është hera e parë që më ndodh një gjë e tillë. Te Barcelona kalova kohë të bukura dhe fitova gjithçka. Tani për mua nisi një aventurë e re, dua të shijoj çdo moment dhe të fitoj gjithçka me këtë klub. Më vjen mirë që do takohem me ish-lojtarët e mi”, – nënvizoi Guardiola për testin në Kupën “Uli Hënes”. Në prag të kësaj ndeshjeje kanë folur edhe dy kapitenët, të cilët kanë pikëpamje të ndryshme. “Barcelona mbetet ekipi ‘Nonplusaltra’. Për mua ata janë të parët në Europë dhe njëkohësisht mbeten favoritë të Champions-it. Për sa i përket ndeshjes ditën e mërkurë, mendoj se ka për të qenë një test i nxehtë. Barcelona është e motivuar të na ndëshkojë, por ne duam që këtë kupë ta fitojmë dhe të nderojmë sërish presidentin tonë”, – tha Shvajni. Ndërsa kapiteni Lahm synon që të rrëzojë Barcelonën nga froni me stilin gjermano-spanjoll të ofruar nga Guardiola: “Meqenëse Barcelona ka qenë ekipi më dominues në Europë kohët e fundit, sfida jonë është ta rrëzojmë nga froni. Trajneri Guardiola dëshiron të bëjë një ndërthurje gjeniale të dy filozofive, asaj katalanase dhe bavareze. Deri më tani më rezulton se po funksionon. Ne treguam se si ndëshkohet Barça, dhe me ishtrajnerin e tyre do kemi më shumë shanse të bëjmë të njëjtën gjë si sezonin e kaluar në Champions. Edhe pse ende ndodhemi në një periodë eksperimentale, Kupa ‘Uli Hënes’ do mbetet në shtëpi”. Teksa mediat spanjolle e patën nxehur situatën pas konfliktit Guardiola- Rosell, drejtori i përgjithshëm Rumenige shprehet se mes tyre nuk ka asnjë luftë: “Relatat tona me Barcelonën kanë qenë dhe do mbeten shumë të mira. Guardiola ka respekt për ish-ekipin dhe mezi po pret t’i takojë ata”.
Barça për revansh Humbja në Champions 7- 0 ndaj Bajernit ka bërë që katalanasit të futen në fushë me tolerancë zero, edhe pse janë të ftuar nga presidenti. Pasi Barça emëroi trajnerin e ri Gerardo Martino, në “Alianc-Arena”, katalanasit do drejtohen për të fundit herë nga asistenti Hordi Roura. 45-vjeçari bënte pjesë edhe në ish-stafin e Guardiolës, ku kryesisht analizonte kundërshtarin. “Jam krenar për këtë ekip. Në Mynih shkojmë jo vetëm për të zhvilluar një miqësore, por edhe për të takuar miqtë tanë. Jam i sigurt se për 90 minuta do ofrojmë futbollin më të bukur në botë. Bajerni është një ekip shumë i fortë, por ne do tregojmë që dimë t’i mundim”, – nënvizoi Roura. Ndërkohë në Mynih do mungojnë disa lojtarë të Barçës: Valdes, Alba, Pike, Alvesh, Buskets, Ksavi, Iniesta, Fabregas, Nejmar dhe Pedro.

Riberi: Të largojmë egon, dua ta fitoj sërish duelin me Mesin
Mesfushori Frenk Riberi u ka bërë një apel shokëve të tij, duke i këshilluar që të heqin dorë nga interesat dhe egoja personale. Performancat në dy ndeshjet e kupës “Telekom”, ai i ka marrë si shembull. “Nëse do luajmë si në dy ndeshjet e kupës ‘Telekom’, atëherë jam i sigurt që për sezonin e ri nuk do të kemi probleme. Pastaj mund të fitojmë sërish gjithçka. Por, nëse dikush bën sipas mendjes së vet, atëherë do ketë probleme jo vetëm ai, por të gjithë ne. Duhet të jemi të bashkuar dhe qëllimin ta realizojmë së bashku”, – nënvizoi Riberi, duke shtuar për ndeshjen e së mërkurës në kupën “Uli Hënes” kundër Barcelonës: “Kjo ndeshje ka shumë kuptim për mua. Së pari,dua që kupën e presidentit ta fitojmë ne. Së dyti, dua ta fitoj sërish duelin me Mesin. Jam i motivuar për të nxjerr lart si vlerat e klubit, por edhe të trajnerit Guardiola”, – përfundoi francezi.

Mesi: Nuk e harroj atë ndëshkim, me Bajernin kam llogari të hapur
Në stadiumin “Alianc-Arena” do zbresin në fushë dy kampionë, ata të Gjermanisë dhe Spanjës. Në Kupën “Uli Hënes”, Barcelona është ftuar nga bavarezët për të zhvilluar një ndeshje me rastin e 60-vjetorit të presidentit. Një ditë pas zyrtarizimit të trajnerit të ri te Barcelona ka folur edhe Lionel Mesi, i cili gjatë një daljeje për mediat ka shprehur hapur hakmarrjen ndaj Bajernit. “Mënyra se si Bajerni na mundi në Champions ishte mjaft e dhimbshme për ne. Ishte hera e parë dhe besoj e fundit që ne ia lejojmë vetes të ndodhemi në atë situatë. Ndeshja në Mynih sigurisht që do të jetë më shumë se një test për ne. Së pari më vjen mirë që do takohem me Guardiolën dhe Tiagon. Sigurisht, në fushë nuk do ketë dhurata për ta. Jemi të motivuar për të dalë fitues nga kjo ndeshje”, – tha Mesi, i cili përshëndet edhe ardhjen e “Tatas”: “Surprizë shumë e bukur që Martino do të jetë trajneri im”.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *