Home / Lajme / Maqedoni / Ballkani pretendon fitore kundër kontrabandës së cigareve

Ballkani pretendon fitore kundër kontrabandës së cigareve

12 Korrik – Vendet e Ballkanit po bëjnë përparime të ndjeshme kundër tregtisë së paligjshme të kontrabandës së cigareve.

Por problemi i shkaktuar nga grupet e organizuara kriminale që merren me prodhimet e duhanit është larg nga zgjidhja, thanë ekspertë.

“Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e të gjitha vendet në rajon kanë trajtuar me sukses krimin e organizuar [që trafikon] cigaret,” tha për SETimesPavle Trajanov, ish-ministër i punëve të brendshme të Maqedonisë.

Trajanov shpjegoi se shumë qeveri ishin të përfshira në tregtinë e paligjshme, por sot nuk është ky rasti.
“Përpjekjet për të kontrabanduar cigare janë pakësuar sepse tani vijnë nga disa grupe individuale pa kapacitetin e mjaftueshëm e gjithashtu institucionet tona kanë një strategji të organizuar më mirë tani,” tha Trajanov.

Zyrtarë thanë se një metodë më e fuqishme ka rezultuar në arrestimin e punonjësve të policisë e të doganave të përfshirë në tregtinë e paligjshme. Vitin e kaluar policia bullgare arrestoi një zyrtar të lartë të doganave të dyshuar për kontrabandën e 20 milionë cigareve në Serbi.

Policia serbe organizoi operacione të shumta që rezultuan në konfiskimin e 360,000 paketave me cigare kontrabandë transportuar nga Turqia këtë muaj.

Policia maqedonase tha se shkatërroi një grup të organizuar mirë ndërkombëtar të kontrabandës së cigareve nga Shqipëria e Kosova në Maqedoni e më tej në Bullgari.

“Anëtarët e grupit i depozitonin cigaret në depo në Shkup e zonat rrethuese apo në një strukturë depoje ndihmëse pranë kufirit maqedonas-bullgar që zotëronin,” tha Gordana Jankulovska, ministre e punëve të brendshme e Maqedonisë.

Pikërisht në kalimin kufitar Deve Bair me Serbinë, policia maqedonase konfiskoi gati 600 kuti me cigare kontrabandë në fillim të këtij muaji, me etiketat e taksave të Kosovës e Maqedonisë në to.

Shqipëria e Kosova tashmë janë prodhuesit më të mëdhenj të cigareve kontrabandë, sipas Vladimir Pivovarov, ish-drejtor i shërbimit informativ ushtarak të Maqedonisë.

“Eshtë një fakt se biznesi kryesor i cigareve kontrabandë mbahet nga mafia shqiptare. Një vend ndeshet me rrezikun më të madh të patjes së cigareve të tilla që të përfundojnë në territorin e tij nëse ai ka dalje në det. Në të kaluarën, mijëra kuti cigaresh transportoheshin nga Mali i Zi në Itali me det nëpërmjet gomoneve,” tha Pivovarov për SETimes.

Qeveria e Prishtinës duhet të përmirësojë bashkëpunimin me fqinjët e Kosovës ndërsa vendet rajonale duhet të përdorin aftësitë e plota të tyre me qëllim që të ndikojnë mbi tregtinë e paligjshme, sipas Nexhbedin Mamudit, një profesor në Universitetin e Prishtinës.

“Kriminelët përdorin Kosovën për momentin për shkak të pozitës së saj qëndrore në Ballkanin Perëndimor e shpesh si një destinacion transit. Por është e qartë se ky biznes në Kosovë funksionin në mënyrë të përkryer e me qëllim që t’a reduktojnë atë, zyrtarët e shtetit duhet të funksionojnë edhe më mirë,” tha Mamudi për SETimes.

Pivovarov shpjegoi se reagimi i fuqishëm i autoriteteve maqedonase ka detyruar grupet e organizuara ta shohin Maqedoninë vetëm si një vend transit për kontrabandimin e cigareve në Bullgari, Rumani e vendet e tjera të BE-së.

“Maqedonia nuk është më një prodhues sepse policia arrestoi bosin kryesor (të krimit të organizuar) Bajrush Sejdiu e klanin e tij. Atë kohë, cigaret prodhoheshin në mënyrë të paligjshme në fabrikën e cigareve të Kumanovës që ai zotëronte,” tha Pivovarov.
Ekspertët thanë se presin që tregtia e paligjshme e cigareve të shkaktojë humbje prej 60 milionë euro në Serbi dhe 30 milionë euro në BiH më 2013 dhe bashkëpunimi i krimit të organizuar anembanë rajonit duhet të ndiqet nga bashkëpunimi i ngjashë në zbatimin e ligjit.

“Shkeljet penale duhet të harmonizohen sepse … kriminelët [marrin pjesë] nga dy apo më shumë shtete ndërsa gjyqet ndonjëherë ndodhin vetëm në një shtet,” tha për SETimesSvetlana Jovanovska, profesore e kriminologjisë në Fakultetin e Sigurisë në Shkup.
Dënimet për pjesëmarrjen apo ndihmën në tregtinë e paligjshme të cigareve shkojnë nga një deri në dhjetë vjet burgim në Maqedoni, nga gjashtë muaj deri në pesë vjet në Serbi, nga tre muaj deri në tre vjet në Malin e Zi dhe deri në një vit në Kroaci.
Kroacia ka vënë gjobat më të larta monetare deri në 250,000 euro në qoftë se prodhimet e duhanit që vendosen në treg nuk kanë etiketat e taksave.
A do t’ia dalin vendet e Ballkanit që të pakësojnë më tej trafikun e paligjshëm të cigareve? Na thoni në komente. (INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *