Home / Lajme / Maqedoni / Broshurë për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve të cilët udhëtojnë me agjencitë turistike

Broshurë për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve të cilët udhëtojnë me agjencitë turistike

26 korrik-Ministri i Ekonomisë tha se në Ministri po mendohet për ndryshime të Ligjit për veprime turistike ose për përgatitje të akteve të reja nënligjore me të cilat do të obligohen agjencitë turistike të Maqedonisë që të paktën 30 për qind nga oferta të jetë për destinacionet vendore turistike

Çdoherë lidhni marrëveshje me shkrim, por paraprakisht mirë njihuni me marrëveshjen, rekomandon broshura për konsumatorët dhe të drejtat e tyre gjatë udhëtimeve të organizuara turistike që sot u prezantua në Ministrinë e Ekonomisë.

Broshura, e përpunuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Organizata e konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) është në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe maqedone dhe mund të gjindet në agjencitë turistike, si dhe në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë, OKM-së dhe Odës ekonomike për turizëm (OET).

“Broshura do t’i lehtësojë pushimet dhe udhëtimet e turistëve nga Maqedonia të cilët janë pjesë e aranzhimeve turistike që i ofrojnë agjencitë turistike. Në të janë prezantuar obligimet e agjencive turistike, por edhe të drejtat dhe obligimet e qytetarëve të cilët udhëtojnë”, tha ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se pjesa e madhe e agjencive turistike në Maqedoni i respektojnë të drejtat dhe obligimet të cilat janë të rregulluara për veprim turistik, por, theksoi, për fat të keq ka edhe të tilla të cilat janë joprofesionistë dhe punojnë në mënyrë të paligjshme.

Vitin e kaluar, siç tha, deri te Ministria e Ekonomisë kanë arritur 67 ankesa nga qytetarët për punën e agjencive turistike të cilët kanë nxitur për mbylljen e 11 agjencive. Problemi kryesor me paraqitjet e qytetarëve është mosplotësimi i marrëveshjeve të cilat udhëtarët i nënshkruajnë me agjencitë.

“Apeloj deri te agjencitë që t’i respektojnë marrëveshjes me udhëtarët e tyre dhe atë që e ofrojnë për çmimin me të vërtetë ta realizojnë që të mos sanksionohen. Qytetarëve, sërish, u rekomandoj që çdoherë të nënshkruajnë marrëveshje me agjencitë, të kenë kujdes gjatë zgjedhjes së aranzhmaneve, të mos pranojnë oferta të paligjshme dhe të kenë kujdes në renomenë e agjencisë të cilën e zgjedhin”, tha Saraçini.

Vitin e kaluar Inspektorati shtetëror i tregut ka kryer 485 mbikëqyrje të rregullta, 53 kontrolluese dhe një të jashtëzakonshme në pajtim me Ligjin për veprim turistik.

Ministri Saraçini theksoi se këtë vit ende nuk ka ankesa nga qytetarët për agjencitë turistike.

“Ende jemi në fillim të sezonit dhe deri më tani nuk janë konstatuar parregullsi te agjencitë turistike edhe pse shërbimet inspektuese që nga muaji qershor janë në terren dhe rregullisht i kryejnë kontrollet. Pres që këtë vit të mos ketë ankesa për punën e agjencive turistike, por megjithatë atë do ta shohim në shtator kur do të dalim me rezultate zyrtare”, tha Saraçini.

Ministri i Ekonomisë tha se në Ministri po mendohet për ndryshime të Ligjit për veprime turistike ose për përgatitje të akteve të reja nënligjore me të cilat do të obligohen agjencitë turistike të Maqedonisë që të paktën 30 për qind nga oferta të jetë për destinacionet vendore turistike

“Edhe pse jemi në fazë të mendimit dhe ende definitivisht nuk kemi vendosur, vlerësojmë se agjencitë tona turistike duhet të ofrojnë pako të veçanta turistike për destinacionet turistike për turistët vendorë, por edhe për turistët nga çdo vend i huaj në veçanti. Me përjashtim të Ohrit dhe Strugës dhe ndoshta të Mavrovës dhe Kodrës së Diellit një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë nuk i kanë vizituar destinacionet tjera turistike në vend si turistë për shkak të ofertës së pamjaftueshme”, tha Saraçini.

Gjithashtu lexo

Kuvendi duhet të votojë për shkarkim të Zvërlevskit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të mbajë vazhdime të tre seancave midis të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *