Home / Sport / Bufon i siguron Italisë vendin e tretë në “Konfederata”

Bufon i siguron Italisë vendin e tretë në “Konfederata”

Italia mund Uruguain 5- 4 pas goditjes së pe nalltive dhe e mbyll në vend të tretë Kupën e Konfederatave. Koha e rregullt dhe shtesë përfundoi në barazim 2- 2, ndërsa të kaltrit nuk arritën dot të ruanin dy herë avantazhin. Fillimisht kaluan përpara me Astorin, pastaj me Diamantin.

Për të dy ishin golat e parë me kombëtaren. Por në të dyja rastet iu kundërpërgjigj Kavani. Italia e mbetur me 10 vetë, pas të kuqit të Montolivos, i reziston të nxehtit të tmerrshëm dhe dy shtesave radhazi, pas asaj me Spanjën në gjysmëfinale. Por kësaj radhe nga ruleta e penalltive kanë fat: ndaj “furive” Bufon nuk priti asnjë penallti, por dje priti 3: Forlanit dhe “italianëve” Kaseres dhe Gargano. Italia i jep fund me medaljen e bronzit antipastës së Botërorit, me 3 fitore, ndaj Meksikës, Japonisë dhe Uruguait dhe 2 humbje, ndaj Brazilit dhe Spanjës, edhe pse me këtë të fundit luajti si e barabartë, madje më mirë se kampionët e botës.
Italia në avantazh – Pa 5 titullarë, Prandeli të paktën rikuperon Kielinin, De Rosin dhe Xhilardinon dhe hedh në fund tredhëmbëshin me Diamantin dhe El Sharauin në krah të Xhilardinos. Tabarez i përgjigjet me një tredhëmbësh më të frikshëm (Kavani dhe Suarez këmbehen në qendër, ndërsa Forlan i mbështet nga e majta). “La Nazionale” bëhet menjëherë e rrezikshme me një goditje me kokë të Kielinit pas një harkimi të Diamantit. Frytet e lojës më të mirë europianët i korrin në minutën e 24-t: Diamanti fiton një goditje dënimi nga e djathta pasi i vjedh topin Kaseresit, i cili te “Celeste” e nis mbrojtës i majtë. Ekzekuton vetë asi i Bolonjës. Topi përplaset në traversë, gënjen Muslerën në dalje, duke iu përplasur në shpinë dhe i dhuron asist Astorit: nga vetëm dy hapa, mbrojtësi i Kaljarit firmos debutimin e ëndrrave.
Uragani Uruguai – Amerikano- jugorët reagojnë: Bufon pret një goditje të Suarezit, Kavani shënon me kokë, por në pozicion jashtë loje. Pastaj sërish kapiteni ndal një goditje të Maksi Pereiras. El Sharaui, që ndoshta nuk është në ditën e tij më të mirë, i shkon dy herë pranë golit: Muslera tregohet i ngathët, por efikas ndaj të djathtës së milanistit. Pastaj “Faraoni” riprovon me një tunel të Diamantit, por shpëton Godini me Muslerën e dorëzuar. Italia shkon në avantazh në dhomat e zhveshjes. Maxho gabon një top në mesfushë dhe i dhuron shansin e kundërsulmit Garganos, i cili niset nga qendra dhe i shërben Kavanit në të majtë: “Matador” shpik një goditje golfisti me të djathtën dhe topi përfundon në rrjetë, 1- 1. Italia ndjen sfilitjen pas lodhjes së penalltive me Spanjën, ndërsa Uruguai është më i freskët. Bufon ndal dy herë Forlanin, herën e dytë në akrobaci. Por fantazisti i Bolonjës do t’i ndëshkojë në momentin e tyre më të mirë. Diamanti realizon me një kryevepër nga një goditje dënimi (goditja e parë e portës në pjesën e dytë 73′) dhe Italia kalon në avantazh kur këmbët nuk i përgjigjeshin. Kavani baraspeshon edhe një herë tjetër me një gol fotokopje si ai i Diamantit, por Bufon mban përgjegjësi. Baloteli shkuan në “Twitter”: “Jepini djema bëjeni 3-2!”. Duket e vështirë dhe shkohet në shtesë. Akuilani është me fat që nuk shkakton penallti, ndërsa Suarez bën gjithçka mirë për ta vjedhur, ndërsa Montolivo merr të dytën e verdhë i detyruar të thyejë një kundërsulm pas një topi të humbur të Akulianit. Uruguai kontrollon lojën, por pa rrezikuar dhe shkohet te penalltitë: Kësaj radhe Bufon bën fenomenin dhe fiton Italia.

Prandeli: Kjo Itali më ka kënaqur!
Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, është i kënaqur nga ajo që skuadra dha në Kupën e Konfederatave. Ai u shpreh se suksesi ndaj Uruguait ishte tërësisht e merituar për të kaltrit. “Bilanci i kompeticionit të Kupës së Konfederatave ishte shumë pozitiv për ne. Ekipi tregoi karakter në fushë në provat që pati. Ndaj Uruguait e meritonim vendin e tretë, pasi ne jemi rritur së tepërmi, çka e kemi treguar me ndeshjet e mira që kemi dhënë përgjatë ndeshjeve të fundit”, – tha numri një i stolit të të kaltërve, i cili më pas doli edhe për sfidën e fituar me penallti ndaj amerikano-latinëve pas dështimit ndaj Spanjës. “Sa u përket penalltive, ato janë një lotari. Kundër Spanjës ne nuk kishim fat, ndërsa përballë Uruguait po. Bufon? Jam i kënaqur për të, edhe pse sot (dje) e tregoi se është shumë i lodhur me fanellën e Italisë. A kërkoi Bonuçi të gjuante një penallti? Po, por ai do të gjuante i shtati”, – shtoi tekniku i Kombëtares italiane. Prandeli theksoi se skuadrës i duhet të bëjë ende disa përmirësime për të qenë gati për kampionatin botëror pas një viti. Por, ajo që e kënaq më shumë teknikun është përmirësimi i dukshëm i grupit të lojtarëve të tij.

Tabarez: Kompliment edhe vendi i katërt
Për Oskar Tabarezin, të ndeshesh me Spanjën, Brazilin dhe Italinë dhe të mbërrish deri në vend të katërt në Kupën e Konfederatave është një kompliment. Ndoshta Uruguai i tij nuk tregoi atë që pritej në lojë në këto pesë ndeshje, por gjithsesi nuk mund të bënte më shumë se kaq përballë gjigantëve botërorë. “Ndeshja e vendit të tretë është një festë, por ne donim që ta fitonim për shkak të motivimit. Kur vjen puna te penalltitë nuk mund të bësh shumë. Ju e patë, 72 orë më parë Italia humbi prej tyre, tani ajo fiton pikërisht prej 11-metërshave. Ky është futbolli. Ne jemi të kënaqur që mbërrijmë pas Spanjës, Brazilit dhe Italisë”, – tha trajneri i Uruguait.

Bufon: Ishte mrekulli, për Botërorin duhet të përmirësohemi
Xhixhi Bufon është protagonisti i takimit ndaj Uruguait, që i dha Italisë vendin e tretë në Kupën e Konfederatave. Gardiani i të kaltërve priti tre penallti, ndërsa nuk e fsheh gëzimin për paraqitjen e shokëve në këtë kompeticion. Lodhja dhe mundimi i lojtarëve brenda dy ditëve e shtyjnë Bufonin që të mendojë se suksesi i arritur erdhi si pasojë e një mrekullie. “Ishte shumë e vështirë për ne, por arritëm që të luanim me shpirt. Vetëm fakti që zbritëm sërish në fushë është një mrekulli dhe pastaj që mundën të fitonim është diçka e madhe”, – tha portieri, i cili i pyetur për Botërorin që do luhet pas një viti dhe pritshmëritë vijoi: “Ne mund të luajmë ndaj kujtdo. Nuk ka asnjë rival që të na bëjë të mendojmë se e kemi ndeshjen e humbur, por gjithsesi duhet të përmirësohemi shumë”.
Dhurata – Bufon vlerëson ekipin për shpirtin e treguar në fushë: “Që të gjithë jemi krenarë, pasi mendoj se sot (dje) do të ishte shumë e vështirë në qoftë se ne nuk do të kishim treguar këtë karakter që u pa në fushë. Kemi vuajtur shumë gjatë ndeshjes, por në fund arritëm që të tregonim se sa vlejmë duke luftuar deri në fund”. Forlani, Kaseresi dhe Gargano nuk mund që të kalonin Bufonin. “Nisur nga fakti që kundër Spanjës, shokëve të mi unë nuk arrita që t’u dhuroja një gëzim, mendova që ta bëj në këtë ndeshje, edhe pse u vonova pak”, – shtoi Bufoni. Vlerësimi – “Do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq që të mos të fitonim. Duke luajtur brenda dy ditësh një tjetër ndeshje, pasi kishim zhvilluar më parë një që shkoi me penallti, ishte shumë e vështirë. Por ne treguam sjelljen dhe shpirtin e duhur, e nderuam fanellën në mënyrën më të mirë të mundshme”, – u shpreh gardiani i Juventusit. Ai tregon më pas çelësin e suksesit.
Kritikat – Portieri i të kaltërve u është përgjigjur kritikave për paraqitjen ndaj Spanjës. “Fjalët ndaj meje në një këndvështrim të caktuar mua më poshtërojnë. Por nuk dua të merrem me to, sepse mjafton që të shikosh historinë e çdo njërit nga ne. S’kam pse të them se sa kam pritur penallti, sepse s’më intereson kjo. Di vetëm që me kombëtaren kam shkuar pesë herë me penallti dhe kam fituar tri herë, kështu që s’më duket diçka e shëmtuar kjo gjë. Pastaj, në karrierën time unë kam pritur një penallti në Botëror, në Europian. S’e di se sa portierë të përfaqësueses italiane e kanë bërë këtë gjë. S’dua të flas për këtë, sepse më bezdis”.

“Jam i lumtur për suksesin, por meritonim finalen”
Alesandro Diamanti ka qenë autor i një goli shumë të bukur me goditje dënimi që i kaloi të tijtë në avantazh, ndërkohë që vlerëson ekipin për suksesin e arritur. Por sulmuesi i Bolonjës është i trishtuar për faktin që ekipi duhej të luante në finalen e Kupës së Konfederatave. “Jam i gëzuar me golin që shënova, sapo e vendosa topin në tokë e ndjeva që ky është një rast i mirë për ta futur në rrjetë. Kisha kohë që e kërkoja këtë gol. Por më vjen keq për diçka, që nuk munda të luaja ndeshjen finale ndaj Brazilit, po ja që futbolli kështu është. Por ne do hakmerremi në finale ndaj tyre. Kemi kohë edhe një vit për t’u përgatitur e për të qenë gati”, – tha sulmuesi i Italisë.

De Shilio: Mundi ynë u shpërblye
De Shilio ndihet i çliruar që penalltia e gabuar prej tij nuk ndikoi në rezultatin final të ndeshjes. Për talentin e kuqezinjve, Italia meritoi gjithçka përballë Uruguait, ndërsa ishte skuadra më e mirë në fushë për pjesën më të madhe të ndeshjes: “Fatmirësisht fituam dhe penalltia që humba është harruar. Luajtëm më mirë se kundërshtari dhe merituam ta fitonim ndeshjen. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, sepse përballesh me lojtarë të fortë. Për shumë futbollistë ky rast nuk vjen asnjëherë, edhe pse mund të kenë shumë vite karrierë mbi supe. Mendoj se të gjitha përpjekjet gjatë këtyre 5 ndeshjeve u shpërblyen me këtë medalje bronzi”, – janë fjalët e mbrojtësit të Milanit pas fitores.

“Na vjen keq që humbëm, Italia e meritoi vendin e 3-të”
Edinson Kavani ishte më i miri i takimit të djeshëm, teksa i shënoi dy herë Xhixhi Bufonit gjatë kohës së rregullt. Por paraqitja e tij nuk mundi që t’u jepte fitoren amerikano-latinëve. Sulmuesi i Napolit u shpreh se skuadra e tij u përpoq shumë që të triumfonte, por nuk ia doli. “Na vjen shumë keq që e humbëm këtë takim që për ne kishte shumë vlerë, pasi merrnim një medalje, por pavarësisht rezultatit jemi të kënaqur me paraqitjen që kemi bërë”, – tha në fillim sulmuesi uruguaian. Ai shtoi se përballë ishte një skuadër shumë e fortë dhe fitorja qe mjaft e vështirë të arrihej. “Dua të përgëzoj Italinë për ndeshjen që bëri. Ata gjatë gjithë kohës nuk u dorëzuan, pavarësisht se në momentet e fundit ishin në vështirësi e me një lojtar më pak. Ne u përpoqëm të fitonim, por në fund gjatë gjuajtjeve të penalltisë ata ishin më të zotë. Treguan forcë dhe karakter deri në fund. Ishin luftarakë dhe e merituan vendin e tretë”, – përfundoi sulmuesi uruguaian i Napolit.

Lugano: Na mungoi fati, përballë kishim më të mirët
Pavarësisht humbjes, Diego Lugano kërkon të nxjerrë anët pozitive të pjesëmarrjes së Uruguait të tij në këtë kompeticion. Kapiteni ka vlerësuar konkurrencën në skuadër dhe paraqitjet e “Çeleste”-s që nuk mungon kurrsesi në turnetë e mëdha. “Uruguai dëshiron që të jetë gjithnjë pjesë e Kupës së Amerikës dhe Kupës së Konfederatave. Kjo është skuadra jonë dhe imazhi që kemi krijuar. Duam të ndeshemi me ekipet më të mira të botës. Por, për fat të keq, në Brazil nuk patëm shumë fat, sepse shorti na përplasi me skuadrat më të forta të mundshme. Kemi fituar disa lojtarë të rinj dhe askush nuk ndihet më i sigurt në këtë skuadër. Kjo është një fitore për të ardhmen”, – tha mbrojtësi pas përfundimit të ndeshjes.

Uruguait iu mohuan dy penallti
Gjyqtari Xhamel Haimudi nuk u kontestua në ndeshjen për vendin e tretë, por pati disa momente kur vendimet e tij lanë dyshime. Një prekje e topit me dorë nga Kielini u quajt e pavullnetshme, por lëvizja e mbrojtësit juventin në zonë u vlerësua nga ekspertët pas ndeshjes si jonatyrale, prandaj duhej ndëshkuar me penallti. Sa i përket faullit të Akuilanit ndaj Suarezit në zonë, arbitri algjerian ka lejuar sërish avantazhin, edhe pse vendimi i tij është i interpretueshëm. Sulmuesi i Uruguait njihet për simulimet e famshme, por në këtë rast kishte edhe kontakt. Ndërkohë që anësorët vepruan drejt kur i anuluan një gol Kavanit për pozicion jashtë loje në pjesën e parë. Dy kartonët e verdhë të Montolivos ishin të saktë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *