Home / Sport / Çmimi i Madh i Hungarisë, triumfon Luis Hamilton

Çmimi i Madh i Hungarisë, triumfon Luis Hamilton

Luis Hamilton në Çmimin e Madh të Hungarisë arkivon suksesin e tij të parë me Mercedesin, të katërtin në këtë pistë, e njëherësh barazon rekordin me Mikael Shumakerin.

Surprizë! Luis Hamilton, i cili vetëm 24 orë më parë kishte arritur kohën më të mirë në “pole position”, e cilësuar si një mrekulli dhe jo e pritshme prej vetë atij, dje në Çmimin e Madh të Hungarisë arkivon suksesin e tij të parë me Mercedesin, të katërtin në këtë pistë, e njëherësh barazon rekordin me Mikael Shumakerin. Një sukses me të vërtetë i mahnitshëm për vetë kushtet. I nxehti i madh i asfaltit shkoi deri në kufijtë e 51 gradëve. Megjithatë britaniku ka arritur të mbajë një ritëm të mirë edhe pas zëvendësimit të gomave të buta në “pit stop”- in e parë pas 9 xhirove. Deri në xhiron e 56-të, gara u dominua prej tij. Një garë strategjike për Lotusin dhe Red Bullin, që luftojnë për podiumin deri në xhiron e fundit, ku Kimi Raikonen e preu i dyti finishin duke shfrytëzuar plotësisht potencialin e Lotusit në administrimin e mirë të gomave me një “pit stop” më pak se kundërshtarët. Nga ana tjetër, strategjia e dënoi Fetelin, i cili dy herë e pa veten pas shpinës së McLaren-it të Xhenson Baton, çka e detyroi të humbasë kontaktin me Hamiltonin, madje edhe të parakalohej nga Kimi Raikonen. Vendi i katërt i takoi Mark Veber me Red Bull.
Dështimi Ndërkohë zhgënjimi i vërtetë i fundjavës në Hungari erdhi nga Ferrari. Alonso nuk ka qenë protagonist i pilotimit, i cili e mbylli garën në vend të pestë me një diferencë prej më shumë se gjysmë minute nga fituesi, për më tepër ka qenë nën sulmin e vazhdueshëm të Roman Groszhjan. Francezi do të kishte përfunduar përpara në qoftë se nuk do të penalizohej me një “drive through” të diskutueshëm, kur parakaloi Felipe Masën. Edhe pse Fernando Alonso kërkoi nga kjo garë rikuperimin e hendekut të 34 pikëve mes Fetel, nuk e realizoi një gjë tillë, përkundrazi e thelloi në 39 pikë, madje është parakaluar nga Kimi Raikonen në vend të dytë me 1 pikë. Më keq shkoi gara për Masën, vetëm i teti, i cili u bë protagonist edhe një i kontakti në start me Niko Rosbergun. Ndërkohë ky i fundit ka qenë i pafat, pasi e mbylli garën pesë xhiro nga fundi pas shpërthimit në flakë të makinës. Në limitet e “Grand Prix”- it gjermani tenton rokadën për vendin e dytë me finlandezin, por më kot, ndërsa Groszhjan mbajti nën tension Alonson, i cili mund t’i rrezikonte edhe vendin e pestë. Ai që mban frymën në finish është Luis Hamilton, që fiton garën e tij të parë te njëvendëshja e Mercedesit. Anglezi ngjitet kështu në vendin e 4-t në renditjen e përgjithshme me 124 pikë, ndërkohë Fetel e Veber “nënshkruan” një garë të rëndësishme për Red Bullin në klasifikimin e konstruktorëve që e ngjit në kuotën e 277 pikëve krahasuar me 208 pikët e Mercedesit dhe 194 të Ferrarit.

“Një nga fitoret më të rëndësishme”
Luis Hamilton pranoi se nuk mund të ishte më shumë se i lumtur, pasi arriti fitoren e parë me Mercedesin në Çmimin e Madh të Hungarisë. Hungaroring ka qenë gjithmonë një pistë e mbarë për Hamiltonin, i cili kur ishte me McLaren pat fituar 3 herë, por kjo e djeshmja ishte më e bukur. Pa dyshim, një fundjavë e jashtëzakonshme për kampionin e botës në 2008. “Kjo është ndoshta një prej fitoreve më të rëndësishme në karrierën time. Me gjithë këtë rezultat të sotëm, uroj të kemi edhe shumë më tepër për të dhënë. Ne duhet të punojmë fort. Është një ndjesi e pabesueshme dhe do të doja të falënderoja të gjithë tifozët. Gjithashtu ekipi im bëri një punë fantastike. Sot isha i uritur”.

“Edhe mund të kisha fituar”
Kimi Raikonen u shpreh i lumtur që e mbylli garën në Hungari përpara Sebastian Fetelit, por mendon se ai edhe mund të kishte tentuar fitoren nëse e shtuna nuk do t’ia vështirësonte situatën. “Jeta më bëhet e vështirë të shtunave dhe ne e paguajmë çmimin të dielën. Unë kisha një makinë të mirë, bëmë dy ndalesa dhe diferenca me Seb ishte mjaft e ngushtë. Megjithatë, në fund ne kemi fituar disa pikë për kampionatin. E ndjeva që gomat ishin mirë në fund, por nuk kisha asnjë dyshim që do ta mbaja Fetelin pas”.

Sebastian Fetel, i pakënaqur me paraqitjen
Në finish u mendua që Fetel e parakaloi “djaloshin e akullt”, por më pas hoqi dorë. “Ishte i vetmi moment kur mund të parakaloja. Kimit iu afrova shumë, por në kthesat e fundit ai ishte shumë i shpejtë dhe nuk munda ta kaloja. Nuk më la hapësirë. Sa për garën, mund të them që nuk ka qenë nga ato më të mirat. Ka qenë e vështirë që nga fillimi e deri në fund. Luis mori menjëherë avantazhin”. Së fundmi edhe një përgjigje rreth thashethemeve se Alonso do të shkojë te Red Bulli, pas një takimi mes menaxherit të tij dhe Horner: “Nuk ia jap makinën time Alonsos. Për skuadrën e tij nuk është kompliment. Këtë makinë e dua dhe do të dëshiroja ta mbaja edhe më tej”.

Horner: Mos e nënvlerësoni Hamiltonin për titullin
Kristian Horner beson se triumfi i Luis Hamiltonit në Hungari sinjalizon ardhjen e tij në luftën për titullin kampion. Piloti i Mercedesit arriti një fitore dominuese të dielën. Hamilton është 124 pikë, 48 prapa liderit të kampionatit Sebastian Fetel. I pyetur nëse ai beson se Hamilton mund ta ngushtojë diferencën e pikëve me Fetel, Horner tha për “Sky Sports F1″: “Po, e sigurt. Kjo ishte fitorja e tij e parë për këtë vit, por ka ende një rrugë të gjatë deri në fund dhe askush nuk duhet nënvlerësuar për trofeun”. Horner dha një koment edhe për garën: “Megjithatë ka qenë një fund shumë i fortë në podium. Ne thelluam epërsinë tonë në klasifikimin e konstruktorëve dhe një dorë në këtë dha edhe Marku”.

“Tani të fitojmë 3-4 gara radhazi”
Fernando Alonso u duk optimist në rrugën për titullin kampion, pavarësisht vendit të 5-të në “Grand Prix”-in e Hungarisë: “Ne gjithmonë kemi luftuar e sulmuar duke menaxhuar klasifikimin. Ky vit nuk është ndryshe nga të tjerët. Mungojnë edhe nëntë gara të tjera deri në fund, kështu që në lojë janë edhe shumë pikë. Ne i kemi mundësitë për ta thënë fjalën tonë duke filluar pas verës me Spa-në dhe Monzën, për të qenë në të njëjtin nivel me punën e kundërshtarëve. Mund të fitojmë 3-4 gara radhazi”, – deklaroi spanjolli i Ferrarit, i cili pranoi se në garën e Hungarisë kanë qenë shumë të ngadalshëm në krahasim me të tjerët. “Ka qenë një garë e fortë për ne dhe ky muaj ka qenë larg pritshmërive tona. Megjithatë nuk kemi humbur shumë terren me Fetelin”.

Radha e mbërritjes
P I L O T I KOHA
1. Luis Hamilton 1:42:29.445
2. Kimi Raikonen +10.9 sekonda
3. Sebastian Fetel +12.4
4. Mark Veber +18.0
5. Fernando Alonso +31.4
6. Roman Groszhjan +32.2
7. Xhenson Baton +53.8
8. Felipe Masa +56.4
9. Serxhio Perez +1 xhiro
10. Pastor Maldonado +1 xhiro
11. Niko Hulkenberg +1 xhiro
12. Zhan-Erik Vernje +1 xhiro
13. Daniel Riçiardo +1 xhiro
14. Xhiedo der Garde +2 xhiro
15. Çarls Pik +2 xhiro

Klasifikimi i pilotëve
P I L O T I PIKËT
1. Sebastian Fetel 172
2. Kimi Raikonen 134
3. Fernando Alonso 133
4. Luis Hamilton 124
5. Mark Veber 105
6. Niko Rosberg 84
7. Felipe Masa 61
8. Roman Groszhjan 49
9. Xhenson Baton 39
10. Pol di Resta 36
11. Adrian Sutil 23
12. Serxhio Perez 18
13. Zhan-Erik Vernje 13
14. Daniel Riçiardo 11
15. Niko Hulkenberg 7

Klasifikimi i konstruktorëve
S K U D E R I A PIKËT
1. Red Bull 277
2. Mercedes 208
3. Ferrari 194
4. Lotus 183
5. Force India 59
6. McLaren 57
7. Toro Rosso 24
8. Sauber 7
9. Uilliams 1

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *