Home / Lajme / Maqedoni / Letër e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, dërguar përfaqësuesve më të lartë ndërkombëtarë (VIDEO)

Letër e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, dërguar përfaqësuesve më të lartë ndërkombëtarë (VIDEO)

31 Korrik – Nëpërmjet kësaj letre personale, dua që t’ju siguroj për konsideratën time më të lartë dhe t’ju ftoj që ta shfrytëzoni autoritetin tuaj ndaj miqve dhe institucioneve që kanë kontribuuar shumë në këto procese madhore paqësore në mënyrë që ta kapitalizojmë investimin tonë të madh të përbashkët në Maqedoni në dekadën e fundit nëpërmjet të arritjes së qëllimit përfundimtar, anëtarësimit të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me rastin e 12-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe pas më shumë se një dekade të investimeve të përbashkëta kapitale nga ana e komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve vendore, u dërgoi letër përfaqësuesve më të lartë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuuar shumë në Maqedoni dhe rajon pas vitit 2001, duke i falënderuar edhe një herë për kontributin tyre të çmuar drejt këtyre arritjeve.

“Kjo ndërmarrje e sinqertë dhe e përbashkët solli dialog, paqe, siguri, stabilitet, marrëdhënie stabile ndëretnike dhe perspektivë Euroatlantike për Maqedoninë, kështu që vendi im mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, kryesisht si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, NATO njohu arritjet e vendit dhe konkludoi që Maqedonia është e gatshme për t’u bërë anëtare e aleancës, ku të gjithë ne synojmë.

Tash, po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim që të gjitha këto arritje mund të rrezikohen nga kontesti i pazgjidhur i emrit të vendit tonë me fqinjin jugor Greqinë, kontest ky që po e mban Maqedoninë larg kurorëzimit të të gjitha investimeve me qëllimin përfundimtar, anëtarësimin në NATO dhe BE.

Në 100 vjetorin e luftërave tragjike Ballkanike, koha ka ardhur për pajtim midis kombeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e të gjitha vendeve tona në NATO dhe Bashkimin Evropian. Republika e Maqedonisë dhe Greqia patjetër duhet të arrijnë një marrëveshje tani dhe të ndjekin rrugën e kompromisit që e arritën së shpejti edhe Kosova dhe Serbia. Kjo do t’i përmirësonte në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet ndërfqinjësore, por edhe do të siguronte paqe, siguri dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Andaj, dialogu dhe kompromisi janë rrugët më të mira drejt mbylljes së kapitujve të luftërave në rajon dhe hapjes së mundësive për bashkëpunim dhe integrimin Euroatlantik të tërë rajonit. Kjo duhet të ndodh tani.

Nëpërmjet kësaj letre personale, dua që t’ju siguroj për konsideratën time më të lartë dhe t’ju ftoj që ta shfrytëzoni autoritetin tuaj ndaj miqve dhe institucioneve që kanë kontribuuar shumë në këto procese madhore paqësore në mënyrë që ta kapitalizojmë investimin tonë të madh të përbashkët në Maqedoni në dekadën e fundit nëpërmjet të arritjes së qëllimit përfundimtar, anëtarësimit të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Për ta arritur këtë, do ta vlerësoja shumë kontributin tuaj të çmuar në sjelljen e kësaj çështje në vëmendjen urgjente të Komunitetit ndërkombëtar, uljen e të dyja palëve në mënyrë që të fillojë dialogu në nivel të lartë sa më parë, si dhe arritjen e kompromisit përfundimtar mbi kontestin e emrit midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”, thotë Ahmeti në letrën e tij, dërguar përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *