Home / Sport / Murinjo: Deri më 31 gusht pres Runin

Murinjo: Deri më 31 gusht pres Runin

Zhoze Murinjo refuzoi të përjashtonte që Uejn Runi mund të firmosë me Çelsin. Sipas tij, blutë kishin kohë deri ditën e fundit të merkatos. Portugezi vendosi dhe objektivat e sezonit të ri, ku sipas tij Premier Liga është trofeu më i rëndësishëm.

Pyetjes nëse Runi ishte në planet e Çelsit, ish-trajneri i Realit iu përgjigj kështu: “Kjo është një periudhë kur të gjitha emrat e klubeve të mëdha dhe menaxherët e tyre lidhen me gjithçka. Deri më 31 gusht do të jetë e njëjta histori e vjetër, do të ketë vetëm spekulime. Në fund do të mësohet nëse diçka do të bëhet realitet. Për momentin, unë jam shumë i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion. Nuk po mendoj për lojtarë të tjerë, veç atyre që do të na bashkohen nga pushimet më 28 korrik. Pjesa e parë e punës sime është të marr më të mirën nga këta futbollistë dhe t’i përmirësoj të rinjtë në nivelet e maksimumit të tyre. Deri më 31 gusht do të presim nëse do afrojmë ndonjë lojtar që mund të na përmirësojë, por jam i përqendruar vetëm te puna me këta djem. Mund t’u them se është kënaqësi të shkëmbesh eksperiencën me ta. Më kishte marrë malli të punoja me këtë frymë. Pas një jave stërvitjeje jam sërish i lumtur, sepse djemtë e mi janë fantastikë”. Mojes e ka shpallur të pashitshëm 27-vjeçarin, por nënvizoi se ai do jetë një zgjedhje e dytë pas Van Persit. “Nëse Runi do të jetë zgjedhje e dytë, atëherë kjo do mund t’i rrezikojë dhe vendin në kombëtare”, – shtoi tekniku nga Setubali.
Debutimi – Sot Çelsi do të luajë miqësoren e parë në Bangkok, kundër Singha XI, formacioni tajlandez që mundi Junajtid pak ditë më parë. 50-vjeçari konfirmoi dhe formacionet, ku në pjesën e parë do i japë shansin Lukakut të luajë titullar. “Kam dërguar asistentët e mi për të parë ndeshjen me Junajtid dhe mund të them se kanë lojtarë shumë të mirë, nuk janë vetëm tajlandezë. Janë një ekip i vështirë taktikisht për t’u përballur. Është vetëm një miqësore, por neve nuk na pëlqen të humbasim”. Ai shtoi se në një javë e ka sfilitur skuadrën për të arritur gjendjen optimale: “Në 7 ditë kemi zhvilluar 14 seanca stërvitore, ose 21 orë stërvitje intensive. Në këto momente lojtarët janë të lodhur, por vetëm për pak kohë”. Në fund vendosi dhe objektivat e sezonit, ku primare do të jetë titulli i tij i tretë i Premier Ligës, ndërsa nuk harroi të sulmonte dhe ish-trajnerin Benitez: “Në Angli është kampionati më i vështirë për t’u fituar, sepse ka shumë skuadra pretendente. Dy skuadrat e Mançesterit janë super, Liverpuli po përmirësohet, ndërsa Totenhemi është ekip fantastik dhe ka bërë disa blerje interesante. Arsenali mbetet gjithnjë një rival. Të fitosh Ligën e Europës do të ishte një dështim. Më falni, por ky trofe nuk është për lojtarët e mi!”.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *