Home / Sport / Skënderbeu tremb Neftçin, një barazim shprese në Baku

Skënderbeu tremb Neftçin, një barazim shprese në Baku

Korçarët kanë barazuar 0-0 në ndeshjen e parë të turit të dytë në transfertën e Bakut ndaj Neftçit vendës. Kampionët e Shqipërisë kanë rezistuar përballë azerëve që kishin edhe mbështetjen e rreth 10 mijë tifozëve.

Skënderbeu e ka nisur mirë aventurën e këtij sezoni në Ligën e Kampioneve. Korçarët kanë barazuar 0-0 në ndeshjen e parë të turit të dytë në transfertën e Bakut ndaj Neftçit vendës. Kampionët e Shqipërisë kanë rezistuar përballë azerëve që kishin edhe mbështetjen e rreth 10 mijë tifozëve. Portë e blinduar nga Shehi, mbrojtje e hekurt, mesfushë e lëvizshme dhe pak sulm. Skënderbeu arrin të dalë me sukses nga sfida e parë. Nga ana tjetër, vendësit krijojnë më shumë volum dhe raste për shënim, por u mungon konkretizimi. Nuk janë ata të frikshmit, ashtu siç ishte thënë gjatë këtyre ditëve. Azerët ishin “tokësorë”.

NEFTÇI – SKENDERBEU 0-0
NEFTÇI: Stamenković, D.Silva, Mitreski, Bertucci, Shukurov, Sadygov, Abdullayev (Imamverdiyev 69′), Flavinho, Wobay (Nasimov 86′), Ramos, Platje. Trajner: Boyukagha Hajiyev
SKENDERBEU: Shehi, Arapi, Gvozdenovic, Radas, Ademir, Lilaj, Shkembi, Orelesi, J.Sefa, G.Lika (Nimaga 86′), Pejiç. Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: L. Trattou, M. Soteriou, A. Kyriakou (Qipro)
Kartonë të verdhë: Sadygov 22′, Mitreski 77′, Shukurov 81′, Flavinho 90+2′ / Ademir 59′, Arapi 65′, Sefa 79′, Abazi 90+2′

1Pjesa e parë Ndeshja nis me Skënderbeun në sulm. Është Pejiç që fiton një goditje dënimi dhe atë e merr përsipër Sefa. Mesfushori provon goditjen e menjëhershme në portë nga rreth 30 metra, por grushton portieri vendës. Tri minuta më pas vjen edhe gjuajtja e parë në portë për vendësit. Një pasim i gjatë nga mesi i fushës gjen Platjen, që lëviz bukur dhe në zonë godet në pozicion diagonal, topi kalon shumë pranë shtyllës pingule të Shehit. Në minutën e 8-të vjen edhe rasti më i pastër për korçarët. Aksion perfekt që nis nga këmbët e Orelesit në të majtë, i cili shërben në qendër për Pejiç dhe ky i fundit pason shkurt tek Lilaj, i cili në hyrje të zonës shmang dy mbrojtës miq dhe ka një rast të artë, por goditja e tij devijohet në këndore nga portieri azer. Pas këtij momenti, Skënderbeu shihet më i tërhequr në fushë, në një kohë që vendësit sulmojnë me forca të shumta dhe krijojnë raste. Në minutën e 18-të është Flavinjo që krijon hapësirën e nevojshme dhe provon gjuajtjen nga rreth 30 metra, por Shehi pret pa problem në dy kohë. Në të 24-ën, Uobay niset në një kundërsulm të rrezikshëm, por bllokohet mirë nga Radas në hyrje të zonës dhe topi përfundon në duart e portierit të korçarëve. Një minutë më pas vjen edhe rasti më i pastër i sfidës deri në këto momente. Platje në të djathtë të sulmit shmang bukur një mbrojtës mik në zonë dhe shërben për Flavinjon, që është vetëm 5-6 metra larg portës së boshatisur, por çuditërisht nuk shënon duke e dërguar topin mbi traversë. Pjesa e parë mbyllet me një aksion të mirë të vendësve. Në minutën e 40-të, është Uobay në hyrje të zonës që shërben në të djathtë për Flavinjon, i cili pason në zonë për Platje, që del huq nga fare afër dhe topi përfundon jashtë.
2Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis sërish me aksion për miqtë. Është Sefa që nga rreth 30 metra në pozicion diagonal provon direkt goditjen në portë, por gardiani vendës e devijon në goditje këndi. Nga flamuri është Shkëmbi që kroson në zonë dhe Pejiç godet me kokë, por topi përfundon jashtë. Në minutën e 52-të, vendësit kanë një rast shumë të mirë. Është Shukurov që lëshon një top të gjatë për Platje, i cili i vetëm me Shehin nuk arrin të shënojë pasi topi pritet nga portieri mik. Gardiani i korçarëve pëson një dëmtim të lehtë pas kësaj përplasjeje. Me kalimin e minutave, loja në fushë bëhet më e ashpër nga të dyja palët. Dhe kartonët e verdhë jepen thuajse në çdo ndërhyrje. Vendësit spostojnë plotësisht lojën në gjysmëfushën korçare, por pa arritur të shënojnë. Trajneri azer ndërhyn në formacion në minutën e 69-të duke nxjerrë nga loja Abdullayev dhe hyn Imamverdyiev. Në minutën e 79-të, vendësit kanë një rast të mirë. Është Flavinjo që pason direkt nga goditja e dënimit nga rreth 25 metra për Uobay në zonë, i cili në pozicion diagonal godet, pret Shehi në dy kohë dhe shpëton skuadrën e tij nga një gol i sigurt. Pozicioni i sulmuesit vendës është shumë i dyshimtë. Në minutën e 81- të, Josa nxjerr nga loja Sefën për Abazin për t’i dhënë më shumë freski mesfushës. Sfida i afrohet fundit, në një kohë që lojtarët e Neftçit rrisin presionin. Në një moment është Flavinjo që hyn bukur në zonë dhe ka hapësirën e nevojshme, por pasimi i tij devijohet në goditje këndi nga një mbrojtës mik. Në të 86-ën, Josa nxjerr nga fusha Likën për Nimagën. Në minutën e 92-të, Abazi bëhet protagonist i një përplasje nervash me Flavinjon. Pas një ndërhyrje të këtij të fundit ndaj lojtarit korçar, afrohet për ta ngritur me forcë nga tapeti, por Abazi reagon ashpër. Në këtë moment, gjyqtari i ndëshkon të dy lojtarët me karton të verdhë. Takimi mbyllet me dy goditje të lehta në portë për korçarët, fillimisht të Orelesit dhe më pas të Shkëmbit, por që nuk sjellin problem për gardianin vendës.

Josa ne BakuJosa: Ishte një barazim me zemër
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e ka nd jekur në këmbë të gjithë ndeshjen e djeshme ndaj Neftçit. Shumë udhëzime dhe fishkëllima ndaj të tijve për t’u tërhequr vëmendjen. Ora ishte objekti që shikonte më shumë, sidomos gjatë minutave të fundit. Në fund ka mbetur i kënaqur nga rezultati dhe nga loja. Të besuarit e tij arritën të rezistonin në një transfertë të vështirë ndaj një ekipi shumë të fortë. Por, sapo ka dalë në konferencën për shtyp, ai ka nisur të mendojë menjëherë për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas një jave në Korçë. Kualifikimi kërkon shumë punë që të arrihet.
Josa Në prononcimin e tij përpara mediave në lidhje me sfidën e djeshme, tekniku i skuadrës korçare u shpreh: “Një ditë përpara ndeshjes në konferencën për shtyp përmenda emrat e futbollistëve të Neftçit, të cilët janë shumë të mirë. Dhe, në këtë ndeshje, ata na vunë shumë në vështirësi. Kundërshtarët bënë një lojë të mirë. Për sa i përket Skënderbeut, ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë në krahasim me të parën. Ndeshja përfundoi në barazim pa gola, çka do të thotë se do ta kemi shumë të vështirë në sfidën e kthimit në fushën tonë. Neftçi do të vijë në Korçë me një qëllim, ndërsa ne kemi në favor dy rezultate, përveç barazimit me gola. Në pjesën sulmuese duhet të jemi më mirë dhe të përmirësojmë disa gjëra. Nuk mendoj se Neftçi ka mbetur i kënaqur nga rezultati. Kemi edhe një ndeshje për të zhvilluar dhe sigurisht që gjërat janë të vështira. Le të shpresojmë te kualifikimi në sfidën tjetër”. Patë ndonjë surprizë nga Neftçi? “Nuk e di nëse po përgatisnin ndonjë surprizë për ne, por e kam kuptuar se nuk do të përdornin as skemën 4-4-2 dhe as 4-4-1-1. Bertuçi ishte një lojtar shumë i mirë, i cili na hapi probleme në pjesën e parë. Por, ne kemi luajtur me zemër”, – shprehet trajneri Josa. – Kam folur gjatë me lojtarët e mi në hotel. Megjithatë, insistoj të them se sfida e kthimit do të jetë shumë e vështirë”. Tekniku i Skënderbeut është pyetur edhe për vonesat e lojtarëve të tij, nëse kanë qenë me qëllim që të fitonin kohë. Në lidhje me këtë ai është përgjigjur: “Kjo nuk është në traditën tonë. Asnjëherë nuk kam ndonjë respekt për lojtarët që vonojnë lojën. Por, këto janë gjëra që ndodhin herë pas here. Unë jam i bindur se edhe lojtarët e Neftçit kanë vepruar kështu një vit më parë në ndeshjen ndaj Interit në Milano”, – përfundoi prononcimin përpara mediave trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.

Takaj dhe PejicTakaj: Tani jemi ne të favorizuar
Pas ndeshjes së djeshme, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, u shpreh: “Ishte një nga ndeshjet më të mira të zhvilluara në transfertë përballë një ekipi që luante shumë fort. Më duhet t’i përgëzoj të gjithë për punën që bënë. Dhanë gjithçka në fushë dhe më në fund morën shpërblimin. Unë e kisha deklaruar edhe më parë që ekipi është shumë mirë dhe nuk duhet ta shikoni nga miqësoret e zhvilluara. E kisha parashikuar një rezultat pozitiv dhe ja ku doli. Ekipi bëri një ndeshje të madhe. Luajtën mirë të gjithë, saqë në pjesën e parë ishim ne më dominues se kundërshtari. Tani do të mendojmë për ndeshjen e kthimit. Luajmë në Korçë përballë tifozerisë sonë dhe do të kemi një plus më shumë. Do të shikoni një tjetër rezultat pozitiv. Do të jetë pa dyshim një ndeshje e vështirë, por jemi më të favorizuar. Shanset për kualifikim janë përmbysur, kemi 51 % mundësi përballë 49% të mundësive të kundërshtarit”, – përfundon Takaj.

Lilaj: Morëm atë që meritonim
Pas ndeshjes së djeshme, mesfushori Sabien Lilaj u shpreh: “Ishte një ndeshje shumë e lodhshme, të gjithë lojtarët dhanë maksimumin. Dhe si përfundim morëm atë që meritonim dhe që treguam në fushë. Por, sigurisht, ky rezultat nuk do të na vërë në gjumë, sepse pas një jave na pret një ndeshje tjetër e vështirë në Korçë. Do të duhet të luajmë sërish po kaq mirë dhe me ndihmën e tifozëve, mendoj se do ia dalim. Sigurisht që puna më e vështirë u përmbush me sukses. Jemi më afër seç ishim dje, por sërish duhet kujdes. Ende nuk jemi të kualifikuar. Shanset janë 50 me 50″, – nënvizon prononcimin Lilaj.

Sefa: Asgjë nuk ka përfunduar
Pas sfidës së djeshme, mesfushori i Skënderbeut, Jetmir Sefa, u shpreh: “Nuk di çfarë të them më parë, jam shumë i kënaqur. Kemi zhvilluar një ndeshje të madhe dhe e kemi dominuar kundërshtarin në fillim. Jam i sigurt që askush nuk e kishte menduar këtë rezultat, por dhamë gjithçka në fushë. Pjesën e parë zhvilluam një lojë më të mirë, e vumë disa herë në vështirësi kundërshtarin. Ndërsa tani duhet të jemi të përqendruar te ndeshja e kthimit. Kemi marrë një favorizim nga rezultati, por asgjë nuk ka mbaruar. Do të na duhet të përsërisim një lojë shumë më të mirë në Korçë për të siguruar kalimin në turin tjetër. Mendoj se do të jetë më e vështirë”, – përfundoi Sefa.

Orelesi: Luajtëm një ndeshje të mirë
“Ndeshja që zhvilluam tregon një pjesë të forcës së Skënderbeut. Bëmë një ndeshje të mirë duke dalë jashtë parashikimeve të të gjithëve. Luajtëm mjaft të motivuar në fushë dhe me pak fat mund t’ia kishim dalë mbanë për të marrë qoftë edhe fitoren. Dominuam një pjesë të takimit dhe kishim raste për shënim. Por asgjë nuk ka mbaruar, kemi një ndeshje akoma më të vështirë përpara. Kemi shansin e madh”.

Baku, trajneriHajiyev: Korçarëve u dukej vetja si në spital…
Pas ndeshjes së djeshme ndaj Skënderbeut, trajneri i Neftçi Baku, Boyukagha Hajiyev, në konferencën për shtyp u shpreh: “Megjithëse ndeshja përfundoi në barazim 0-0, të gjithë komponentët e lojës flasin për ne. Lojtarët shqiptarë e konsideronin veten sikur ishin në spital, duke u shtrirë në fushë pas çdo dyluftimi. Pavarësisht këtij barazimi pa gola, jam i bindur që do të kualifikohemi në turin tjetër të Ligës së Kampioneve”. Ndoshta lojtarët nuk ishin gati fizikisht? “Jo, mendoj se ishin përgatitur normalisht dhe nuk ka probleme mes lojtarëve. Në lidhje me pozicionin e Flavinjos, ai mund të luajë në çdo vend. Sot(dje) ne ishim të pafat. Nëse kishim vetëm një qëllim në përballjen e sotme(dje) dhe nuk e arritëm, besoj se do ta realizojmë në sfidën e kthimit pas një jave. Platje duhej të kishte shënuar të paktën një gol. U kisha thënë lojtarëve se tifozët presin vetëm fitore. Dhe ata menjëherë më pas nisin diskutimet kur ndonjë gjë nuk shkon siç duhet”, – u shpreh tekniku i skuadrës azere. Në lidhje me kartonët e shumtë që morën lojtarët e Neftçit, Hajiyev tha: “Nuk arritën ta përballonin tensionin e lojës. Gjithashtu, kishin pakënaqësi edhe ndaj gjyqtarit. Do ta analizojmë me imtësi këtë sfidë dhe disa prej vendimeve të arbitrit. Mos mendoni se ata festojnë dhe kanë arritur kualifikimin. Në pjesën e parë kemi qenë shumë lart në krahasim me Skënderbeun. Ata luanin vetëm në mbrojtje. Megjithatë, ishim të frikësuar edhe nga kundërsulmet e tyre që në ndonjë rast ishin të rrezikshme. Ka ende edhe një takim dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar më tej”, – përfundoi tekniku i Neftçit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *