Home / Sport / Trajneri Shaqiri dhe mesfushori Rexhepi largohen nga Shkëndija

Trajneri Shaqiri dhe mesfushori Rexhepi largohen nga Shkëndija

Situata te Shkëndija e Tetovës përkeqësohet nga çasti në çast, pasi që pas trajnerit Shaqiri, skuadrën ‘kuqezi’ e ka braktisur edhe mesfushori Elmedin Rexhepi.

Trajneri strugan Artim Shaqiri ka vendosur të largohet nga bankina e Shkëndijës, si pasojë e situatës së rënduar financiare dhe organizative në klubin tetovar. Edhe përkundër premtimeve se situata këto ditë do të përmirësohet dhe ekipi do të marrë mbështetje financiare, gjendja mbetet e pandryshuar dhe si pasojë Shaqiri vendos të largohet. “Më vjen keq që duhej të merrja këtë vendim, por s’kam fuqi për të vazhduar në këto kushte. Pas gjithë problemeve që përjetuam sezonin e kaluar, situata nuk ndryshon edhe tani edhe pse kishte premtime të ndryshme se gjendja do të përmirësohet. Në një muaj deri në fillim të sezonit nuk ka qartësi në ekip, kështu që mua më duhet të largohem. Të premten do të zhvilloj seancën e fundit stërvitore me ekipin dhe më pas do të përshëndetemi në këtë ndarje përfundimtare. Uroj që klubi të dalë nga kjo agoni dhe të kthehet në rrugën e sukseseve. Falemenderoj gjithë ata që më përkrahën gjatë qëndrimit tim në Shkëndijë”, deklaroi për televizionin Alsat-M, tani më ish-trajneri i Shkëndijës, Artim Shaqiri. Strugani erdhi në bankinën e ‘kuqezinjëve’ disa xhiro pas fillimit të sezonit të kaluar dhe fitoi ‘Kupën Pavarësia’ në Shqipëri. Ai drejtoi ekipin deri në finalen e Kupës me Teteksin, të cilën fatkeqësisht e humbi dhe lëshoi rastin të sigurojë dalje në Evropë. Ditët në vijim do të vendoset për ndryshimet eventuale në radhët e Shkëndijës.

Situata te Shkëndija e Tetovës përkeqësohet nga çasti në çast, pasi që pas trajnerit Shaqiri, skuadrën ‘kuqezi’ e ka braktisur edhe mesfushori Elmedin Rexhepi. I pakënaqur me situatën në klub, Rexhepi vendos të kalojë te rivali qytetit. Edhe pse paralajmëroi qëndrimin në skuadër edhe përkundër krizës dhe largimit të shumë futbollistëve, Rexhepi ndryshon mendim pasi kryesia nuk arriti t’i jepte atë që i premtoi në fillim të përgatitjeve. “Më vjen shumë keq që marr këtë hap, por s’kam zgjedhje tjetër. Detyrohem në këtë moment të mendoj për veten dhe për këtë arsye pranova ofertën të kaloj te Renova. Shpresoj vetëm që Shkëndija të kalojë këtë situatë dhe të mos pësojë ky klub që ka vendin në krye të tabelës. Falemenderoj ‘Ballistët’ për përkrahjen dhe u dëshiroj gjithë të mirat në të ardhmen”, u shpreh për TV Alsat-M, Elmedin Rexhepi. ‘Leci’ erdhi te Shkëndija tre vite më parë dhe fitoi me ‘kuqezinjtë’ kampionatin dhe Super Kupën e Maqedonisë, ndërsa ishte më i merituari që Shkëndija hyri në finale pasi shënoi golin e vetëm në barazimin 1:1 në gjysmëfinale me Vardarit. Rexhepi është futbollisti i dytë i Shkëndijës që këtë verë kalon në radhët e Renovës, pasi të njëjtën gjë ditë më parë e bëri edhe Mexhit Neziri.

Alsat-M

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *