Home / Lajme / Maqedoni / Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut

Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut

2 gusht-Lexuesi në këtë libër do gjejë tabelat me të dhëna shkencore për emrat e fshatrave si janë quajtur deri në vitin 1928, emrat e rinj, numrin e banorëve sot si dhe një hartë Etnografike ku ndodheshin dhe ndodhen sot fshatrat ku është folur dhe flitet ende gjuha shqipe.

Doli në qarkullim këto ditë libri “Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut” (Maqedoninë greke dhe Trakia greke) e historianit Arben P. Llalla.

Pas një pune disa vjeçare studiuesi Arben Llalla ka sjell të dhëna për demografinë e fshatrave shqiptar në Greqinë e Veriut duke sjellë të dhëna shkencore se deri në vitin 1913, ku edhe filloj shpërngulja e madhe e shqiptarëve që jetonin në Greqinë e sotme ka patur rreth 90 vendbanime ku jetonin shqiptarët me etnitë e tjera. Sot nga të dhënat që na ofron libri dalin se në rreth 42 fshatra flitet ende gjuha shqipe.

Autori më shumë në këto të dhëna është mbështetur në statistikat që janë bërë nga të huajt nga viti 1840 e deri më sot. Për nga lloji libri Demografia e Viseve Shqiptar në Greqinë e Veriut është i pari që botohet nga një autor shqiptar.

Në fund të librit Arben Llalla sjell tabelat me emrat e vjetra të fshatrave si dhe emrat e sotëm edhe dy harta Etnografike duke ja lehtësuar lexuesve se për cilat vise bëhet fjalë ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët ende në Greqi. Libri shoqërohet edhe me shumë fotografi të vjetra nga jeta e shqiptarëve në këto vendbanime. Autori vetë i ka shkelur shumicat e fshatrave për të cilat shkruan para disa viteve. Libri flet vetëm për fshatrat që janë rreth kufirit të Greqisë me pjesën juglindje të Shqipërisë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë.

Ndër të tjera historiani Arben Llalla shkruan:

Qëllimi ynë kryesor është që të njohim demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe të Trakisë greke, duke përjashtuar fshatrat shqiptar në krahinën e Çamërisë dhe në ato vendbanime ku banojnë arvanitasit. Në këtë libër do të sjellim të dhëna shkencore në bazë të statistikave të udhërrëfyesve të huaj të shek. XIX dhe XX, për banorët, etnitetin dhe besimin fetarë të fshatrave ku shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë me popullsitë e tjera. Një pjesë të këtyre qyteteve dhe fshatrave i kam vizituar gjatë viteve 1991-2004, kur kam jetuar në Greqi. Kam takuar grekë me origjinë shqiptare me të cilët kuvendoja shqip. Prej tyre, mësova shumë gjëra interesante rreth jetës, këngëve, traditave dhe riteve të ndryshme që bëjnë të ruhen vlerat shpirtërore të një populli.

Në përfundim kam nxjerr se deri në vitin 1913 në Greqinë e Veriut flitej gjuha shqipe në 59 vendbanime, të cilat 22 ishin në prefekturën e Kosturit, 23 ne prefekturën e Follorinës, 5 në prefekturën e Dhramës, 3 në Ksanthi etj. Gjatë luftërave Ballkanike dhe e luftës së Parë Botërore popullsia shqiptare në Greqinë e Veriut u gjend përball shumë zjarreve dhe pjesa më e madhe u detyruar të emigrojë me dhunë për në Turqi, një pjesë e vogël në Shqipëri dhe ata që mundët të paguanin shuma në të holla ushtarëve grek mbetën brenda territorit të shtetit grek që dalëngadalë do të asimiloheshin ndër vite.

Sot, pas 100 vitesh, pra më 2013 në Greqinë e Veriut gjuha shqipe flitet në 42 fshatra, prej të cilat 7 ndodhen në prefekturën e Follorinës, 19 ndodhen në prefekturën e Evros, 3 në Selanik, 5 në Serres, 4 në Ksanthi, etj.

Lexuesi në këtë libër do gjejë tabelat me të dhëna shkencore për emrat e fshatrave si janë quajtur deri në vitin 1928, emrat e rinj, numrin e banorëve sot si dhe një hartë Etnografike ku ndodheshin dhe ndodhen sot fshatrat ku është folur dhe flitet ende gjuha shqipe.

Kohën që jam marrë për të shkruar këtë libër ka qenë shumë e vështirë për mua duke pasur parasysh vendin dhe vitet ku jetojmë. Megjithatë edhe në kushte të vështira mendoj se kam sjellë për lexuesit një libër që do t’u shërbejë për të njohur demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe Trakinë greke. Shpeshherë këtyre fshatrave përveç se u janë ndërruar emrat, disa herë ju ndërrohen edhe kufijtë bashkiak apo komunal. Besoj se këto ndërrime të shpeshta janë bërë për të çorientuar studiuesit që merren me studime rreth demografisë së fshatrave në Greqi, por edhe banorët që në thellësi të shpirtit të tyre ndihen me kombësi jo-greke, të mos jenë të grupuar në masë të madhe. (INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *