Home / Sport / Muhamet Sejdini: ‘Të bashkuar mund të përmirësojmë futbollin në vend’

Muhamet Sejdini: ‘Të bashkuar mund të përmirësojmë futbollin në vend’

Pas Rexhep Bexhetit dhe Qenan Idrizit, kërcovari Muhamet Sejdini është shqiptari i tretë që ulet në pozitën e nën-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Pak më i ri në moshë se sa paraardhësit e tij, por ambicioz dhe i bindur për të kërkuar deri në fund ‘hisen’ e shqiptarëve në shtëpinë e futbollit vendor. Sejdini mendon se shqiptarët ngadalë duhet të vetëdijësohen dhe në mënyrë të cilvilizaur të tregojmë vlerat sportive, kulturore dhe njerëzore. Sejdini ka besim se futbolli në Maqedoni mund të përmirësohet, por vetëm nëse të gjithë strukturat bashkohen në realizimin e planeve afatgjate. Më poshtë ju sjellim bisedën e plotë me nën-kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, z. Muhamet Sejdini.

Koha: Z. Sejdini duke ju uruar emërimin tuaj në postin e nën-kryetarit të FFM-së, na flitni për përshtypjet e para në këtë periudhë sa jeni në këtë pozitë?

M. Sejdini: Ju falemenderoj për uratat dhe gjithashtu për kohën që ndatë për këtë intervistë. Para se të flas për përshtypjet e mija për pozitën e nën-kryetarit, dua që të shfrytëzoj këtë intervistë për të falemenderuar gjithë ata që më mbështetën mua dhe kandidaturën time për këtë pozitë. Falemenderoj për besimin e dhënë dhe premtoj se do të tentoj që të përfaqësoj me nder shqiptarët në Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe do të tentoj që gjatë gjithë kohës të marim atë që na takon. Sa i përket periudhës së kaluar prej kur jam ulur në këtë pozitë, do t’a kisha vlerësuar si pozitive, megjithse më shumë ka qenë një fazë adaptimi. Kam vendosur raporte korrekte me të gjithë në FFM, përfshi këtu edhe presidentin z. Ilco Gjorgjioskin. Shpresoj që me kalimin e kohës të jemi sa më produktiv, në interes të progresit të futbollit në Maqedoni.

Koha: Edhe pse posti i nën-kryetarit është pozita më e lartë deri tani, gjithsesi ju nuk jeni i panjohur në FFM, pasi edhe më herët keni qenë i kycur në sektorin e grup-moshave të reja. Si e vlerësoni këtë periudhë?

M. Sejdini: Po, është e vërtetë se para se të emërohem nën-kryetar i FFM-së, kam qenë kryetar i komisionit për grupmosha. Kam tentuar të punoj me nder dhe të bëj më të mirën nga vetja, ndërsa nëse kam punuar mirë duhet të vlerësojnë tjerët, e jo unë. Mirëpo fakti që më avansuan dhe u emërova nën-kryetar i FFM-së, më bën të mendoj se mbase kam kryer me sukses detyrën time në komisionin për grupmosha të reja.

Koha: Cili është vizioni juaj për futbollin në Maqedoni?

M. Sejdini: Të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se futbolli në Maqedoni nuk është në nivelin e duhur. Këtë kur e them nuk mendoj për elitën e futbollit evropian, por për një mesatare të cilën fillimisht duhet ta prekim. Pra, ne fillimisht duhet të mendojmë për vendosje të temeleve të sigurta me plan të qartë afatgjatë dhe më pas me një përgjegjësi të madhe të tentojmë të njëjtin ta realizojmë.

Koha: Në cka mendoni kur thoni temele të sigurta të një plani afatgjatë?

M. Sejdini: Mendoj në një punë serioze dhe me përgjegjësi me grupmoshat e reja dhe të një ndërhyrje serioze në infrastrukturë. Të rrinjtë janë e ardhmja e cdo populli dhe aty duhet të koncentrohen planet afatgjata. Sigurisht, për t’i zhvilluar fëmijët me sukses dhe për të kërkuar nga ta rezultate duhet të njëjtëve tu ofrohen kushte adekuate për punë. Federata e Futbollit të Maqedonisë tani më posedon kompleks modern dhe disa terene me bar natyral dhe sintetik, si dhe hapsira moderne që plotësojnw kushtet bashkëkohore. Kjo është dicka e shkëlqyeshme por jo edhe e mjaftueshme. Kur shumica e klubeve do të posedojnë nga një kompeks të këtillë, atëherë do të mund të flasim për ndonjë ambicie serioze për suksese elitare në futbollin evropian dhe botëror.

Koha: Po si mund të bëhet kjo?

M. Sejdini: Finacat janë faktor i rëndësishëm dhe ndoshta vendimtare në sport. Vetëm me investime serioze mund të ndryshohen gjërat nga situatat momentale. Kycja e kompanive të fuqishme në skuadrat e futbollit do të ishte e mirëseardhur, ndërsa edhe pushteti lokal ndoshta duhet të kushtojë më shumë kujdes ndaj skuadrave sportive, në këtë rast ekipeve të futbollit. Kur do të bashkoheshin forcat nga të gjithë anët dhe do të shtohej numri i atyre që duan të investojnë në sport, atëherë sigurisht se nuk do të ishim këtu ku jemi tani.

Koha: Po shqiptarët, do të kenë trajtim tjetër tani në FFM?

M. Sejdini: Brenda natës nuk mund të ndryshojmë asgjë. Duhet kohë për të realizuar planet që kemi. Edhe paraardhësit e mi në mënyrat e veta kanë tentuar që të mbrojnë interesin e shqiptarëve, ndërsa unë do të tentoj që të përmirësohemi në këtë drejtim. Kur them ‘unë’ nuk mendoj vetëm për veten, por për gjithë bashkëpuntorët e mij në federatë. Të gjithë së bashku duhet të tentojmë të përmirësohemi dhe të vazhdojmë të ecim përpara. Maksimalisht do të jemi në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, por njëkohësisht edhe të interesit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pjesë e së cilës jemi. Ndër detyrat e para që i kemi vendosur vetes është përfaqësimi i duhur i shqiptarëve në FFM. Kemi emëruar shqiptarë në komisione të caktuara, ndërsa pritet të emërohen edhe të tjerë në Këshillin e ardhshëm Drejtues. Për herë të parë në historinë e FFM-së kemi zëdhënës shqiptar në emrin e gazetarit të televizionit Alsat-M, Faton Zylbeharit, ndërsa së shpejti do të jetë në funksionim edhe ueb-faqja zyrtare e FFM-së në gjuhën shqipe. Pra gazetarët shqiptarë dhe opinioni tani më për gjithcka mund të drejtohen dhe të informohen në gjuhën shqipe. Gjithashtu pritet edhe emërimi i një shqiptari në pozitën e zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Koha: Cka u premtoni klubeve shqiptare?

M. Sejdini: U premtoj se do jem i angazhuar maksimalisht në mbrojtje të interesit të tyre në cdo sferë të funksionimit të FFM-së. Normal se do të kisha dashur që edhe klubet të jenë në nivelin e duhur, për cka nuk dyshoj. Unë jam i gatshëm për të ndihmuar, por do të doja që të flasim për gjëra pozitive, e jo për ndihmë në heqjen apo minimizimin e ndëshkimeve. Pres që klubet shqiptare, drejtuesit e tyre dhe tifozeritë të vetëdijësohen në maksimum. Të tregojmë para se gjithash kulturë të lartë sportive dhe me punë profesionale të arrijmë suksese të reja. S’dyshoj se mundemi të ngritemi më shumë dhe pikërisht këtë pres ta arrijmë në vitet në vijim.

Koha: Nëse nuk mund të shpresojmë për dicka spektakulare, a mendoni se të paktën mund të përmirësohemi në periudhën në vijim?

M. Sejdini: Sikur mos besoja, nuk do kisha pranuar kurrë të jem në këtë pozitë. Sigurisht se mund të përmirësohemi dhe planet e kësaj garniture të re të FFM-së janë të orientuara në këtë drejtim. Kemi plan të qartë për zhvillimin e grupmoshave të reja si në aspekt të klubeve, ashtu edhe në kombëtaret zinxhir të Maqedonisë. Nëse klubet ndjekin instruksionet e personave profesionist të angazhuar në federatë, shpresoj të shënojmë progres. Gjithashtu besoj në klubet shqiptare që janë në ngritje. Nëse Shkëndija dhe Renova në të kaluarën arritën kulmin, pres që të tentojnë të përsërisin të njëjtën. Hyrja e sponsorit të ri në Shkëndijë është një tjetër shpresë e madhe për ngritjen e cilësisë së futbollit në vend. Renova gjithashtu ka potencial për arritje të mëdha, ndërsa për herë të parë kemi Gostivarin në Ligën e Parë. Në Ligën e Dytë është Drita, që fatkeqësisht nuk mbijetoi në elitë, por përsëri mbetet skuadër cilësore që do ketë rol të rëndësishëm sezonin e ri. Rikthimi i Shkupit përmes Korzos na jep një tjetër kolektiv cilësor, ndërsa këtu mos të harojmë ekipe si Rufeja-M, Vrapcishti dhe Zajazi që kanë ambicie të shëndrohen në ekipe cilësore në kategorinë e dytë, që ndoshta për disa vite do kërkojnë edhe elitën. Gjithë këto janë arsye të mjaftueshme për të besuar në një të ardhme më të mirë.

Koha: Z. Sejdini, ju falemenderojmë që pranuat të ndani kohë për të realizuar këtë intervistë dhe ju urojmë punë të mbarë në detyrën e nën-kryetarit.

M. Sejdini: Gjithashtu ju falemenderoj edhe juve që tregoni interes për të mbështetur ekipet, sportistët dhe funksionerët sportiv shqiptar. Uroj që të realizojmë planet për përmirësim të cilësisë dhe të flasim për suksese dhe gjëra pozitive, me shpresë se incidentet dhe problemet do të minimizohen në maksimim. Juve si redaksi ju dëshiroj punë të suksesshme dhe të vazhdoni të jeni mbështetës i denjë i sportit shqiptar.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *