Home / Sport / Shaqiri: Brazilianët më ndalin vetëm me faull

Shaqiri: Brazilianët më ndalin vetëm me faull

“Unë di shumë mirë se si ta kaloj Danten, por pastaj ai më ndalon vetëm me faull. Po ashtu di edhe si ta kaloj Gustavon”, është shprehur Shaqiri, shkruan “blick.ch”.

Te Bayern Muencheni janë bashkëlojtarë, ndërsa të mërkurën (sot) në mbrëmje, Xherdan Shaqiri dhe Dante, do të jenë kundërshtarë në miqësoren mes Përfaqësueses së Zvicrës dhe Brazilit, ka shkruar të martën sajti “blick.ch”. Përfaqësuesja zvicerane po e kërkon edhe fitoren e dytë në Basel përballë Brazilit pas asaj në vitin 1989, ndërsa njëri prej lojtarëve që garanton triumfin është Shaqiri. Mesfushori 21-vjeçar dëshiron ta ndihmojë Zvicrën të regjistrojë fitore, duke e kaluar jo vetëm Danten në repartin e mbrojtjes së Brazilit, por edhe Luiz Gustavon që po ashtu e ka bashkëlojtar tek ekipi bavarez. Ai ka paralajmëruar Danten dhe Gustavon se mund ta ndalin vetëm me faull. “Unë di shumë mirë se si ta kaloj Danten, por pastaj ai më ndalon vetëm me faull. Po ashtu di edhe si ta kaloj Gustavon”, është shprehur Shaqiri, shkruan “blick.ch”.

Mesfushori nga Kosova thotë se dëshiron që ta mposhtë Përfaqësuesen e Brazilit në mënyrë që kur të kthehet në stërvitje tek Bayerni të ndihet triumfues.

“Do të jetë shumë mirë që në stërvitje te Bayerni të kthehem si fitues për shkak se nuk dua të jem humbës. Duam t’i shqetësojmë paksa brazilianët dhe besoj në fitoren tonë”, është shprehur Shaqiri.

Ndërkohë, Dante ka thënë se për Brazilin do të jetë e rëndësishme përballja me Përfaqësuesen zvicerane. Brazili muajin e shkuar fitoi Kupën e Konfederatave dhe po përgatitet maksimalisht për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, që dëshiron ta fitojë para tifozëve vendas.

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe natyrisht se do të dalim në fushë për të shënuar fitore. Nuk do të jetë lehtë, por ne besojmë se mund t’ia dalim”, ka deklaruar Dante, që ka folur edhe për paralajmërimin e Shaqirit. “I kuptoj shakatë e Xherdanit, sepse e kam një mik shumë të mirë”.

Dante ka shtuar se krahas Shaqirit te Përfaqësuesja zvicerane e njeh edhe Granit Xhakën, i cili po bën karrierë te skuadra e Bundesligës, Borussia Moenchengladbach. Përveç, Xhakës dhe Shaqirit, pjesë e Përfaqësueses zvicerane për miqësoren kundër Brazilit janë edhe Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.

Xhemajli ka parashikuar edhe rezultatin e ndeshjes kundër Brazilit. Ai në shaka ka deklaruar se përfaqësuesja zvicerane do të triumfojë me rezultatin e pastër 3:0.

“Unë me Napolin gjithmonë luaj kundër lojtarëve të mëdhenj. Natyrisht se kërkojmë fitore kundër Brazilit”, është shprehur Xhemajli, i cili pritet të jetë titullar përkrah Valon Behramit që e ka bashkëlojtar edhe te skuadra e Napolit. “Do të fitojmë me rezultatin 3:0. Kjo është një shaka natyrisht, pasi do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë interesante”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *