Home / Lajme / Botë / Shume te vrare e te plagosur ne Egjipt

Shume te vrare e te plagosur ne Egjipt

Afro 280 njerëz janë raportuar të vrarë dhe rreth 2,000 të tjerë të plagosur në dhunën që ka shpërthyer anembanë Egjiptit

Afro 280 njerëz janë raportuar të vrarë dhe rreth 2,000 të tjerë të plagosur në dhunën që ka shpërthyer anembanë Egjiptit, pasi forcat e sigurisë kanë shpërndarë kampet e protestuesve në Kajro, të ngritura nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Muhammad Morsi.
Autoritetet thonë se të vrarët përfshijnë 235 civilë dhe 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Vëllazëria Myslimane, udhëheqës i së cilës është Morsi, ka thënë se numri i viktimave është shumë më i lartë.
Autoritetet ushtarake kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të gjakderdhjes.
Muhammed ElBaradei ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëspresidentit të qeverisë së përkohshme.
Dhuna është dënuar fuqishëm nga fuqitë rajonale, si dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Forcat e sigurisë kanë përdorur gazin lotsjellës, municionin e vërtetë, buldozerë dhe automjete të blinduara për të larguar kampet pranë xhamisë Rabaa al-Adaviya dhe sheshit Nahda në Kajro.
Operacioni ka lënë zonat të mbushura me mbeturina, gjak dhe organe.
Luftime janë raportuar edhe në qytetet e tjera: Aleksandri, Minya, Asiut, Fajoum, Suez e gjetkë.
Mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane janë zotuar se do të vazhdojnë fushatën e tyre për rikthimin e Morsit, i cili është përmbysur nga ushtria më 3 korrik.

Por, ministri i Brendshëm, Muhammad Ibrahim, ka thënë se autoritetet nuk do të lejojnë më formimin e kampeve protestuese.

“Besoj se pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pasi që presidenti ka mandatuar ushtrinë për të ndihmuar forcat policore, me koordinim të plotë midis nesh dhe forcave të armatosura, nuk do të lejojmë kampe të tjera në vend, pa marrë parasysh sakrificën”, ka thënë Ibrahim.

Ministri i Brendshëm është zotuar se do të rikthejë Egjiptin në atë shkallë të sigurisë që ka pasur gjatë regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak, i cili është përmbysur në revoltën popullore, në shkurt të vitit 2011.

Egjipti ka qenë nën ligjin e emergjencës për shumicën e 29 vjetëve të Mubarakut në pushtet.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka dënuar dhunën e së mërkurës, duke e cilësuar si pengesë për pajtimin e egjiptianëve. Në deklaratën e lexuar në Uashington, Kerry u ka bërë thirrje të gjitha forcave që të zmbrapsen dhe të parandalojnë gjakderdhjen e mëtejshme.

Këto ngjarje janë të mjerueshme dhe në kundërshtim me aspiratat e egjiptianëve për paqe dhe demokraci të mirëfilltë. Egjiptianët, brenda dhe jashtë qeverisë, duhet të zmbrapsen. Ata duhet të qetësojnë situatën dhe të shmangin humbje të mëtejshme të jetëve. Ne po ashtu kundërshtojmë rikthimin në gjendje të ligjit emergjent dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të respektojë të drejtat themelore të njeriut”, ka thënë Kerry.

Është e paqartë se çfarë aksioni mund të ndërmarrë Uashingtoni në përgjigje të dhunës tek aleati më i madh i tij arab. Shtetet e Bashkuara ofrojnë rreth 1.5 miliard dollarë ndihma, kryesisht ushtarake, për Egjiptin dhe shumë nga udhëheqësit e tij ushtarakë kanë bërë trajnime në SHBA.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, kanë kritikuar po ashtu dhunën.
Zyra e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ajo është “goditje e rëndë për shpresat e kthimit në demokraci”.

Irani ka paralajmëruar për “mundësinë e luftës civile”.

Përmbysja e Morsit ka ndodhur pasi miliona egjiptianë kanë protestuar kundër lidhjeve të presidentit me islamistët dhe dështimit të qeverisë së tij për të ndaluar rënien ekonomike që prej revolucionit të vitit 2011.

Ushtria thotë se ka hequr presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike në përgjigje të kërkesave të publikut për largimin e tij.

Gjithashtu lexo

Spanja sërish nën frikën e terrorit, parandalohet sulm tjetër, vriten 5 terroristët

Parandalohet një tjetër sulm terrorist në Spanjë, pas atij të Barcelonës ku mbetën të vrarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *