Home / Lajme / Botë / Sulmi brenda 48 oresh, 100 raketa Ushtrise se Asadit

Sulmi brenda 48 oresh, 100 raketa Ushtrise se Asadit

29 gusht-Një sulm ushtarak i parakohshëm nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre mund të përfshijë më shumë se 100 raketa në Siri, në një blic që do të zgjasë rreth 48 orë, sipas zyrtarëve administrativë. “U.S. Navy” ka dërguar në rajon katër luftanije “shkatërrimtare” në brigjet lindore të Mesdheut, të pozicionuara brenda rrezes së shënjestrave në Siri, si dhe ka afruar avionët luftarakë në rajon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjashtuar një sulm të njëanshëm kundër Sirisë, por janë të gatshme të bashkohen me aleatët për të ndëshkuar regjimin e Asadit për përdorimin e armëve kimike.

Një sulm ushtarak i parakohshëm nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre mund të përfshijë më shumë se 100 raketa në Siri, në një blic që do të zgjasë rreth 48 orë, sipas zyrtarëve administrativë. “U.S. Navy” ka dërguar në rajon katër luftanije “shkatërrimtare” në brigjet lindore të Mesdheut, të pozicionuara brenda rrezes së shënjestrave në Siri, si dhe ka afruar avionët luftarakë në rajon. Brenda 48 orësh, sipas zyrtarëve, raketat do të hidhen në ndërtesat e komandës ushtarake të Presidentit Bashar al-Asad, në qendrat e shpërndarjes së armëve, në bazat e shërbimeve sekrete dhe në kampet e trajnimit ushtarak. Ndërkohë gazeta “The Times of Israel” raporton lajmin e dhënë nga aktivistët sirianë, se zyrtarët e regjimit në Siri po braktisin qendrat e komandës ushtarake dhe zyrat e sigurisë së qeverisë, duke u përgatitur për goditjen ushtarake. Lajmi është përgënjeshtruar nga biznesmenë të afërt me regjimin.

TELEFONATA E SULMIT

Shtetet e Bashkuara janë të bindura se regjimi në Siri është përgjegjës për sulmet me armë kimike pas përgjimit të një telefonate nga një shef i Mbrojtjes së regjimit, i cili kërkonte shpjegime nga njësia ushtarake e armëve kimike për aksionin. Vetëm pak orë pas sulmit, një zyrtar nga Ministria siriane të Mbrojtjes shkëmbeu telefonata paniku me një lider të njësisë, duke kërkuar përgjigje, sipas faqes së uebit “Foreign Policy”. Telefonata ishte përgjuar nga spiunët amerikanë dhe është arsyeja që Amerika beson se regjimi qëndron pas sulmit.

DRAFT-REZOLUTA E BRITANISË

Këshilli i Sigurimit në OKB po debaton mbi një rezolutë të paraqitur nga Britania, e cila kërkon aprovimin për përdorimin e çdo mase të mundshme për të mbrojtur popullsinë civile në Siri. Pritet vetoja nga Rusia mbi këtë rezolutë, dhe në rast se kjo ndodh, SHBA-të do t’i drejtohen NATO-s. NATO tashmë ka fajësuar për përdorimin e armëve kimike regjimin sirian. “Në një informacion të siguruar nga burime të ndryshme, forcat e Presidentit Bashar al-Asad qëndrojnë pas sulmit me armë kimike në Siri”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen. Në takimin e përjavshëm të ambasadorëve të NATO-s ai tha se çdo përdorim i armëve të tilla ishte “i papranueshëm dhe nuk mund të kalojë pa përgjigje”. Ndërkohë, teksti i draftit të Britanisë që po diskutohet në zyrat qendrore të OKB-së në Nju Jork nga pesë anëtarët e përhershëm: Britania, Franca, SHBA, Rusia dhe Kina, e më pas do të diskutohet me të 15-të anëtarët e Këshillit të Sigurimit, nuk është publikuar. Por qeveria britanike ka konfirmuar për “The Telegraph” se do të propozonte “autorizimin e të gjitha mjeteve të nevojshme nën Kapitullin 7 të Kartës së OKBsë”, e cila i jep fuqinë organizatës të përdorë forcën ushtarake me qëllimin për të mbrojtur popullsinë civile siriane nga armët kimike. E njëjta frazë u përdorur në rezolutën e propozuar nga Britania, Franca dhe Libani në vitin 2011 për të autorizuar aksionin ushtarak kundër Muamar Gedafit në Libi.

BAN KI MUN

Në një fjalim të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Hagë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, bëri thirrje për zgjidhje diplomatike për konfliktin në Siri. Ai tha se ekipi i hetuesve për përdorimin e armëve kimike po inspektonin zonat dhe atyre iu duheshin katër ditë për të përfunduar raportin e tyre për sulmin e pretenduar me armë kimike në Damask.

I DËRGUARI I OKB

Lakhdar Brahimi, i dërguari special i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, tha se çdo aksion ushtarak në Siri duhet të kryhej nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Besoj se ligji ndërkombëtar është i qartë mbi këtë pikë. Ligji ndërkombëtar thotë se ndërhyrja ushtarake mund të merret pas një vendimi nga Këshilli i Sigurimit”.

RUSIA KËMBËNGUL PËR HETIMET

Zyrtarët rusë kërkojnë që diskutimet në OKB duhet të prisnin raportin e hetuesve. “Këshilli i Sigurimit në OKB duhet të presë që inspektorët të paraqesin raportin e tyre mbi pretendimet për sulm me armë kimike në Siri përpara se të konsiderojnë një përgjigje”, tha Vladimir Titov, zv.ministri i Jashtëm rus. Ai tha për agjencinë “Interfax” se Rusia do të vendoste veton ndaj ndërhyrjes ushtarake.

EDHE IRAKU E TURQIA NË GATISHMËRI

Iraku ka vendosur në gatishmëri të lartë forcat e veta të sigurisë pas “goditjes së pritshme” mbi Sirinë fqinje. Të gjitha zyrat e sigurisë dhe ato politike në Bagdad dhe provincat në të gjithë Irakun kanë njoftuar nivelin më të lartë të gatishmërisë. Ndërkohë Turqia ka dërguar punonjës shtesë të trajnuar për të identifikuar dhe dekontaminuar viktimat e armëve kimike në kufirin me Sirinë, për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm me armë kimike nga fqinji i saj.
shqipëria.com

Gjithashtu lexo

Trump kërkon ndaljen e ndihmës financiare për Serbinë, ‘shpëton’ Kosova

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po bënë përpjekje që të reduktojë në mënyrë drastike …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *