Home / Lajme / Maqedoni / Embargo e plotë për Maqedoninë, tentime për zgjidhjen e situatës

Embargo e plotë për Maqedoninë, tentime për zgjidhjen e situatës

9 shtator-Një delegacion i Qeverisë së Maqedonisë sot do të udhëtojë drejt Prishtinës për të tejkaluar situatën e të ashtuquajturës ‘luftës’ ekonomike dhe tregtare midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Shkupi pritet që t`i ofrojë një propozim Prishtinës që të heq ndalesën për importin e miellit të Kosovës dhe heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës nga data 15 shtator.

Një delegacion i Qeverisë së Maqedonisë sot do të udhëtojë drejt Prishtinës për të tejkaluar situatën e të ashtuquajturës ‘luftës’ ekonomike dhe tregtare midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Kjo bëhet e ditur nga burime qeveritare, të cilët kanë theksuar se janë të angazhuar maksimalisht për të tejkaluar situatën e krijuar dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një bisedë telefonike midis kryeministrave Hashim Thaçi dhe Nikolla Gruevski, por nuk ka pasur asnjë marrëveshje për të tejkaluar situatën e krijuar. Thaçi për shkak të angazhimeve të tij në negociatat në Bruksel me kryeministrin serb Ivica Daçiq, ka kërkuar që kriza e krijuar të zgjidhet në nivel të ekipeve ministrore të të dyja vendeve.

Pala e Shkupit siç mësohet pritet që t`i ofrojë një propozim Prishtinës që të heq ndalesën për importin e miellit të Kosovës dhe heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës nga data 15 shtator. Por pritet se cili do të jetë qëndrimi i Prishtinës rreth këtij propozimi, që siç mësohet është diskutuar edhe midis kryeministrave Gruevski dhe Thaçi.

Problemet u shfaqën pasi që Prishtina zyrtare dy ditë më parë aplikoi masën e ndalesës për një pjesë të prodhimeve të Maqedonisë, duke qenë si kundërpërgjigje ndaj ndalesës së palës maqedonase për importin e prodhimeve të miellit nga vendet fqinje, duke përfshirë edhe Kosovën. Autoritetet e Kosovës nuk hoqën embargon edhe pas kërkesave të palës së Shkupit, derisa këta të fundit prej dje nisën aplikimin e taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës, 2 euro për çdo udhëtarë, 5 euro për makinat dhe 20 euro për kamionët dhe autobusët.

Kjo masë emergjente e aplikuar nëpër pikat kufitare Maqedoni – Kosovë ashpërsoi qëndrimet e palës kosovare, e cila dje përmes zëvendëskryeministres Mimoza Kusari bëri të ditur vendosjen e embargos së plotë ndaj të gjitha mallrave të Maqedonisë. Prej sot ka hyrë në fuqi kjo masë e re, e cila do të bllokojë një pjesë të prodhuesve të mëdhenj të Maqedonisë që eksportojnë në Kosovë.

Odat Ekonomike në Maqedoni kanë paralajmëruar se embargoja e plotë do të jetë një katastrofë e re e rëndë për ekonominë e Maqedonisë. Siç është e njohur shkëmbimi tregtar midis dy vendeve gjatë 2012 ka qenë 320 milion euro, prej të cilave 303 milion janë nga eksporti i mallrave të Maqedonisë në Kosovë dhe vetëm 17 milion euro janë eksportuar nga Kosova në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *