Home / Sport / Islanda, ishull shprese për kombëtaren shqiptare

Islanda, ishull shprese për kombëtaren shqiptare

Sfida e sotme për shqiptarët bëhet edhe më dicizive. Çdo rezultat tjetër, përveç fitores, i zbeh edhe më shumë shpresat për të marrë pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kuqezinjtë luajnë sot fatet e Botërorit. Eliminatoreve të Kampionatit Botëror po u vjen fundi dhe normalisht edhe lapsi për kalkulimet është mprehur më shumë nga të gjitha skuadrat e grupit E. Ndeshjet e fundit dhuruan rezultate të tilla, që përjashton Qipro, 5 skuadrat e tjera janë në “valle” për të siguruar një biletë në Brazil. Por sfida e sotme për shqiptarët bëhet edhe më dicizive. Çdo rezultat tjetër, përveç fitores, i zbeh edhe më shumë shpresat për të marrë pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm. Të gjithë tashmë qajnë atë humbje 1-2 në “Qemal Stafa” me Islandën, ku edhe barazimi do të kishte bërë punë dhe ndoshta sot një barazim do të ishte jo keq. Por sonte nuk është momenti për të qarë, por për të luftuar si luanë dhe për të vërtetuar që Shqipëria e meriton minimalisht të jetë e dyta në grup.

KUNDËRSHTARËT

Natyrisht që në ndeshjet e fundit do të shikohen edhe rezultatet e kundërshtarëve, pasi çdo pikë e marrë apo e lënë, mund të të çojë në Botëror ose të të lë jashtë. Norvegjia sërish do të luajë në shtëpi, por kësaj radhe përballë është Zvicra. Në interesin e Shqipërisë është barazimi ose fitorja e Zvicrës. Fitorja e Norvegjisë komplikon shumë pozitën e Shqipërisë. Sllovenia luan në Qipro, ku do të ishte mirë që mos fitonte, barazim ose fitorja e Qipros do të ishte akoma më mirë. Por ajo që është më kryesorja, Shqipërisë i duhen patjetër 3 pikët, ose në rastin më të keq, barazimi, por me opsionin që të mundej Norvegjia dhe Sllovenia, ndryshe pak vlerë do të kishte edhe barazimi. Në rast se do të humbnim, atëherë vetëm mrekullia mund të na çonte në Botëror në ndeshjet e fundit.

UDHËTIMI

Kombëtarja kuqezi ka lënë dje Slloveninë, ku ishte akomoduar që më 5 shtator. Pas një udhëtimi sfilitës nga Ljubana në Rejkjavik, që zgjati më shumë se katër orë, përfaqësuesja shqiptare e futbollit shkeli në tokën islandeze, që këtë radhë ka marrë trajtën e tokës së shpresës. Në orën 20:00, që korrespondon me orën lokale 18:00, u zhvillua konferenca e zakonshme për shtyp me trajnerin De Biazi dhe më pas u krye seanca e vetme stërvitore në fushën e stadiumit të Reikjavikut, ku do të luhet edhe takimi me Islandën. Ka pasur ndryshim oraresh dhe temperaturash, por këto nuk priten të ndikojnë shumë në ekip, ku pritet një tjetër ndeshje e luftuar, por edhe një fitore.

FORMACIONI

Është e sigurt mungesa për arsye pezullimi e Ansi Agollit, që pritet të spostojë në krahun e majtë të mbrojtjes Andi Lilën, ndërsa në të djathtë rikthehet Armend Dallku. Në qendër të mbrojtjes nuk do të ketë ndryshime nga ndeshja e fundit me Slloveninë, pra do të luajë dyshja Cana-Teli, pasi Mavraj vijon të jetë i dëmtuar. Dilemat i përkasin fazës sulmuese, ku mendohet të luajnë njëkohësisht Edgar Çani dhe Hamdi Salihi. Më saktë, mesfusha dhe sulmi do të jenë si pjesa e dytë në Slloveni. Rama nga e majta dhe Roshi nga e djathta, në qendër të mesfushës Basha dhe Kaçe.Megjithatë, De Biazi mund të surprizojë me Abrashin ose Mehmetin.

BASTET

Sipas kompanive më të mëdha të basteve, Islanda është favorite në ndeshjen e sotme kundër Shqipërisë, ndonëse diferenca nuk është fort e madhe.Vendësit kutohen me 2.3, barazimi vlerësohet me 3.2, ndërsa fitorja e kuqezinjve me 3.3

Islandezët: Kujdes nga shqiptarët, janë më të mirë nga çfarë mendojmë

Eidur Gudjonsen, ish-sulmuesei i Çelsit dhe i Barcelonës, është futbollsti më i famshëm i kombëtares së Islandës, që do të kërkojë fitoren ndaj Shqipërisë në kryeqytetin Reikjavik, për të ëndërruar për herë të parë në histori kualifikimin në Botëror. 34-vjeçari ndryshoi rrjedhën e lojës në pjesën e dytë ndaj Zvicrës, ku Islanda në mënyrë të pabesueshme rikuperoi disavantazhin 4-1, duke e mbyllur takimin 4-4. Edhe ndaj Shqipërisë, Gudjonson do ta nisë nga stoli, por ky fakt nuk e shqetëson veteranin që aktualisht luan me Bryzhin. “Ndaj Zvicrës treguam karakter, duke shënuar 4 gola në një fushë shumë të vështirë. Takimi me Shqipërinë është krejt ndryshe. Ata kanë bërë ndryshime të shumta, janë shumë më të mirë nga ç’mendojmë ne.”

GRUPI E, SOT
Norvegji – Zvicër (19:00)
Qipro – Slloveni (20:30)
Islandë – Shqipëri (21:30)

RENDITJA
1.Zvicra 15
2.Norvegjia 11
3.Islanda 10
4.Shqipëria 10
5.Sllovenia 9
6.Qipro 4

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *