Home / Sport / Juve pa mëshirë, tjetër “poker” Lacios

Juve pa mëshirë, tjetër “poker” Lacios

Juventusi shkatërron bardhekaltrit me rezultatin 4-1 në kampionat, pasi e ka mundur 4- 0 në finalen e Superkupës dhe merr suksesin e tretë në po aq ndeshje të sezonit 2013-2014.

Juventusi është një ekip që shkërmoq çdo kundërshtar. Edhe të lë përshtypje me paraqitjen që bën në fushë. Shkatërron bardhekaltrit me rezultatin 4-1 në kampionat, pasi e ka mundur 4- 0 në finalen e Superkupës dhe merr suksesin e tretë në po aq ndeshje të sezonit 2013-2014. Këtë herë, në takimin e luajtur në “Juventus Stadium”, shënon një dygolësh Arturo Vidal dhe më pas rrumbullakosin rezultatin Mirko Vuçiniç dhe Karlos Tevez. Goli i rezultatit të përkohshëm 2-1 është i Miroslav Kloses. Cana luan nga minuta e parë, por as ai s’e shpëton ekipin nga humbja e radhës me Juven. Për bardhezinjtë është thjesht një bezdisje momentale, një pickim mushkonje gjatë një daljeje në një mbrëmje verore. Për më tepër që ky sukses shërben edhe për të harruar polemikat e krijuara në nisje të kampionatit, deklaratat e bëra nga trajneri Antonio Konte sa i përket shitjes së lojtarëve dhe blerjeve të fundit, e sidomos largimit të Matrit te Milani. Jorente, zëvendësuesi i tij natyral, qëndroi në stol, por në një mbrëmje të përfunduar aq mirë nuk është nevoja që të bëhet dramë e madhe. “Zonja e Vjetër” është e papërmbajtshme dhe e uritur njësoj si në ditët më të mira të epokës Konte. Dhe ky është një sinjal i fortë për këdo që si objektiv ka titullin kampion.
Menjëherë Vidal – Konte hedh sërish në fushë Vuçiniçin në krah të Tevezit, kurse Jorente rri në stol. Nga ana tjetër, trajneri Petkoviç hedh në lojë Kandrevan pas Kloses. Drithërima e parë buron nga gjuajtja e Hernanesit, por gardiani Bufon është i pozicionuar mirë. Dhe në minutën e 14- të, do të vijë goli i parë i takimit. Një sulm i shpejtë i bardhezinjve, Pogba që jep një pasim shumë të mirë vertikalisht për Vidalin, që edhe pse pas Radusë e kalon atë me shpejtësi dhe pastaj mposht portierin Marketi. Ky është goli i parë sezonal për kilianin dhe i 23- ti për të. Dhe është asisti i dytë në kampionat për Pol Pogbanë. Bardhekaltrit reagojnë me Kandrevan nga largësia, por Bufoni çon topin në goditje këndi. Më pas është Cana që me kokë e nxjerr topin jashtë. Në minutën e 26-të, Juvja dyfishon. Bonuçi jep një pasim të gjatë, por të saktë me të majtën e tij. Përfiton Vidali, që i ikën vjedhurazi mbrojtjes shumë pranë pozicionit jashtë loje, ka kohën për të kontrolluar topin me të djathtën e pastaj me të majtën çon rezultatin në 2-0. Kaq mjafton që e gjithë tifozeria juventine në “Juventus Stadium” nis të këndojë: “Kampionët e Italisë jemi ne”.
Përgjigjet Klose – Sulmuesi gjerman nuk ndikohet nga kjo situatë. Në të 28′, përfiton nga një pritje jo e saktë e Bufonit pas gjuajtjes së Hernanesit dhe shënon. Për gjermanin vjen goli i parë ndaj Juves, që asnjëherë më parë nuk i kishte shënuar. “Zonja” vazhdon të luajë me volum dhe mirë, kurse Lacio përgjigjet me gjuajtje nga jashtë zone, që janë shumë pak për të dëmtuar vendasit. Hernanes, Kandreva e Luliç provojnë aftësitë e Bufonit dhe ia dalin që ta nervozojnë atë me repartin defensiv.
Pokeri – Në minutën e 49- të, është sërish Bonuçi që jep një top të gjatë dhe sërish Vuçiniçi me një diagonale të saktë realizon golin e tretë. Por malazezi përfitoi edhe nga një gabim i bërë prej Novaretit. Vuçiniçi realizon golin e 100- të në Itali. Në vazhdim, Hernanesi lë ekipin me 10 lojtarë, pasi ndëshkohet me të kuq në të 63′. Dhe ka kohë që Tevezi të realizojë golin e tij të tretë radhazi në tri takime, pasi lirohet me mjeshtëri nga mbulimi i Canës. Juvja mbyll kështu një ndeshje shumë të mirë, që edhe për një trajner si Konte është e vështirë që të gjejë diçka për ta përmirësuar.

Konte dhe VidalModesti Konte: Skuadra ime, ende larg maksimumit
Antonio Konte e ka harruar “tradhtinë” që drejtori Xhuzepe Marota i bëri prapa shpatullave, duke i shitur sulmuesin Alesandro Matri te Milani. Pas shpërthimit të tij përpara ndeshjes me Lacion, fitorja e djeshme duket se ka shfryrë nervozizmin e trajnerit.
Konte, 8 gola Lacios në dy ndeshje…
Të mundësh dy herë radhazi me 4 gola Lacion, tregon se po fitojmë gjendjen tonë, por nuk jemi ende në maksimum. Skuadra po lë pas të gjithë lodhjen e fazës përgatitore dhe unë jam i lumtur që kemi arritur 3 fitore në 3 ndeshjet e para sezonale. Gjithsesi, të mos gëzohemi herët, duke parë se çfarë po bën edhe Napoli.
Shpërthimi yt i dy ditëve më parë është harruar?
Aspak, por ai i imi ishte thjesht një gabim. Mendova me zë përpara gazetarëve, sqarova gjithçka me Marotën dhe kaq. Për sa i përket Matrit, mendimin tim për të e thashë dy ditë më parë.
Mesfusha u duk sikur çaloi disi ndal Lacios, nuk ishte agresive sa duhej, duke parë edhe goditjet e shpeshta që morët në kuadrat. Si mendoni?
Po, është e vërtetë. E nisëm shumë mirë takimin, 25 minutat më spektakolare që kam parë prej shumë vitesh në fushë dhe fatmirësisht i përkisnin Juventusit tim; intensitet, organizim perfekt dhe lojë e bukur. Por goli i Kloses nxori në pah se kemi ende për t’u përmirësuar.
Në shumë momente duket sikur luani me 12 lojtarë, ndërsa Bonuçi me Pirlon nuk djersijnë aspak, por i “pikojnë” asistet…
Po, sepse duke qarkulluar topin krijojmë superioritet dhe mund të dukemi sikur luajmë edhe me 13 lojtarë, si ndaj Lacios në 25 minutat e para. Pastaj, është fati im nëse Bonuçi dhe Pirlo i kanë këmbët magjike.
Tevez-Vuçiniç duket dyshja ideale e sulmit…
Fjala e urtë thotë se skuadra që fiton nuk ndryshon, ndaj unë po i besoj asaj. Por shpejt do kemi nevojë për të gjithë dhe të gjithë duhet ta fitojnë në stërvitje rolin e tyre. Fundja, pas pauzës së kombëtareve, na pret Interi dhe Champions-i dhe pikërisht këtu do startojë edhe sezoni ynë i vërtetë.

“Trajneri nuk ishte i kënaqur me mua, donte një tripletë”
Arturo Vidal nuk është vetëm “luftëtari” i këtij Juventusi, por edhe lideri i saj, siç konfirmoi edhe vlerësimi në sezonin e kaluar. Por kiliani, përveçse përplaset në mesfushë, po shpërthen edhe si bomber dhe dopieta ndaj Lacios e konfirmon këtë. Mesfushori gjen kohën që të bëjë edhe ironi pas sfidës, duke zbardhur dialogun mes tij dhe trajnerit Antonio Konte gjatë zbritjes në dhomat e zhveshjes, pas pjesës së parë. “Po, e keni parë qartë faktin që Konte nuk ishte shumë i kënaqur me lojën time. Ai më kërkoi që të shënoja tre gola dhe jo dy, ndaj më vjen keq që e zhgënjeva, – qesh Vidal, që më pas vlerëson skuadrën. – Lacio besoj se tashmë e kuptoi që jemi më të fortë se ata dhe dy fitore brenda pak ditëve janë gjithashtu një ‘vitaminë’ force për vazhdimësinë e sezonit tonë. Ta nisnim sezonin me tri fitore në tri ndeshje radhazi nuk ishte e lehtë, por kjo Juve funksionon mirë, ndonëse mund të bëjmë edhe më shumë se kaq”.

Pogba: 8 gola në dy ndeshje, ky ekip më stimulon çdo ndeshje
Dëmtimi i Klaudio Markizios ka nxjerrë totalisht në pah cilësitë e Pol Pogbasë, që konfirmohet protagonist absolut i kësaj Juve; gol në Superkupë kundër Lacios, asist për golin e fitores së Tevezit ndaj Sampdorias dhe një tjetër asist magjik për golin e dytë të Vidalit, dje. Mesfushori francez është i pazëvendësueshëm dhe Konte e di mirë këtë, por 20-vjeçari kërkon të mos dehet nga euforia. “Jemi një skuadër e madhe, një grup që më stimulon të jap gjithmonë më të mirën time në fushë, një Juventus i madh që iu përgjigj siç duhej Napolit. Shpresoj të vazhdojmë të luajmë agresivë dhe të pashpirt, fundja vetëm kështu fitohet. Tjetër asist fitues? Pranoj se nuk e pashë filtrimin e Vidalit në zonë, por këto janë bërë mekanizma që Konte na i kërkon në stërvitje dhe, me sa duket, vlejnë shumë. Raiola thotë se vlej dyfishin e Bejlit? Unë mendoj vetëm për Juven, dua të luaj gjatë këtu dhe kaq”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *