Home / Sport / Krejt ‘Cetinska’ ‘22’

Krejt ‘Cetinska’ ‘22’

Ferhan Hasani te skuadra e tij e re daneze, Brondby do të luajë me numrin ‘22’, Muhamet Useini prej Shkëndije shkon në Rabotniçki, por në shpinë mban të njëjtin numër, ndërsa edhe Mevlan Murati te Partizani ka zgjedhur ‘22’-shin.

Lagja e Cetinskës së Tetovës historikisht ka dhënë shumë futbollistë në ekipin e Shkëndijës, ndërsa viteve të fundit pikërisht nga kjo ‘mëhallë’ kanë dalë lojtarë që kanë bartur barën kryesore te ekipi ‘kuqezi’. Ferhan Hasani-Buba është më i njohuri nga të gjithë, për kontributin e jashtëzakonshëm në fitimin e titullit të kampionit të Shkëndijës, për faktin që ishte deçiziv, ndërsa më vonë për transferimin në Uolfsburgun e Gjermanisë, prej ku këtë merkato kaloi në Danimarkë te Brondby. Muhamet Useini është një tjetër futbollist i rëndësishëm i gjeneratës së artë të Shkëndijës, që fitoi titullin e kampionit. ‘Meti’ ishte zëvendës kapiten në sezonin e artë, ndërsa pas largimit të Nebi Mustafit, pikërisht Useini ishte lideri i ekipit, deri sa për arsye të njohura verën që lëmë pas vendosi të largohet, duke firmosur për Rabotniçkin e Shkupit. E ndërkohë sezonin e kaluar një prej zbulimeve të Shkëndijës ishte i riu Mevlan Murati, që me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme shumë shpejt fitoi simpatinë e publikut tetovar. I shkëlqyeshëm në mbrojtje, i shpejtë dhe aktiv në daljet në pjesën kundërshtare ku sillte harkime precize, ndërsa egzekutimi i gjatë i rivënieve anësore përfundimisht është ‘specialiteti’ kryesor i këtij djaloshi që shkëlqente në krahun e djathtë të skuadrës ‘kuqezi’. Edhe Murati këtë verë braktisi Shkëndijën, për të firmosur me Partizanin e Tiranës. Të tre këta futbollistë u larguan nga Shkëndija, por përveç se mbajnë në zemër skuadrën e tyre amë, këtë sezon kanë diçka të përbashkët. Nuk do jenë të veshur së bashku ‘kuqezi’ si në të kaluarën, mirëpo në shpinë që të tre do të mbajnë të njëjtin numër. ‘22’-shi është e përbashkëta e Hasanit, Useinit dhe Muratit edhe pse janë shumë larg njëri tjetrit, në skuadra dhe kampionate të ndryshme. Për Muhamet Huseinin ndoshta kjo nuk është edhe ndonjë risi e madhe, pasi ai edhe në Shkëndijë luajti me numrin 22 dhe të njëjtën ‘traditë’ vendosi ta bartë edhe te Rabotniçki, ku do luajë me numrin e tij të preferuar, e që në të kaluarën në rradhët e Milanit të Italisë e mbante futbollisti i tij i preferuar, Leite Kaka. Ferhan Hasani te Shkëndija kishte numrin ’10’-të, në Gjermani te Uolfsburgu luante me fanellën me numër ‘37’-të, ndërsa pas transferimit në Danimarkë te Brodnby, ka vendosur që të luajë me numrin ‘22’, njëjtë si ‘Meti’ te Rabotniçki. Më i riu prej të treve, Mevlan Murati sezonin e kaluar si debutues te Shkëndija në shpinë kishte numrin ‘16’-të, ndërsa pasi në verë i’u bashkua Partizanit të Tiranës ka vendosur që te skuadra e tij e re të bartë numrin ‘22’, njëjti si ‘Buba’ dhe ‘Meti’. E rastësishme apo planifikim, gjithsesi interesante dhe e pazakontë. Njëri në Maqedoni, tjetri në Shqipëri dhe i treti në Danimarkë, të gjithë në shpinë me numrin ‘22’. Jetojnë në lagjen e njëjtë dhe me të drejtë tani më Cetinska e Tetovës karakterizohet me këtë numër.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *