Home / Lajme / Maqedoni / Kuçi anulon vizitën në Maqedoni.Sinjale për zgjidhjen e situatës

Kuçi anulon vizitën në Maqedoni.Sinjale për zgjidhjen e situatës

12 shtator-Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi nuk do të udhëtojë në Shkup, siç ishte paralajmëruar. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet zyrtarëve të Shkupit dhe të Prishtinës do të jetë nëpërmjet telefonit dhe mënyrave të tjera të komunikimit.

Zëri: “Maqedonia dorëzohet para Kuçit, heq taksat

Siç shkruan e përditshmja kosovare “Zeri” Maqedonia më në fund ka lëshuar pe karshi Kosovës. “Ajo ka hequr taksat për kosovarët të cilët dëshirojnë të kalojnë kufirin maqedonas dhe nga ky moment mund të lëvizin ashtu siç kishin bërë më pare. Kjo është bërë e mundur pas bisedave që Hajredin Kuqi ka pasur me palën maqedonase. Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar këshilltari i zëvendëskryeministrit, Kuqi, Driton Lajqi. “Po është e vërtet që Maqedonia i ka hequr taksat dhe qytetarët e Kosovës nga sot mund të lëvizin të lirë për në Maqedoni”, ka thënë Lajqi. Ndërkohë mësohet se për embargon e mallrave pritet që të brenda disa orëve të arrihet marrëveshja tjetër.

Presidenti Goirge Ivanov pas embargos nga Kosova për import të produkteve të Maqedonisë kërkon respektim të marrëveshjes CEFTA dhe shpreson se shteti kosovar do të gjejë zgjidhje insitucionale për problemin.

“Personalisht sot jam befasuar nga ajo që e ndërmerr pala kosovare, për shkak se ekziston marrëveshje për CEFTA-n dhe këtë marrëveshje duhet edhe Kosova ta respektojë. Megjithatë shpresoj se institucionet në Kosovë do të gjejnë zgjidhje institucionale për këtë çështje. Nuk ngjan që kjo të ndodhë kur kemi në rritje shumë gjendje mes dy vendeve tona dhe kur presim përmirësim të shumë punëve”, deklaroi sot Ivanovi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas përurimit të parkut në komunën Aerodrom.

Sipas Ivanovit, këshilltarët e tij janë në kontakt me kabinetin e presidentes së Kosovës dhe insistohet që të gjendet zgjidhje.

“Shpresoj se pas afatit të vendosur prej nesh, pas përfundimit të masës së ndërmarrë nga Qeveria do të ketë normalizim”, tha Ivanovi.I

Ivanov paralajmëroi se nëse deri të hënën nuk gjendet zgjidhje, për atë do të bisedojë në takimin që duhet ta ketë të hënën në Durrës me presidentët e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës. Megjithatë, deri atëherë ai shpreson se do të gjendet zgjidhje

LSDM-ja vlerëson se problemi midis Maqedonisë dhe Kosovës ka pasoja ndaj ekonomisë dhe kërkon që qeveritë e dy shteteve që sot të gjejnë zgjidhje për problemin.

Zëdhënësi i partisë Petre Shilegov, duke iu përqëndruar propozimit të zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevski për tv duel me palën kosovare, tha se është jo serioze dhe jo përgjegjëse që Qeveria të propozojë zgjidhje të çështjes ndërkombëtare përmes duelit televiziv, ndërsa të shmangë ballafaqim për çështje të brendshme.

“LSDM-ja sërish i bën thirrje kryeministrit, ministrave në Qeveri dhe funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, që të mbledhin guxim dhe përfundimisht të dalin në debat publik medial”, tha Shilegov

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi nuk do të udhëtojë në Shkup, siç ishte paralajmëruar. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet zyrtarëve të Shkupit dhe të Prishtinës do të jetë nëpërmjet telefonit dhe mënyrave të tjera të komunikimit.

“Nuk do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë. Forma e komunikimit është ndërruar, ndërsa bisedimet janë duke vazhduar në të gjitha nivelet qeveritare. Vullneti ynë i mirë i ka kushtet, që situata të kthehet në pikën zero dhe gjendja t’i kthehet normalitetit, i cili do të jetë i favorshëm edhe për qytetarët e Kosovës edhe të Maqedonisë”, ka thënë Driton Lajçi, këshilltar i zv/kryeministrit Kuçi.

Sipas tij, ka gatishmëri edhe nga pala maqedonase për ta normalizuar situatën në kufirin ndërmjet dy vendeve. “Me Maqedoninë kemi disa marrëveshje, por tash për tash vizita nuk do të ketë shpesh, sepse situata do të normalizohet gradualisht. Por, kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë ndonjë vizitë së shpejti”, ka theksuar Lajçi.

Një ditë më parë, vetë Kuçi drejtoi akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski duke atribuuar njëherësh epitete të rënda.

“Gruevski është streha e fundit e nacionalistëve që kanë mbetur në rajon. Edhe ata në Beograd kanë ndryshuar. Dhe ne nuk guxojmë se çka bën Gruevski të dalim në BBC dhe CNN. Unë nuk dua të dal në televizion për këtë”, pohoi Kuçi.

Pala kosovare nuk dëshiron të vijë para se të heqen taksat për qytetarët e saj. Këtë dje e konfirmoi edhe ministrja Mimoza Kusari-Lila në përgjigjen homologut të saj Peshevski për duel televiziv. Nuk është momenti i përshtatshëm të shkojmë në Shkup dhe të paguajë 2 eruo kur të hy në Maqedoni dhe 5 euro për veturën, ka thënë Kusari.

Shoqata e transportuesve Makamtrans ka vendosur që në çdo dy orë të mundësojë kalimin e lirë të automjeteve në vendkalimin kufitar në Bllacë, por vetëm nga 30 minuta.

Vendimi sipas drejtuesve të kësaj shoqate vjen pas sinjaleve pozitive të qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës për kapërcimin e dallimeve rreth çështjeve doganore. Biljana Muratovska ka thënë se bllokadat do të hiqen tërësisht në momentin kur dy qeveritë të arrijnë marrëveshje për heqjen e embargos nga pala kosovare për prodhimet e Maqedonisë dhe të taksave rrugore për shtetasit e Kosovës që ishte vendosur nga autoritetet e Shkupit si kundër përgjigje ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare.

Madje, ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraçini sot ishte shprehur optimist për zgjidhjen e ngërçit tregtar Maqedoni-Kosovë duke theksuar se takimi mes dy qeverive, Prishtinës dhe Shkupit pritet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit.

Reagon Adem Demaçi

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i ka quajtur të pakuptimta dhe të çoroditura veprimet e Maqedonisë për bllokadën tregtare dhe kufizimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.
Demaçi ka thënë se me këto veprime Maqedonia është duke ndjekur politikë antikombëtare dhe të çmendur.“Të dalë sot një udhëheqje e tillë në krye të Maqedonisë dhe të bëjë një politikë kaq të çmendur, në rend të parë kundër interesit të popullit maqedonas, kjo është e pakuptimtë”, ka deklaruar Demaçi për Epoka e Re.Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të mos lëshojnë pe karshi Maqedonisë, e cila është duke u sjellë sikur të ishte ndonjë superfuqi.

Kufiri lirohet sipas qejfit të transportuesve!

Protestuesit e kompanisë Makamtrans kanë vendosur që pjesërisht të lirojnë lëvizjen me vetura në kufi. Përfaqësuesja e kësaj kompanie Biljana Muratovska tha se për shkak të fillimit të dialogut mes dy qeverive për të tejkaluar krizën, do të lirojnë rrugën drejt vendkalimit kufitar çdo dy orë nga 30 minuta.
“Sot, me qëllim që të tregojmë se duam të lëshojmë pe pak, pasi dëgjova se edhe politikanët kanë vendosur të takohen, vendosëm që sot çdo dy orë nga 30 minuta të lejojmë të lëvizin me vetura”, tha Biljana Muratovska, Makamtrans.

Transportuesit e shoqatës ‘Makamtrans’ thonë se nuk do të largojnë bllokadat nga kalimi kufitar, derisa Kosova nuk heq embargon për mallrat e Maqedonisë. Deri atëherë, qytetarët të cilët hyjnë në Maqedoni duhet të presin në ‘vullnetin e mirë’ të kësaj shoqate që në çdo dy orë të largojë kamionët nga rruga.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *