Home / Sport / Shqipëria humb, shpresat për botëror nuk vdesin

Shqipëria humb, shpresat për botëror nuk vdesin

Shqipëria ka pësuar humbje minimale 1:0 në udhëtim te Slovenia, për të komplikuar gjasat për kualifikim në Botërorin 2014.

Mbi pesë mijë tifozë ishin mbledhur në stadiumin Stozice në Ljubjanë për ndeshjen që është pritur të vendosë paksa gjërat në Grupin E.

Pjesa e parë ishte e nivelizuar, me dominim të lehtë të ekipit tonë kombëtar.

Pas disa lëvizjeve të mira të Edgar Canit dhe Odise Roshit, ishin sllovenët ata që arritën të realizojnë në mundësinë e parë dhe të fundit të tyre në këtë takim.

Pas një lëvizje të mirë, Kevin Krampl lansoi një goditje të fuqishme dhe të pakapshme për portierin Etrit Berisha, që rezultoi në gol dhe në epërsinë sllovene për 1-0.

Me këtë rezultat përfundoi edhe pjesa e parë, kurse në pjesën e dytë ishte histori krejt tjetër.

Hamdi Salihi u inkuadrua në minutën e 53-të, duke i dhënë gjallëri sulmit shqiptar.

Pas një harkimi në zonë, ishte Lorik Cana ai që përballë portierit Handanovic nuk arriti të realizonte nga një distancë mjaft e afërt.

Vetëm pak momente më vonë, ishte Migjen Basha ai që lansoi një goditje të fuqishme, të cilën e devijoi Hamdi Salihi, për ta lënë të shtangur Samir Handanovicin, por topi nuk përfundoi në rrjetë.

Në aksionin e radhës ishte sërish Migjen Basha ai që u përfshi me një goditje me kokë nga afërsia ku për mrekulli reagoi portieri i Interit, Samir Handanovic.

Formën e lartë Handanovic e vërtetoi edhe në minutën e 65-të, kur ndali një goditje tejet të mirë të Valdet Ramës, që për pak sa nuk përfundoi në rrjetë.

Deri në fund u zhvillua lojë e qetë me djemt tanë që bënë përpjekjet maksimale për të shënuar, por nuk ia dolën dot.

Shqipëria ia komplikon vetes punët dhe rrezikon ëndrrën për Botëror me këtë humbje. Kjo pasi tani Shqipëria ka 10 pikë në vendin e tretë, një pikë më pak se sa Norvegjia në vendin e dytë dhe pesë pikë më pak se Zvicra.

Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e zhvillon ndaj Islandës në udhëtim.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *