Home / Lajme / Maqedoni / Homazhe në përvjetorin e masakrës së Ladorishtit

Homazhe në përvjetorin e masakrës së Ladorishtit

Strugë, 29 tetor – Në Ladorishtë, në vendin e quajtur “Vakçare” ku para 69 vjetëve është bërë një masakër e paparë ndaj popullatës shqiptare, në organizim të BL Ladorishtë në bashkëpunim me banorët e fshatit, familjarët e viktimave, nxënësit e shkollës “Ashim Agushi”, me homazhe, u shënua 69 vjetori i masakrës së Ladorishtit.

Në shënimin e këtij përvjetori të hidhur të historisë së shqiptarëve dhe të Ladorishtit, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, i cili, ka vendosë kurora me lule në lapidarin e masakrës së Ladorishtit dhe në lapidarin e “Nderit të Kombit”, Demir Lena.

Më 28 tetor 1944 , Ladorishti përgjaket e masakrohet për histori të paharruar. Prandaj, me këtë rast, në vendin e quajtur Vakçare në Ladorisht, u shënua kjo datë e rëndësishme e historisë, që përkujtoi atë ditë të tmerrshme të 28 tetorit të vitit 1944. Në Ladorishtë të Strugës, pra përkujtohet 69 vjetori i masakrës së kryer nga forcat nazi-fashiste, në vjeshtën e vitit 1944, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat naziste, gjatë tërheqjes së tyre, kishin masakruar 84 fshatarë të Ladorishtiti, në mesin e tyre edhe disa gra e fëmijë.

Në këtë përvjetor, në shënimin dhe përkujtimin e kësaj date, në Ladorishtë ishin tubuar banorë të Ladorishtit dhe të rrethinës së Strugës, për të nderuar 84 martirët e rënë në këtë masakër.

”Kujtojmë Sot këtu në këtë vend, nëse i sheh emrat natyrisht nuk mund ta lësh pa e parë edhe emrin e Komandantit legjendar Demir Lena, i cili luftoi gjithandej nga luftonin shqiptarët, qoftë me serbët, qoftë me grekët dhe përsëri u vra ashtu siç vriten trimat .Prandaj, mua s’më ngelet gjë tjetër veç të them lavdi këtyre trimave dhe atyre fëmijëve të vegjël të pafajshëm të cilët dora e dushmanit i mori nga shtëpia dhe i pushkatoi .Një gjë është e vërtet dhe për këtë të gjithë ne duhet të punojmë. Ladorishti duhet të jetë vendbanimi më i madh i Strugës. Ngelet që rinia njerëzit e këtushëm, por edhe kurbetçarët të vijnë dhe të kontribuojnë që me ato të mira materiale që i kanë siguruar atje të vijnë t’i investojnë këtu, në mënyrë që Ladorishti të bëhet vendbanimi më i madh i Strugës”,-është shprehur Sela.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij si dhe qytetarë të Ladorishtit përveç se bënë homazhe në varrezat e të rënëve në masakrën e Ladorishtit, bashkërisht nderuan edhe figurën dhe veprën e Demir Lenës.

Gjithashtu lexo

Tym, zjarr e mbeturina në komunat shqiptare, politikanët bëhen gati për fushatë,rinia pa shpresa

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë filluar përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve lokale të cilat pritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *