Home / Lajme / Maqedoni / Meta – Thaçi: Biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni (VIDEO)

Meta – Thaçi: Biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni (VIDEO)

Tiran, 05 Tetor – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta takoi sot liderin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

Gjatë takimit, Meta dhe Thaçi shkëmbyen mendime për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për forcimin e rolit të tyre për europianizimin e mëtejshëm të këtij vendi.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nënvizoi se shqiptarët kaë treguar se janë faktor i fuqishëm i stabilitetit të vendeve ku ata jetojnë dhe kanë luajtur një rol konstruktiv për proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, Thaçi duke i uruar suksese në detyrën si Kryetar i Kuvendit, vlerësoi kontributin që zoti Meta ka dhënë në historinë e re të shtetit të Maqedonisë. Lideri i PDSH-së theksoi se Shqipëria dhe institucionet shqiptare kanë qenë gjithmonë burim stabiliteti për rajonin dhe se suksesi i institucioneve shqiptare, është edhe sukses i shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhanë një prononcim për mediat.

“Ishte kënaqësi të prisja sot liderin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, mikun tim zotin Menduh Thaçi, me të cilin kemi shkëmbyer mendime për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet tona për të kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, midis Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Maqedonisë”, theksoi kryetari i Parlamentit Shqiptar, Ilir Meta.

Ai nënvizoi se shpreh besimin se PDSH do të vazhdojë të kontribuojë për të përmirësuar më tej të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, për të rritur rolin e tyre për europianizimin e mëtejshëm të këtij vendi, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë kanë treguar që janë një faktor i fuqishëm i stabilitetit të vendeve ku ata jetojnë dhe i të gjithë rajonit.

“Njëkohësisht progresi i mëtejshëm i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, padyshim është tregues i rëndësishëm edhe i europianizimit të këtij vendi mik dhe ne dëshirojmë më të mirën për Maqedoninë, dëshirojmë që shqiptarët e Maqedonisë të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre konstruktiv dhe ambicioz për forcimin e stabilitetit të këtij vendi por edhe për integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian”, deklaroi kryeparlamentari Meta.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se jo vetëm kënaqësi, por është edhe nder të takosh zotin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.

“Të gjithë shqiptarët e Shqipërisë kanë dëshirë, por Ilir Meta ka edhe njohuri për problemet e shqiptarëve andej. Ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm gjatë pjesës së historisë së re. E informova Kryetarin e Kuvendit për kontributin që partia që unë drejtoj jep që të përshpejtohet zhbllokimi i procesit integrues për Maqedoninë. Po ashtu e informova edhe për vështirësitë dhe telashet që kemi ne shqiptarët e Maqedonisë në realizimin e të drejtave tona, qofshin individuale apo kolektive, si dhe për një problem shumë i madh që tashmë po troket në dyert e shqiptarëve të Maqedonisë që është varfëria e thellë, për shkak se kemi mungesë të perspektivës, mungesë të investimeve ekonomike që vijnë prej bllokimit të procesit integrues”, deklaroi Thaçi.

Ai theksoi se me Metën është rënë dakord po ashtu që tashmë prej një kohe të gjatë Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë janë bërë burim i stabilitetit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit.

“E shfrytëzova rastin që t’I dëshiroj shumë suksese si zotit Meta, edhe të gjithë institucioneve të Shqipërisë. Këto suksese do të jenë edhe sukseset tona, të shqiptarëve që nuk jetojnë në Shqipëri”, theksoi kryetari i PDSH-së.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *