Home / Sport / Tetova pret derbin lokal

Tetova pret derbin lokal

Stadiumi i qytetit në Tetovë të dielën do të jetë qendra e vëmendjes pasi Renova përballet me Shkëndijën në derbin lokal. Dy ekipe tetovare, me rivalitet të madhe dhe që viteve të fundit kanë qenë ndër më të mirat në kampionatin vendor. Shkëndija këtë sezon me sponsorin e ri kërkon të ndërtojë ekip të fuqishëm, ndërsa Renova me shumë futbollistë që në të kaluarën ishin te Shkëndija, këtë sezon po prodhon futboll shumë cilësor.

Pas pauzës dy javore në kampionat për shkak të angazhimeve të ekipit kombëtar të Maqedonisë në kualifikimet për botërorin ‘Brazil 2014’, këtë fundjavë vazhdojnë garat në Ligën e Parë me ndeshjen e xhiros së 11-të. Kjo javë sjell derbin e madh lokal të Tetovës, ku Renova përballet me Shkëndijën. Dihet mirë rivaliteti i këtyre dy skuadrave, që gjithmonë kanë sjellë ndeshje me shumë emocione, ndërsa tradita e transferimit të vazhdueshëm të futbollistëve nga njëri në taborin tjetër i jep një impuls shtesë kësa përballeje. Si në të kaluarën edhe këtë verë kishte lëvizje nga Shkëndija te Renova. Nëse historia filloi me ‘transferimin’ e papritur të Vullnet Eminit dhe Agron Memedit, vitet në vazhdim do sillnin shumë lëvizje të këtilla, ndoshta jo të tilla të papritura dhe në mes të sezonit. Tani Renova në prehërin e saj ka shumë ish-kuqezinjë, duke filluar nga portieri Suat Zendeli, pastaj Agon Memedi, Mensur Idrizi, Izair Emini dhe Ersen Sali, ndërsa këtë verë prej taborit ‘kuqezi’ ekipit ‘bardhekaltërt’ të fundit i’u bashkuan Nenad Mishkovski, Mexhit Neziri dhe Elmedin Rexhepi. Një pjesë e mirë e futbollistëve të lartëpërmendur bënë historinë me Shkëndijën duke fituar kampionatin dhe Super Kupën, të drejtuar nga pankina nga trajneri i tashëm i Renovës dhe legjenda e Shkëndijës, Qatip Osmani. “Kemi kaluar një periudhë të paharuar te Shkëndija dhe ky klub gjithmonë do mbetet në zemrat tona. Shkëndija ka tifozët më të mirë në vend dhe në rajon dhe ne u jemi falemenderues përgjithmonë për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë ku do që kemi luajtur. Jemi krenar që kemi qenë pjesë e atij ekipi dhe ajo periudhë mbetet e paharuar për neve. Tani jemi te Renova, japim maksimumin për këtë skuadër, sigurisht se të dielën duam të fitojmë, e dijmë që publiku do jetë në anën e Shkëndijës, por ne sërisht ndjejmë një lloj kënaqësie që do luajmë para tifozerisë më të mirë. Urojmë të jetë ndeshje korrekte, të ketë shumë shikues të cilëve do tentojmë tu dhurojmë futboll cilësor, ndërsa në fund fitorja le ti takojë ekipit që do e meritojë më shumë dhe së bashku pas ndeshjes t’i shtrojmë njëri tjetrit dorën”, shprehen njëzëri ish-futbollistët e Shkëndijës, të cilët tani janë pjesë e Renovës. Ndërkohë edhe në rradhët e Shkëndijës ka futbollistë që kanë qenë në të kaluarën në kampin e rivalit lokal. Burhan Emrullai, Shaqir Rexhepi dhe Muharem Bajrami ishin pjesë e kampit bardhekaltër, ndërsa tani do jenë përballë ish-ekipit të tyre. Deri sa Emrullai dhe Rexhepi janë fëmijë të Shkëndijës dhe pikërisht nga tabori ‘kuqezi’ kaluan te Renova, ku qëndruan vetëm një vit, Muharem Bajrami vite me rradhë ishte lider i xhepcishtasve duke fituar kampionatin dhe Kupën e Maqedonisë. “Për periudhën e kaluar te Renova mund të them vetëm fjalët më të mira. Fituam kampionatin, më vonë edhe Kupën, ndërsa kemi luajtur vite me rradhë në kupat evropiane. Jam mirënjohës për gjithë që ka bërë kjo skuadër për mua dhe u dëshiroj fat në të ardhmen. Mirëpo tani unë jam pjesë e ekipit simbol i shqiptarëve në Maqedoni, kemi një armatë fantastike të tifozëve dhe ata meritojnë vetëm suksese. Këtë sezon s’kemi qenë në nivelin e duhur, mirëpo jemi të bindur se shpejtë gjërat do hyjnë në binarë. Besoj se që nga dita e dielë tifozët do shohin një Shkëndijë tjetër, të përkushtuar dhe agresive. Kundër Renovës mendojmë vetëm për fitore dhe tre pikë të reja”, deklaroi mesfushori i Shkëndijës, Muharem Bajrami. Renova dhe Shkëndija deri tani janë përballur në 20-të takime zyrtare, prej të cilave 18-të janë në kampionat, ndërsa dy në Kupën e Maqedonisë. Në kuadër të Kupës në vitin 2005 Shkëndija mundi Renovan 4:0 në Ohër, ndërsa ndeshja e kthimit në Tetovë u mbyll baraz 1:1 dhe Shkëndija vazhdoi më tej garat në Kupën e Maqedonisë. Ndërkohë në kampionat nga 18-të takime, Renova ka 7 fitore, tre duele kanë përfunduar baraz, ndërsa Shkëndija ka shënuar 8 fitore. Gol diferenca është 23:28 në favor të Shkëndijës. Në gjithë këto takime të lartëpërmendura emocionet kanë qenë në maksimum, ndërsa e diela sjell tjetër përplasje lokale ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *