Home / Sport / Zajazi fiton derbin me Vrapçishtin

Zajazi fiton derbin me Vrapçishtin

Kadriu dhe Alili kanë shënuar golat për Zajazin, që arriti të shënojë fitore të rëndësishme në përballjen me Vrapçishtin. Drita shënon tre gola, por nuk arrin të mund Tiverinë, pasi ndeshja mbyllet 3:3. Shkupi rrikthehet të fitojë, pasi mundi 1:0 Maxharin.

Stadiumi i qytetit në Kërçovë të shtunën ka pritur derbin shqiptar të Ligës së Dytë të futbollit në vend, ndërmjet Zajazit dhe Vrapçishtit. Pas 90-të minutave interesante të përcjella me lojë cilësore dhe luftë të madhe në teren, në fund fitorja i ka takuar skuadrës vendase që triumfoi pranë rezultatit 2:1. Mbi 2 000 spektatorë të tubuar në tribunat e stadiumit të qytetit në Kërçovë ishin një shtytje e madhe për ekipin vendas që pas disa rasteve të mira në minutën e 18-të kalon në epërsi me golin e Florian Kadriut. Mirëpo Vrapçishti nuk dorëzohet dhe tregon se jo rastësisht këtë vit është në pjesën e epërme të renditjes tabelare. Miqtë nga Gostivari insistojnë duke kërkuar golin e barazimit dhe qëllimit i’a arrijnë në minutën e 28-të me anë të Igor Savevskit. Pjesa e parë mbyllet me rezultat të barabartë, ndërsa në fraksionin e dytë Zajazi hedh gjithçka në sulm në kërkim të golit të dytë dhe të fitores. Kishte Zajazi sulme, aksione të mira dhe shanse shënimi, por ndryshim nuk pati deri në minutën e 57-të kur Zejdan Alili sjell delirium në mesin e tifozëve, duke realizuar gol për 2:1 dhe në fund fitore të madhe të Zajazit. Shkupi (Korzo) i është rrikthyer fitores pasi në teren të vet ka mundur 1:0 Maxharin. Me mungesë të disa futbollistëve standard si Asani, Sallai, Osmani, e të tjerë, Shkupi arrin të marë tre pikëshin e parë nën drejtimin e Nexhat Shabanit. Shkupi dominoi ndeshjen në 45 minutat e para, por nuk arriti të gjejë rrjetën kundërshare. Në fraksionin e dytë përsëri sulmuesit nuk arrinin të gjejnë rrjetën kundërshtare dhe në kushte kur futbollistët ofenziv nuk gjenin mënyrë për të shënuar gol, në skenë del mbrojtësi Leonard Kallaba që realizon me kokë pas një harkimi në zonë. Ky gol u tregua të jetë i mjaftueshëm dhe vendimtar për tre pikë të reja të Shkupit. Ndeshje interesante është zhvilluar në Bogovinë ku Dirta dhe Tiveria ku të pranishmit kishin mundësi të shohin gjithsej 6-të gola, nga tre në të dyja portat. Drita nuk e nisi mirë ndeshjen dhe në pushim mes dy pjesëve shkoi me negativë 0:2. Në pjesën e dytë vendasit ishin më agil dhe arritën të shënojnë tre gola, mirëpo pranuan një dhe në fund u desh të kënaqen me barazimin 3:3. Amir Aliji nga penaltia, i riu Valmir Jonuzi dhe Bllashko Nikollovski ishin autor të golave për skuadrën e Dritës. Në Prilep dueli ndërmjet dy ish-kampionëve të vendit, Pobeda J. dhe Sileksit është mbyllur me barazim 1:1. Krstevski shënoi për epërsi të Pobedës, ndërsa një pikë Sileksit i siguroi Velinov. Boreci mundi 4:1 Novacin, Skopje fitoi 2:1 11 Oktomvrin, ndërsa pa gola u mbyll sfida ndërmjet Lokomotivës dhe Miravcit.

Debutim me fitore për Ajdinin

Trajneri i ri i Zajazit, Nazmi Ajdini, ka debutuar me fitore në pankinën e skuadrës kërçovare. Pas rezultateve të dobëta, drejtuesit e skuadrës vendosën që të shkarkojnë trajnerin e mëparshëm Hristovskin, duke emëruar si shef të rij të stafit teknik, Nazmi Ajdinin dhe ndihmësin e tij Musa Imeri. Ajdini është trajner që ka përvojë në Ligën e Dytë dhe të Parë, pasi më herët ka drejtuar skuadrën e Vllaznimit. Tani pritet që përvojën e tij ta bartë edhe te Zajazi, që këtë sezon ka ambicie mbijetesën në Ligën e Dytë. Nëse sipas mëngjesit shihet dita e mirë, atëherë Zajazin e presin shumë suksese me tandemin Ajdini-Imeri në pankinë. Pikërisht në ndeshjen e parë të tyre në stolin e kërçovarëve, Zajazi arriti të marë tre pikë të reja dhe fitore të rëndësishme përballë Vrapçishtit.

Rezultatet e xhiros së 9-të:
Zajazi-Vrapçishti 2:1,
Drita-Tiveri 3:3,
Korzo-Maxhari 1:0,
Pobeda J.-Sileksi 1:1,
Boreci-Novaci 4:1,
Skopje-11 Oktomvri 2:1,
Lokomotiva-Miravci 0:0.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *