Home / Lajme / Maqedoni / Zgjedhjet e parakohshme – sindromë e Qeverisë

Zgjedhjet e parakohshme – sindromë e Qeverisë

Miat Sadiku – Duke i konsideruar disa nga aspektet e lartëpërmendura, zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, të “kohshme” apo të parakohshme siç krekoset kryeministri, nuk mund të sjellin përmirësime substanciale për shqiptarët pa garanca për ndryshimet ligjore që do tu jepnin autoritetin dhe relevancën shiptarëve që të realizojnë premtimet dhe obligimet e tyre ndaj zgjedhësve të vet

Një nga shenjat dalluese të qeveritarëve aktual, ose “brend” siç preferojnë të thonë vetë ato, është mundësia e hapur e zgjedhjeve të parakohshme. “Zgjedhje tani dhe këtu” tanimë është shndërruar në një “top news” që publiku e pret ç’do të dytin-tretin muaj në mënyrë ciklike.

Një qeveri e përkushtuar dhe serioze, në rrethana të një vendi të vogël me telashe të shumta si Maqedonia, të parën punë që do të bënte pas fitimit të mandatit do të ishte krijimi i klimës pozitive dhe vendosja e baraspeshës së qëndrueshme politike dhe etnike në vend.

Kushte këto të patjetërsueshme për t’iu qasur reformave për përmirësim të performacës ekonomike në rrugëtimin e vendit drejt integrimit euro atlantik. Në vend të gjithë këtyre pritjeve, Maqedonia sot e gjithë ditën ballafaqohet me reforma gjysmake që mjekët i bëjnë në arsim apo karateistët në shëndetësi, me investime të huaja që nuk i mbulojnë as shpenzimet e reklamave në mediumet prestigjioze botërore.

Qeveria aktuale, sa herë që paraqitet ndonjë sfidë apo nevojë për vendim të guximshëm paralajmëron ose zgjedhje ose referendum!

Trumbetimi permanent me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve, gjithnjë e më shpesh i shoqëruar edhe me provokime arrogante ndaj shqiptarëve, flet qartë për praktikimin e fenomenit të njëfarë kohabitimi të çuditshëm dhe defektoz shqiptaro-maqedonas dhe jo për qeverisje kualicionare siç deklarohet zyrtarisht.

Defekti në fjalë zatën edhe është sistemor ndaj shqiptarëve, por për qeveritarët maqedonas paraqet një model që si asnjëherë më parë jep suksese në limitimin e hapsirës së veprimin për “partnerin” shqiptar në qeveri deri në shkallën e rrudhjes së krahëve.

Kjo praktikë e kryeministrit maqedonas dhe përkulja totale e faktorit shqiptar në qeveri është shqetësuese sepse hap dyert për një vazalitetit të paradestinuar të shqiptarëve edhe në të ardhmen. Fillet e kësaj situate nënçmuese ndaj shqiptarëve, hiç elementin subjektiv të partisë shqiptare në pushtet, gjenden në rregullativën ligjore për formimin e qeverisë dhe mungesën e mekanizmave balansuese për vendimmarrje në qeveri. Sipas ligjit, në Republikën e Maqedonisë ngjajshëm si në ç’do vend unitar, qeveri formon partia me më shumë mandate të fituara.

Por, kjo parti, në bazë të disa rregullave të pashkruara , pavarësisht programit të sajë politik, zakonisht formon qeveri të përbashkët me një parti shqiptare po ashtu fituese në bllokun shqiptarë.

Deri në këtë pikë, gjërat mund të duken edhe të arsyeshme, por fakti i formimit të qeverisë bazuar në vullnetin (marrëveshja xhentëlmene) e partisë fituese maqedonase krijon varshmëri të partisë shqiptare dhe e bën gati të pa mundur realizimin e programit politik të kësaj të fundit si participiente në qeveri.

Xhentëlmenizmi nuk është kategori politike që obligon palët, ajo mund të konsiderohet thjeshtë një kategori etike, por në rastin konkret praktikohet qëllimisht për të zëvendësuar kornizën e qartë ligjore dhe ndarjen proporcionale të pushtetit.

Duke i konsideruar disa nga aspektet e lartëpërmendura, zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, të “kohshme” apo të parakohshme siç krekoset kryeministri, nuk mund të sjellin përmirësime substanciale për shqiptarët pa garanca për ndryshimet ligjore që do tu jepnin autoritetin dhe relevancën shiptarëve që të realizojnë premtimet dhe obligimet e tyre ndaj zgjedhësve të vet.

Shikuar bardhë e zi, në rrethanat aktuale, partia shqiptare në qeveri, arritje të vetme zgjedhore konsideron kënaqësinë makiaveliste të mposhtjes së rivalëve të vet shqiptarë, anipse gjë prej gjëje muk ka realizu nga premtimet elektorale, përveç ndonjë “Audi” apo “Benzi” të zi për ministrat , në pako me ndonji sekretare të bukur dhe ca përvojë në lëminë e tenderokracisë.

Në pritje të raportit të progresit në BE, gjersa buxheti qepet me gjilpërë etnike , në kohë të premtimeve për rritje të pagave të administratës dhe pensionistëve, vetëm pak ditë pas shfaqjes së muskujve në mbylljen e kufirit me Kosovën, kur ninxhat i futën në “hapsane shpionët”, kur gazetat mbyllen sa hap e mbyll sytë, askush të mos habitet për ndonjë haber të rradhës për zgjedhje të parakohshme .

Kësaj i thonë: “ Fluturon, fluturon,….demokracia!!!”

(Shkrimi u botua fillimisht në gazetën “Koha Ditore”. Autori është nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *