Home / Lajme / Rajon / Arrestohen në Greqi dy të arratisurit e fundit të burgut të Drenovës

Arrestohen në Greqi dy të arratisurit e fundit të burgut të Drenovës

29 nëntor – Pas pesë ditësh kërkime intensive në kufirin shqiptaro-grek, policia greke ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm edhe të arratisurin tjetër nga burgu i Drenovës, Eduard Lulon, i cili u gjet në të njëjtën zonë ku u kap mbrëmë Gëzim Toma.

Eduard Lulo nuk ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit, sapo ka parë policinë greke që e kishte rrethuar është vetëdorëzuar. Policia greke ka pasur informacione nga banorët e zonës, për dy të arratisurit e fundit, më pas kanë filluar kërkimet me kamerat termike. Në momentin që Eduard Lulo dhe Reis Haxhiraj kanë parë policinë greke janë larguar në drejtime të ndryshme, ku Lulo nuk ka mundur të vazhdojë më tej arratinë. Policia ka rënë në gjurmët e Reis Haxhirajt nëpërmjet kamerave termike dhe në të dyja anët e kufirit po bëhen kërkime intensive.

Ndërkohë, Reis Haxhiraj dyshohet se është futur në territorin tonë dhe se mund të jetë në fashtin Arrëz.

Mbrëmë u arrestua i dënuari Gëzim Toma i cili u kap në fshatin Elaptora në Greqi. Sipas mediave greke, përpara arrestimit të Gëzim Tomës, policia greke dhe 3 të dënuarit janë përleshur me armë në malet e Kosturit. Sipas gazetës ‘Ta Nea’, Gëzim Toma është plagosur gjatë operacionit. Drejtori i Policisë së Korçës bëri të ditur se Gëzim Toma është kapur në mal, dhe momentalisht ndodhet në komisariatin e Kosturit në Greqi.

ARRATISJA

Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës.

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Prrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre.

I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *