Home / Lajme / Rajon / Çfarë fshihet pas takimit Meta-Berisha

Çfarë fshihet pas takimit Meta-Berisha

17.11…Pas shuarjes së ankthit dhe tensionit për armët kimike, një sërë dyshimesh vërviten në rrethet e politikës shqiptare, për njerëzit që nxitën stuhinë e protestave qytetare

Pas shuarjes së ankthit dhe tensionit për armët kimike, një sërë dyshimesh vërviten në rrethet e politikës shqiptare, për njerëzit që nxitën stuhinë e protestave qytetare.

Nuk dihet nëse protestat e befasishme ishin një reagim i natyrshëm qytetar për terrin qeverisës apo fijet e tubimeve janë lëvizur nga një grup i caktuar në fshehtësi, për të forcuar pozitat e tyre.

I dyshimtë mbetet roli i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha në instrumentalizimin e protestave të shoqërisë civile për t’i dhënë një mesazh kryeministrit dhe opinionit publik. Takimi i befasishëm i Ilir Metës me Sali Berishën në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ka krijuar një përshtypje se ka pasur një rakordim mes tyre për të mbajtur situatën nën kontroll. Pas takimit ata, mësohet se kanë vijuar kontaktet me anë të koordinatorit Fahri Balliu, një njeri i besueshëm për të dy aleatët e vjetër. Gjithsesi, pas këtij takimi protestat morën një tjetër dimension, duke u përhapur në 14 qytete kryesore të Shqipërisë.

Po ashtu, aleati kryesor i kryeministrit Rama, Ilir Meta, ka pasur një komunikim intensiv me ambientalistin, Sazan Guri, i cili ishte një ndër drejtuesit kryesor të protestave kundër armëve kimike. Nuk dihet se çfarë udhëzimesh i ka dhënë Meta, Sazan Gurit dhe çfarë mendimi ka pasur Kryetari i Kuvendit për protestën para ambasadës amerikane, e para e zhvilluar në 23 vitet e fundit. Me dyshim është parë edhe pjesëmarrja e Metës në protestën para Parlamentit, ku u fishkëllye nga protestuesit. Gjithsesi, Meta duket se ndjehet më komod nga kjo histori, pasi ruajti ekuilibrat mes protestuesve dhe amerikanëve, duke mbajtur një qëndrim të turbullt për armët kimike, herë duke u fshehur pas alibisë së mungesës së informacionit dhe herë duke ndryshuar qëndrim sipas valës së reagimit qytetar. Nga ana tjetër, Sali Berisha drejtoi dhe kontrolloi pjesën tjetër të protestave nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, deputetëve të PD dhe disa beniaminëve të Lulzim Bashës. Mundësinë për një koordinim lëvizjesh e forcon edhe deklarata e Metës kur u shpreh se kishte marrëdhënie shumë të mira me Sali Berishën, ndërsa me Edi Ramën kishte raporte korrekte.

Meta: Pse e takova Berishën

I informuar për shqetësimet që ka krijuar në PS, kreu i LSI, Ilir Meta, ka komentuar takimin e tij me Sali Berishën. “Po, unë e takova për t’i bërë të qartë se shqetësimi i tyre mund të merrte një zgjidhje shumë normale, por ne nuk mund të ekzagjeronim, sepse sikurse unë e thashë që edhe në Parlament asnjë vendim nuk mund të merret pa dëgjuar edhe zërin e z. Berisha, pa dëgjuar edhe zërin e opozitës, sepse ne jemi një vend demokratik. Ne jemi një vend ku veprohet mbi bazë të ligjeve dhe në këtë drejtim unë mendoj se opozita duhet të ishte treguar edhe më e përmbajtur. Mendoj se kjo ishte një fitore e demokracisë shqiptare në përgjithësi, sepse këtu kemi disa komponentë të gjithë së bashku, të cilët treguan në fund të fundit që demokracia jonë ka hyrë në një epokë të re, sidomos pas zgjedhjeve të 23 qershorit, sepse mendoj që edhe sjellja e qeverisë dhe Kryeministrit dhe sjellja e shqiptarëve, të gjithë tregojnë standard të ri”, tha ai.

Ben Blushi

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, po kristalizon linjën e tij kundër qeverisë dhe Edi Ramës. Blushi u pozicionua hapur dhe qartë kundër armëve kimike, duke paralajmëruar Ramën se do ta votonte kundër në Kuvend. Blushi ka kritikuar edhe disa nisma të qeverisë në komisionet parlamentare. Lëvizja e Blushit vjen në një kohë kur ai ka intensifikuar takimet me Metën, duke konsumuar dreka dhe darka. Por Blushi nuk është i vetmi që po afrohet me Metën. Ky u fundit po afron rreth vetes edhe disa deputetë socialistë, të pakënaqur nga ndarja e pushtetit në selinë rozë.

Skenari i PD për destabilizimin e vendit nëse Rama thoshte “PO”

Nëse kryeministri Rama do t’u thoshte “po” armëve kimike, Sali Berisha do të ndërsente bandat e PD për të shqyer dyert e Kryeministrisë si në 14 Shtator 1998. Instrumentalizimi i protestave të shoqërisë civile, ishte vetëm faza e parë e skenarit të Sali Berishës për të destabilizuar vendin, me qëllim lëkundjen e pozitave të Kryeministrit, Edi Rama. Pasditen e së premtes, Sali Berisha futi në mes të protestave punonjësit e Bashkisë dhe elementë me potencial kriminal, të cilët ishin udhëzuar të mësynin Kryeministrinë nëse Edi Rama do t’u thoshte “po” armëve kimike. Një grup i gatshëm u fut në mes të protestuesve, me qëllim për të nisur aksionin e destabilizimit të vendit. Ndërkaq, para se Rama të dilte në konferencë për shtyp, Sali Berisha shpërndau lajmin në media se Rama kishte vënë në gatishmëri forcat e FNSH. Lajmi i rremë u shpërnda qëllimisht për të krijuar idenë se Rama e kishte marrë vendimin për të pranuar armët kimike. Pas sulmit do të kërkohej largimi i Ramës. Por, gjithçka rezultoi fatale për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Edi Rama u tha “jo” armëve kimike. Ndërsa Berisha dhe Basha jo vetëm humbën kauzën e helmit të Asadit, por humbën edhe kauzën e Korçës, me të cilën kishin planifikuar të krijonin trazira.

Tahiri vlerëson rolin e policisë në protestë

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka përgënjeshtruar raportimet se organizatorët e protestës kundër armëve kimike janë procedura penale. “Ndoqa njoftimin në disa media ndaj ndjej të sqaroj keqkuptimin; Nuk ka procedim penal për protestuesit. Ditën e parë të protestës dhe devijimit të saj pranë godinës së një prej ambasadave, policia ka ndjekur përpilimin e një procedure rutinë lidhur me daljen nga plani i shpallur i protestës. Në ditët në vijim, kjo procedurë u ndërpre me urdhër të Kryeministrit, për sa kohë daljet nga plani i protestës nuk përbënin rrezik për objektet e rëndësisë së veçantë”, shprehet Tahiri. Ministri i Brendshëm sqaron gjithashtu se, Policia e Shtetit është përpjekur që të jetë sa më pak e pranishme në protestë. “Besoj ia arritëm të tregojmë fytyrën e qytetëruar të Policisë së Shtetit, si partner i denjë i qytetarëve. Fituam siguri nëpërmjet paqes, jo nëpërmjet dhunës ndaj protestuesve”, shkruan Tahiri në Facebook.

Milo: Vendimi i Ramës nuk ndikon në marrëdhëniet me SHBA

Ish-ministër i Jashtëm, Paskal Milo, lidhur me çështjen e armëve kimike siriane, u shpreh se mungoi transparenca e nevojshme nga qeveria pa u cenuar negocimi i fshehtë mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane. Sakaq, Milo theksoi se refuzimi për asgjësimin e arsenalit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ishte e nevojshme që të bëhej pak më shumë transparencë por pa cenuar negocimin e fshehtë. Refuzimi i Shqipërisë për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike të Sirisë nuk do të ndikojë në marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë. Nuk do t’i cenojë ato sepse janë mijëra fije të tjera që e lidhin Shqipërinë me SHBA”, u shpreh Milo. Më tej, ai nënvizoi se kreu i qeverisë, Edi Rama duhet të konsultohet me aktorët kryesorë politikë vendas në raste të tilla, si dhe të dëgjojë fjalën e kujt di të lezojë më mirë ndjeshmërinë e opinionit publik. Ndër të tjera, Milo akuzoi opozitën se tentuan të përdornin reagimin publik për qëllime politike.(SotNews)

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *