Home / Sport / Lazio pas Mavraj dhe Kaçes

Lazio pas Mavraj dhe Kaçes

Janë të paktën edhe tre futbollistë shqiptarë që kërkohen nga klubi bardhekaltër, pikërisht Mërgim Mavraj, Ergys Kaçe dhe Elseid Hysaj.

Kolonia e shqiptarëve në radhët e skuadrës së Lacios është e destinuar të shtohet, madje që në merkaton e janarit. Janë të paktën edhe tre futbollistë shqiptarë që kërkohen nga klubi bardhekaltër, pikërisht Mërgim Mavraj, Ergys Kaçe dhe Elseid Hysaj. Skuadra do të fuqizohet në janar dhe këtë e ka shprehur edhe presidenti Klaudio Lotito, ndërsa në axhendën e Igli Tares, prej kohësh kanë përfunduar dy shqiptarë, që nëse do t’i shtohej edhe Elseid Hysaj, një alternativë që kurrë nuk është mohuar se i pëlqen lacialëve, mund të ishin tre. Por gjithsesi, Hysaj mund të jetë një alternativë për merkaton e verës, sepse në këtë moment drejtori sportiv Igli Tare po përgatitet për të mbyllur marrëveshjet për dy lojtarë që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë, edhe pse e di që nuk është aspak e lehtë.

Fillimisht Tare kërkon të përforcojë repartin e mbrojtjes dhe i pari në listën e tij për këtë repart është Mërgim Mavraj, që është në vit të fundit të kontratës me Greuther Furthin dhe që nuk ka ndër mend të rinovojë, por pret janarin, kur mund të firmosë me çdo skuadër. Për të, skuadra gjermane mund të kërkojë diçka te 800 mijë euro, edhe pse në verë refuzoi deri në 1 milion euro, duke shpresuar se do të arrinte të bindte Mavrajn të rinovojë. Lacio ka nevojë të përforcojë patjetër mbrojtjen, pasi kohët e fundit, edhe Lorik Cana është kthyer në këtë repart, për shkak se ka mungesa. Klubi i Mavrajt mund ta lëshojë që në janar, në mënyrë që të përfitojë diçka, pasi në verë ai do të largohej me parametra zero.

Por veç mbrojtësit, ndiqet sidomos edhe mesfushori i PAOK-ut, Ergys Kaçe, i cili mesa duket të ardhmen e ka larg Greqisë, pasi nuk po luan më, pas ngjarjeve me fanellën e UÇK-së, gjobave e kështu me radhë. Vlera e kartonit të tij është minimalisht 500 mijë euro, por me një ofertë prej 800 mijë eurosh mund të mbyllet gjithçka me sukses. Janari duket se do të jetë edhe muaji i lëvizjeve të mëdha për legjionarët e kombëtares shqiptare, ku përveç Mavrajt dhe Kaçes, drejt Serisë A mund të përfundojnë edhe Andi Lila me Amir Abrashin. Lila kërkohet nga Verona, ndërsa Abrashi ka 2 oferta të tjera, një në Serinë B.

Goli i Lorik Canës me Lacion vijon të komentohet në mediet italiane dhe jo vetëm. Cana ka rigjetur gëzimin e golit pas 567 ditësh nga hera e fundit. Ishte 6 maji i vitit 2012 dhe në stadiumin “Atleti Azzurri d’Italia”, atëherë si mesfushor, Cana arriti të shënojë kundër Atalantës, me një goditje të fortë nga jashtë zone, pasi kishte rikuperuar një top në mesfushën kundërshtare. Deri më tani ka shënuar 3 gola, të gjitha jashtë, në 75 ndeshje në total, duke përfshirë edhe ato në kupa dhe, si për kuriozitet, të gjithë golat kanë ardhur në aksione, ndërkohë që Cana kishte zbarkuar në Romë si specialist i goditjeve me kokë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *