Home / Lajme / Rajon / Në Idlib, në kampet ku shërohet vuajtja

Në Idlib, në kampet ku shërohet vuajtja

3 nëntor-Rrugës së pluhurosur për në Idlip, të shoqëruar nga pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë, gra me fëmijë në krah dhe pleq të kërrusur kanë braktisur shtëpitë drejt kampeve turke në vijën kufitare. Idlipin me rrethinë e kontrollon Ushtria e Lirë e Sirisë. Luftimet për më shumë se një vit tashmë kanë mbaruar, ndërkohë që i gjithë qyteti është shndërruar në gërmadha.

KOHA në kampet e refugjatëve sirianë në Turqi dhe Siri

Vedat MEMEDALIU, Idlib-Siri

Ahmedi dy vjeç, i ardhur nga Alepo e Sirisë – është njëri nga qindra fëmijët e ikur nga bombat e regjimit të presidentit Bashar al-Assad. I shoqëruar nga gjyshi, ai ka tre muaj që po strehohet në kampin Kerame – rreth 100 kilometra brenda territorit të Sirisë dhe i kufizuar me qytetin turk Kilis. Prindërit e Ahmedit para gjashtë muajve vdiqën nga bombat e ushtrisë siriane. Përkujdesja për 2-vjeçarin tashmë ka mbetur në duart e gjyshit Daud, i cili së bashku me shumë sirianë tjerë, nga Alepo u nisën drejt Turqisë. Në kampin Kerame, kamp kryesisht me tenda, numri më i madh i refugjatëve janë tepër të vegjël për të kuptuar dhunën që po ndodh. Në këtë kamp afër qytetit sirian Idlib, më shumë se 400 fëmijë jetimë janë strehuar nga organizata joqeveritare për të drejtat dhe liritë e njeriut – IHH. Përgjegjësit e kampit thonë se nuk kanë shumë zgjidhje – kampet janë plot dhe çdo ditë atje mbërrijnë qindra refugjatë të tjerë. Madje, punimet për ndërtimin edhe të një kampikontejner kanë filluar tashmë, ndërkohë që besohet se në të njëjtin do të strehohen deri 1000 të ikur nga shtëpitë e tyre. Abdurrahmani, 65 vjeçar nga Jisr Al Shughour, është njëri ndër ata që përkujdeset për fëmijët jetimë në Kerame. Dikur profesor i Biologjisë, Abdurrahmani nuk ka humbur shpresat se një ditë të gjithë të ikurit do të kthehen në shtëpitë e tyre. “Assad-i nuk po vret vetëm ushtarët e USL-së, por po vrasin edhe civilë – pleq, gra dhe të tjerë. Këta fëmijë këtu kanë mbetur pa prindër, të gjithë janë jetimë. Më i madhi është 12 vjeç. Faleminderit Zotit që lodrat, mësimi dhe kujdesi i organizatave humanitare sadopak po u tërheq vëmendjen nga tmerri që kanë përjetuar”, thotë Abdurrahmani. Ai është i sigurt se numri i atyre që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar bombave do të rritet edhe më shumë tani në prag të dimrit. Në fshatrat e Alepos afër me Idlibin, pyjet nuk ekzistojnë më, janë prerë të gjitha. “Më keq është kur të nis i ftohti. Drunjtë janë prerë, njerëzit do të vdesin nga i ftohti. Mungon buka, ndërsa depërtimi i ndihmave është shumë i vështirë”. Të ndihmuar nga shumë organizata ndërkombëtare, në mesin e të cilëve edhe nga “Life Care” e Britanisë, Shoqata e Kishave nga Holanda e Belgjika, IHH po ndërton një qendër të re refugjatësh në Kerame, afër kampit Umah. Kjo qendër, siç shpjegon Ismail Osmani, do të ketë kabina ku mund të jetohet për një afat më të gjatë dhe jo thjesht tenda. “Në kampin e ri do strehohen një numër përherë e më i madh sirianësh, të cilët po largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftimeve. Po bëjmë çmos që t’u sigurojmë kushte sadopak më të mira se sa në tenda. Kontejnerët kanë tualet, kuzhinë dhe janë të adoptuara për një familje deri gjashtë anëtarë. Për këtë arsye, në Reyhanli kemi hapur edhe magazinën për grumbullimin e ndihmave dhe ndërtimin e kontejnerëve”, tregon Osmani.

Opozita e paorganizuar

Rrugës së pluhurosur për në Idlip, të shoqëruar nga pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë, gra me fëmijë në krah dhe pleq të kërrusur kanë braktisur shtëpitë drejt kampeve turke në vijën kufitare. Idlipin me rrethinë e kontrollon Ushtria e Lirë e Sirisë. Luftimet për më shumë se një vit tashmë kanë mbaruar, ndërkohë që i gjithë qyteti është shndërruar në gërmadha. Opozitarët e armatosur thonë se ushtria e Assadit ka bombarduar çdo cep të qytetit dhe fshatrat për rreth, ndërsa viktimat shkojnë deri në 2000, kryesisht fëmijë, gra e pleq! “Ata sulmuan Idlibin nga ajri me avionë ushtarak. Katër nga fshatrat e Idlipit dhe një lagje të tërë të qytetit bombat janë zhdukur tërësisht. Sulme mizore, por megjithatë arritëm t’i tërheqim pas një viti luftime”, thotë një komandant lokal i Ushtrisë së Lirë Siriane, që nuk pranoi të identifikohet me emër. Sulmet në këtë pjesë veriore të Sirisë vazhdojnë edhe tani, por me intensitet më të vogël. Ndihmat për civilët arrijnë deri në vijën e fundit të Idlibit, ndërkohë që gjendja më e rëndë humanitare regjistrohet në qytetin e Alepos. Më shumë se gjysmën e qytetit e kontrollon njësiti “Jabhat al-Nusra”, organizatë kjo e lidhur ngushtë me Al-Kaedën. “Në Alepo, janë stacionuar njësiti ‘Jabhat al- Nusra’, të cilët përveç luftimeve kundër regjimit të Assad-it, po lufton edhe Ushtrinë e Lirë Siriane. Ka nga të gjitha etnitë, ndërkohë që nuk po lejohen ndihmat e organizatave të ndryshme humanitare të depërtojnë në këtë rajon”, ankohet komandanti lokal i ULS-së. Opozita siriane, ashtu siç edhe rrëfejnë vullnetarët humanitarë që veprojnë brenda territorit sirian, nuk është e organizuar sa duhet! Të shumta janë rastet e përleshjeve të armatosura brenda vet grupeve që luftojnë përmbysjen e regjimit të Assad-it. “Funksionojnë grupe të ndryshme brenda territorit ku po zhvillohet lufta. Ushtria e Lirë Siriane, organizatë e njohur ndërkombëtarisht si opozita e pushtetit, po sulmohet nga grupet ekstreme që veprojnë kryesisht në Alepo dhe në pjesë tjera. Asnjë ndihmë ndërkombëtare, por as nga ne turqit nuk pranojnë këto grupe! Na konsiderojnë pjesë e politikës ndërkombëtare që bashkëpunon me Assadin”, thotë Erhan Mus’habi, koordinator i IHH-së në qytetin e Kilisit. Erhani, i cili për më shumë se një vit, hy dhe del në kufirin turko-sirian në Kilis, tregon se gjatë shtatë muajve luftë intensive, në kufirin turk kanë arritur nga më shumë se 500 refugjatë në ditë. “Gjendja ishte e tmerrshme, fëmijë, pleq e gra të lodhur i gjenim rrugës të shtrirë pa ujë e ushqim. Kemi parë fëmijë të vdekur nga të ftohtit… Tmerr”, tregon Erhani, 35-vjeçar, i cili koordinon ndihmat me përgjegjësit qeveritar në kampin “Elbeyli” në Kilis.

Mbi 600 mijë refugjatë në Turqi

Për aq kohë sa po zgjat lufta civile në Siri, numri i refugjatëve sirian në Turqi ka arritur në 600 mijë, ndërkohë që mbi 2 milionë gjithsej janë shpërndarë në Liban, Jordan dhe Irak. Refugjatët në Turqi kryesisht janë strehuar në kampe dhe shtëpi në qytetet për rreth vijës kufitare – në Gaziantep, Kilis, Antakya dhe Reyhanli. Autoritetet turke, të ndihmuara edhe nga organizata të ndryshme humanitare, po ndërtojnë edhe dy kampe të reja brenda qytetit Kilis, ndërsa thonë se kjo bëhet pasi mbarimi i luftës nuk po shihet afër. “Lufta civile nuk ka të mbaruar, jo edhe për pesë vitet e ardhshme. Dashtë Zoti që kohë të më demantojë, por nga ajo që po shohim, konflikti do të zgjasë”, thotë Ismail Osmani, shoqëruesi ynë, njëherësh anëtar i bordit drejtues të IHH-së. Po ndërtojmë kampe-qyteza nga kontejnerë që kanë kushtet maksimale për një jetë të qetë, tregon Osmani. Në Kilis, kampi i qeverisë turke “Elbeyli”, i ndihmuar edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, është vlerësuar nga OKB si njëri ndër kampet më të përgatitura në botë për strehim të refugjatëve. I furnizuar me shkollë, çerdhe fëmijësh, spital, dhe sallë sporti…, në këtë kamp jetojnë mbi 100 mijë refugjatë. “Kampi-kontejner ‘Elbeyli’ këtu në Kilis, me 15 mijë kontejnerë, është njëri ndër dhjetëra kampet tjera që po strehojnë mijëra të ikur nga lufta e Sirisë”, thotë Osmani, ndërsa shton se refugjatëve u ofrohet gjithçka brenda kampit, nga ushqimi dhe shkollimi deri te kujdesi shëndetësor. “E mira është se këta fëmijë, harrojnë shpejtë se çfarë ka ndodhur në vendet ku edhe kanë jetuar. Tani habiten me lodra dhe mësime. E kanë më qetë se sa kur ishin nën granatat e regjimit”. Përgjegjës kryesor i kampitkontejner është kryetari i rrethit të Kilisit, Vedat Tapsis tregon se përkundër përgatitjeve të shtetit turk dhe organizatave joqeveritare, situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Ai thotë se në bashkëpunim me Drejtorinë turke për përballje me fatkeqësitë dhe gjendjet e jashtëzakonshme, para festës së Kurban Bajramit kanë realizuar një anketë dhe kanë konstatuar se numri i refugjatëve, ose i “mysafirëve” siç i quan ai të ikurit nga Siria, tashmë ka tejkaluar shifrën prej 600 mijë. “Bëmë një anketë para festës së Kurban Bajramit dhe konstatuam se numri i refugjatëve ka tejkaluar 600.000”, thotë kryetari i rrethit të Kilisit. Në këtë qytet kufitar banojnë mbi 82 mijë banorë, kryesisht turq, ndërkohë që numri i refugjatëve në këtë vend ka tejkaluar shifrën e 100 mijë sirianëve. “Duhet të kemi parasysh se spitalet janë të mbushur, kampet gjithashtu, ndërkohë që çdo ditë e më tepër po vijnë ‘mysafir’ të rinj. Në ‘Elbeyli’ kemi siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për mysafirët, duke filluar nga shkollimi i fëmijëve, që janë me numër më të madh, spitalet, kuzhina… dhe siguria. Këtyre ditëve ka përfunduar ndërtimi i shkollës së pestë”. Tepsis pranon në heshtje se lufta në Siri do të vazhdojë edhe për vite të tëra, ndërsa këtë e shpjegon me ngritjen e kampeve-kontejner për rreth vijës kufitare Turqi-Siri. (vijon)

Në numrin e ardhshëm do të lexoni: – Çfarë thonë pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë të Sirisë për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë? – Sa është e organizuar opozita në luftën për përmbysjen e regjimit të presidentit Bashar al-Assad? – Cilët janë parashikimet e organizatave humanitare për luftën civile në Siri?.. (Gazeta Koha)

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *