Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT promovohen dy vepra artistike

Në USHT promovohen dy vepra artistike

1 nëntor-Në fund të promovimit, fjalën e mori përkthyesi i të dy librave, Prof. Dr. Arbër Çeliku, i cili falënderoi Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti për mbështetjen e dhënë. Ai me këtë rast, përshkroi vështirësitë e hasura gjatë punës së përkthimit të dy librave, por gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin.

Në ambientet e amfiteatrit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, gjatë ditës së sotme u promovuan dy vepra artistike të përkthyera nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe tjetra, nga gjuha shqipe, në atë gjermane.

Librat, “Dreri shpëtimtar”, i akademikut Uli Rothfuss dhe “Vajza boheme”, i autorit Kalosh Çeliku, të cilët për lexuesit e këtyre dy hapësirave gjuhësore u sollën nga Prof. Dr. Arbër Çeliku, Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në USHT.

Në hapjen e këtij promovimi, siç kumton zyra për informim, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se USHT-ja, një prej prioriteteve të punës së saj e ka edhe promovimin e vlerave të mirëfillta të artit dhe kulturës, siç janë edhe dy veprat që promovohen sot.

“Në vazhdën e aktiviteteve tona, ne sot përurojmë dy vepra me rëndësi të dy autorëve të mëdhenj, njëri gjerman dhe tjetri shqiptar, Akademik Uli Rotfus dhe Kalosh Çeliku, por që vepra e akademikut Rotfus sot na flet shqip, kurse ajo e Kalosh Çelikut na flet gjermanisht, dhe kjo falë përkthyesit dhe profesorit tonë, Prof. Dr. Arbër Çeliku”, theksoi Ameti, duke e përgëzuar të njëjtin për punën e tij të palodhshme në afrimin e të dyja gjuhëve dhe kulturave, shqipe dhe asaj gjermane.

Rektori i USHT-së, po ashtu bëri një përshkrim të shkurtër mbi biografinë e të dy autorëve.

“Shkrimtari Kalosh Çeliku është një emër i njohur për publikun shqiptar, me origjinë është nga Kërçova, ka botuar mbi 60 vepra të gjinive të ndryshme letrare: poezi, drama, romane për të rritur dhe fëmijë, publicistikë letrare, etj. Veprat e tij janë të përkthyera në disa gjuhë: maqedonisht, rumanisht, greqisht, gjermanisht. Ai jeton dhe vepron në Shkup. Ndërkaq, akademik Uli Rotfus është lindur në vitin 1961 në Ebershard, Gjermani. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë gjermane në Universitetin e Cyrihut dhe shkencat sociale në Lajcester, Britani e Madhe. Ka dhënë mësim në shumë universitete botërore, si në Angli, Çeki, Sllovaki, Gjeorgji, SHBA, etj”, tha në mes tjerash Ameti, duke theksuar edhe faktin se Akademiku Uli Rotfus, për më tepër, është një mik i madh i popullit shqiptar dhe i Universitetit Shtetëror të Tetovës, sepse është përpjekur në vazhdimësi që të hapë shtigje për Universitetin tonë në Evropë.

Ai nga ky vit akademik, për ta kultivuar edhe më tej miqësinë me popullin shqiptar dhe për të qenë sa më afër Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndonëse tepër i angazhuar dhe i mbingarkuar me punë, ka shfaqur dëshirë që të jep rregullisht mësim në Universitetin tonë, në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane.

Akademiku Uli Rothfuss, autor i librit “Dreri shpëtimtar”, duke iu drejtuar të pranishmëve shprehu kënaqësinë e tij për faktin që gjendet në ambientet dhe para auditorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke e vlerësuar me këtë rast, lartë punën e bërë nga drejtuesit e këtij institucioni, në rritjen e nivelit akademik dhe në përmirësimin e dukshëm të infrastrukturës së Universitetit. Ai u shpreh i mahnitur edhe nga niveli i njohurive të studentëve të programit studimor të gjuhës gjermane. Ai, gjithashtu solli një përshkrim të librit “Vajza boheme’, të autorit Kalosh Çeliku.

Autori i librit “Vajza boheme”, Kalosh Çeliku, i falënderoi të pranishmit dhe në mënyrë të veçantë Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, për praninë dhe mundësinë e promovimit të këtij libri. Ai, gjithashtu foli për librin “Dreri shpëtimtar”, i akademikut Uli Rothfuss.

“Libri të lë përshtypje të mira për thellësinë e mendimit dhe të mesazhit. Shkrimtari ka ditur me mjeshtri t’i vjedh veprimet dhe mendimet e Pedrosë me shokë dhe shoqe për t’i hedhur me besnikëri në libër”, tha Çeliku.

Më tej vijoi duke thënë se “Dreri shpëtimtar” është një libër për fëmijë me rrëfime interesante, edhe për lojë edhe për lexim.

“Secili rrëfim, ndonëse e bukura krijohet me të shëmtuarën, është një botë në vete që lexohet me një frymë. Në botën e tij të çuditshme, shkrimtari me këtë libër solli diçka të bukur dhe të rrallë dhe në letërsinë shqipe. Ditën e nesërme, të gjithë fëmijët do ta gjejnë lumturinë…”, tha në fjalën e tij, shkrimtari Kalosh Çeliku.

Në fund të promovimit, fjalën e mori përkthyesi i të dy librave, Prof. Dr. Arbër Çeliku, i cili falënderoi Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti për mbështetjen e dhënë. Ai me këtë rast, përshkroi vështirësitë e hasura gjatë punës së përkthimit të dy librave, por gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin.

Ndër të tjera, Prof. Dr. Arbër Çeliku shprehu kënaqësinë e veçantë për faktin që tashmë akademiku Uli Rothfuss, është edhe pjesë e stafit akademik të gjermanishtes në Universitetin tonë.

Në fund të aktivitetit, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti ndau disa dhurata për autorët në shenjë vlerësimi për punën e tyre.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *