Home / Lajme / Maqedoni / Rama foli për çështjet e shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski asnjë fjalë

Rama foli për çështjet e shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski asnjë fjalë

6 nëntor-
“Sigurisht për ne është e rëndësishme që edhe Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë krijimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet ajo dita ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve dhe suksesit të këtij vendi, që edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”, deklaroi Rama.

Kryeministrat Nikolla Gruevski dhe Edi Rama zhvilluan takimin gati njëorësh në Qeverinë e Maqedonisë.

Derisa kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën e përbashkët me gazetarët përveç bashkëpunimit ndërshtetëror u fokusua në çështjet e shqiptarëve, marrëdhëniet ndëretnike dhe procesin e domosdoshëm të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve, kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka folur asnjë fjalë për Marrëveshjen e Ohrit. Gruevski përmes një fjalie të shkurtër tha se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile në vend.

Pas deklarimeve protokollare për intensifikimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në fusha të ndryshme, Rama më së shumti u ndal tek çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Sigurisht për ne është e rëndësishme që edhe Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë krijimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet ajo dita ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve dhe suksesit të këtij vendi, që edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”, deklaroi Rama.

Duke folur edhe për incidentet e fundit ndëretnike në Shkup, Rama tha se Qeveria shqiptare po ndjek me shqetësim të gjithë këto momente të shfaqjes së intolerancës dhe dhunës së natyrës ndëretnike. “Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe një herë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, theksoi kryeministri shqiptar.

Ndërsa, kryeministri Gruevski shkurtimisht u deklarua se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile dhe se ato po ngriten vazhdimisht përmes një debati.

Gruevski: Jemi të angazhuar për përparimin e marrëdhënieve

“Bashkërisht vlerësuam se ka kontinuitet të bashkëpunimit dypalësh, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rrugor dhe hekurudhor dhe projekte në fushën e energjetikës. Jemi në fazën e nisjes për autostradën e Korridorit 8 dhe jemi të përkushtuar që të kemi kemi lidhje rrugore sa më të mirë me Shqipërinë”, theksoi Gruevski, duke shtuar se Maqedonia mbetet e angazhuar në përparimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë së mirë.

Ai theksoi mbështetjen e Maqedonisë në integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe që të dyja vendet të kenë përparim në planin e evrointegrimeve.

Rama: Shqipëria e interesuar për marrëdhënie intensive me Maqedoninë

“Shqipëria është e interesuar për një marrëdhënie intensive me fqinjët. Në këtë rast me Maqedoninë në të gjitha planet. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të hapur rrugë të reja në këtë bashkëpunim dhe të forcojmë bashkëpunimin ekonomik dhe me ide konkrete zhvillimi të përbashkët”, theksoi Rama, duke përmendur fokusimin tek projekti i Liqenit të Ohrit si një hapësirë e pashfrytëzuar e zhvillimit ekonomik dhe social mes dy vendeve.

Duke folur për rajonin, kryeministri Rama nënvizoi se paqja në rajon ka hyrë në një proces të ri me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është një dritare e re e mundësive për zhvillim rajonal.

Rama në fund ka theksuar se sa më shpejt Maqedonia të jetë pjesë e NATO dhe BE, kjo do të jetë sa më mirë për vendin, shqiptarët, sepse përndryshe çdo vonesë cënon prosperitetin dhe procesin e zhvillimit të rajonit.

Kryeministri shqiptar vazhdon takimet me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov dhe më pas kryeparlamentarin Trajko Veljanovski. Pasdite janë paraparë takimet me liderët e partive shqiptare Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së, në selitë partiake në Tetovë. (INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *